Akuzat e PD për Xhafajn, Hysi: Ligji i ekstradimeve, produkt i punës së ekspertëve, opozita nuk kundërshtoi

Akuzat e PD për Xhafajn, Hysi: Ligji i ekstradimeve, produkt i punës së ekspertëve, opozita nuk kundërshtoi

Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi

Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëherazi anëtarja e komisionit parlamentar të ligjeve, Vasilika Hysi ka reaguar pas akuzave të opozitës në adresë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj

PD akuzon Xhafajn se në kohën kur drejtonte komisionin e ligjeve ka falsifikuar nenin për procedurën penale, nenin 491 sa i takon ekstradimit të personave të dënuar.

Hysi sqaron përmes një postimi në rrjetet sociale se ligji është propdukt i punës së ekspertëve të komisioni të reformës në drejtësi si dhe i është nënshtruar konsultimeve publike, ndërsa thekson se opozita atëherë nuk shprehu kundërshti.

Ky variant i miratuar është dërguar me e- mail anëtarëve të komisionit, Ministrisë së Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit në komision dhe pas miratimit të tij, para kalimit në seancë, Euralusit, OPDAT, Prokurorisë së përgjithshme, deputetëve LSI. PD ishte në çadër.

Pse opozita nuk e ngriti ketë problem gjatë 1 vit e më shumë, por pikërisht tani kur reforma ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ish kolegu Tahiri nuk i dha shansin opozitës të vazhdojë ta ketë si kauzë të saj. 

Vasilika Hysi, anëtare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Reagimi i Vasilika Hysit:

Reformën në drejtësi dhe kontributin e Fatmir Xhafës nuk mund ta baltosë asnjëri dhe zbatimin e saj nuk mund pengojnë. Reforma në drejtësi do ti ofrojë qytetarëve drejtësinë e munguar.
Më poshtë do gjeni prononcimin tim për ketë çështje, meqenëse më thanë se më është përmendur emri im nga kolegë të opozitës. 

Ndihem e keqardhur që opozita sajon histori të pavërteta.

E ndodhur pa ndonjë kauzë dhe në vijim të misionit të saj të nxijë situatën në prag të vendimit të hapjes së negociatave dhe e frikësuar nga ecuria e procesit të vetingut krijon një zhurmajë me shtrembërim të fakteve. 

1 Projektligji është produkt i punës së ekspertëve të komisionit të reformës në drejtësi. 

2. Me mbylljen e komisionit, projektligjet u depozituan në Kuvend me firmën e deputetëve. 

3. Projektligji për Kodin e Procedurës penale u depozitua nga ana ime për tu shqyrtuar në komisionin e ligjeve. 

4. Projektligji iu nënshtrua konsultimit publik me punonjës të praktikës dhe ekspertë të fushës. Kjo është praktikë për çdo projektligj.

5. Sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, të pranuara u reflektuan në çdo nen për të cilin kishte sugjerime. 

6. Është procedurë normale që një projekt ligj të diskutohet dhe nene të veçanta të amendohen.

7. Drafti i diskutuar në komision reflekton projektin e propozuar së bashku me të gjitha komentet dhe sugjerimet e reflektuara. 

8. Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës se ekstradimit, protokolli shtesë.

9. Kur një projektligj pëson shumë ndryshime, miratohet si variant integral. 

10. Në komision është votuar varianti që është në fuqi. 

11. Ky variant i miratuar është dërguar me e- mail anëtarëve të komisionit, Ministrisë së Drejtësisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit në komision dhe pas miratimit të tij, para kalimit në seancë, Euralusit, OPDAT, Prokurorisë së përgjithshme, deputetëve LSI. PD ishte në çadër.

12. Ky projektligji është bërë publik në faqen e Kuvendit para votimit në seancë plenare.

13. Raporti ka pjesë integrale të tij gjithë projektligjin e votuar që i është përcjellë seancës plenare.

14. Opozita ka pasur gjithë mundësitë dhe kohën e mjaftueshme të studionte projektligjin dhe gjithë sugjerimet e ardhura, të merrte pjesë në diskutimin e konsultimit publik dhe në komision, ta lexonte projektligjin e ndryshuar para se të miratohej në komision dhe të kalonte në seancë plenare. Madje nëse, opozita nuk donte përafrimin e projektligjit me konventën evropiane të ekstradimit, protokolli 4, neni 3, mund ta bënte amendament 24 orë para seance. 

15. Dhe e fundit: Pse opozita nuk e ngriti ketë problem gjatë 1 vit e më shumë, por pikërisht tani kur reforma ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ish kolegu Tahiri nuk i dha shansin opozitës të vazhdojë ta ketë si kauzë të saj.

16. Që kolegu Xhafa do ishte objekt sulmi nuk kishte asnjë mëdyshje. Reforma në drejtësi ka tronditur shumë themele të mureve të shtrembër dhe ka cenuar shumë interesa dhe persona që janë të lidhur me interesa të paligjshme.

Por të artikulohet akuza të tilla, pa marrë gjithë praktikën parlamentare, sidomos kur nuk ke pranuar të kontribuosh në diskutimet e projektligjit është shumë e shëmtuar dhe e dëmshme. 

Unë do doja të falënderoja gjithë ekspertë e reformës në drejtësi dhe punonjësit e praktikës që kontribuan dhe veçanërisht kolegun Xhafaj për drejtimin e komisionit të reformës në drejtësi, metodologjinë dhe procesin transparent dhe gjithëpërfshirës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Ligji për ekstradimet, Vasili: Të shfuqizohet, LSI e gatshme për ndryshimin e Kodit Penal

Akuzave të Partisë Demokratike për ndryshimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale për ekstradimet iu është bashkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

PD akuzon ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se kur ishte kryetar i komisionit parlamentar të ligjeve ka ndryshuar këtë ligj për të bllokuar ekstradimin e vëllait të tij i dënuar në Itali për trafik droge. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili u shpreh se ligji duhet të shfuqizohet, ndërsa deklaroi se LSI është e gatshme të japë votat për ndryshimin e këtij neni.  

Sipas Vasilit, neni 491 tashmë është kthyer në lehtësi për kriminelët dhe trafikantët që t’u shpëtojnë dënimit. 

Neni 491, tashmë është kthyer si një dritare, si një alibi për kriminelët dhe trafikantët që t’u shpëtojnë dënimit, LSI përcakton qartë që qëndrimi më i mirë dhe i menjëhershëm do të ishte aborgimi i menjëhershëm i këtij neni dhe të ulemi në tavolinë dhe të ribëjmë përcaktime të reja, të cilat mbyllin alibitë për shpëtimin e kriminelëve dhe trafikantëve dhe e kthejnë kodin në një instrument lufte të papajtueshme me krimin e organizuar dhe trafiqet. 

Të cilët e kanë dëmtuar rëndë Shqipërinë në zhvillimin e saj drejt integrimit europian, por njëherazi dhe kanë përcaktuar dhe zhvillimet ekonomike shumë negative dhe rrënimin ekonomik të Shqipërisë për shkak se këto trafiqe dhe këta kriminelë kanë rrëmbyer jetën ekonomike, përveç se asaj qeveritare tashmë të rrëmbyer kokë e këmbë. 

Është e qartë që LSI është e gatshme të investohet me të gjitha votat e saj në Kuvend që kodi penal të ndryshojë në përcaktimet që janë lehtësi e alibi e kriminelëve. Dhe kjo çështje të fillojë që nga dita e hënë, praktika për aborgimin e këtij neni dhe riformulimin në përputhje me objektivat e luftës që ne kemi për trafikantët, të cilët janë bërë absolutisht rreziku themelor për stabilitetin dhe sigurinë publike të Shqipërisë. 

Njëherazi është fare e qartë që opinioni publik ndodhet përballë një denoncimi shumë serioz për një dyshim mashtrimi për aktet parlamentare dhe për atë çfarë miratohet në sallën e Kuvendit. Integriteti i vendimeve të Parlamentit është seriozisht i rrezikuar dhe këto vendime duhet të verifikohen një për një në dy rrugë. Në rrugën parlamentare nëpërmjet një hetimi parlamentar të hollësishëm dhe se dyti patjetër që po ndoshta dhe e vonuar, Prokuroria shqiptare duhet të fillojë çështjen për të zbardhur si qëndron e vërteta.

Vetëm transparenca e plotë dhe vetëm zbardhja deri në fund e kësaj çështje, e praktikave që kanë imponuar në miratimin e këtyre kodeve. Praktika të cilat kanë synuar që nëpërmjet emaile-ve të çuar tinëz lart e poshtë në keqpërdorim të mirëbesimit të deputetëve dhe shndërrimit të ndryshimeve të mëdha të kodit penal në çështje të 24 orëve të fundit, janë praktika të cilat duhet të marrin fund pasi përveç se janë përdorur me qëllim në shërbim të interesave të caktuara nuk kanë prodhuar asgjë tjetër. 

Ndaj shëndoshja e vetme e procesit dhe dimensioni i vetëm i komunikimit dhe me qytetarët dhe me opinionin publik dhe me median është që kjo çështje dhe gjithë mënyra e proceduar, gjithë praktika pse jo bizantine e vënies para faktit të kryer për ndryshime të kodit penal  e përdorimit dhe shpërdorimit të institucioneve kombëtare që asistojnë Shqipërinë, e zëvendësimit të komisioneve parlamentare që janë instrumentet e patjetërsueshme të jetës parlamentare, me shkëmbime emaile-sh nëpër institucionet ndërkombëtare të cilët kanë tentuar të zëvendësojnë Kushtetutën dhe instrumentat parlamentare të Shqipërisë. 

E gjithë kjo praktikë duhet zbardhur, duhet parë në ç'mënyrë ka funksionuar gjithë kjo çështje dhe në fund të ditës të gjithë do jenë më të qartë se çfarë ndodhi, pse ndodhi, në rast se ka përgjegjës, të përgjigjen deri në fund për atë që kanë bërë me qëllime të caktuara. LSI është e gatshme të kontribuojë me të gjithë forcën e saj politike dhe parlamentare në këtë proces transparence të thellë dhe të plotë, por jemi të bindur që dhe shoqëria shqiptare është më e interesuar se kushdo tjetër që të dijë që Parlamenti dhe deputetët ecin në rrugën që Shqipëria do, për të pastruar Shqipërinë nga korrupsioni krimi dhe trafiqet e drogës apo kriminalizimi i jetës shqiptare ka qenë i tillë saqë ka arritur të kriminalizojë, të kapë dhe të bëjë pjesë të integralit të trafikut dhe të krimit të organizuar edhe reformën në drejtësi. 

Ky i fundit do të ishte një lajm shumë i rëndë dhe hedhja dritë mbi çdo shenjë, dyshim dhe simptomë ka lidhje të drejtpërdrejt me integritetin e kësaj reforme e cila tashmë dhe për disa zhvillime të caktuara që kanë ndodhur ka filluar të errësohet në mënyrë të rëndësishme por me këto veprime është një tentativë, një mundësi, për të shpëtuar sot sadopak, diçka nga integriteti i reformës në drejtësi. 

Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI

Ora 12:48
Paloka sulmon Hysin: Xhafajn sot e mbrojte ti! Ja si të përdor Rama

Nënkryetari  i Partisë Demokratike Edi Paloka përmes një statusi në Facebook i ka kthyer përgjigje reagimit të deputetes socialiste Vasilika Hysi. Paloka e ka akuzuar Hysin se bën rolin e naives dhe është mjet që përdoret  në dorën e kryeministrit Rama kur çështja është diskredituese. Paloka shkruan se ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj në lidhje me ndryshimin e nenit të ekstradimit, sot e ka mbrojtur Vasilika Hysi.

Postimi i plotë i Palokës:

"Dy “avokate” perdor Rama , per aferat e pashpresa qe qelbin dynjane; ta pafytyrin ne krye te grupit dhe “naiven” nenkryetare Parlamenti.

Atehere kur e kupton se ceshtja eshte vertete e nxehte dhe e ndyre , aq flagrante sa cdo “mbrojtje” thjesht te diskretiton, perdor pafytyresine e Balles qe nuk ka asnje problem, madje perdoret me kenaqesi ( fundja karriera e tij aty eshte bazuar).

Kur ceshtja eshte edhe me diskretituese, sa as Balla nuk e merr persiper, perdor “naivitetin” e Vasilikes.

Sot Xhafajn e ka mbrojtur Vasilika..."

Ora 12:12
Ndryshimi i nenit për ekstradimet, Ngjela: Akt patriotik, s'e dija Xhafën kaq kurajoz

Avokati Spartak Ngjela e quan akt patriotik ndryshimin e ligjit për ekstradimet, duke iu përgjigjur kështu sulmeve të opozitës në adresë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Përmes një postimi në 'Facebook', Ngjela thekson se shqiptarët trajtohen me racizëm të hapur në disa vende të perëndimit. Sipas tij, ka mijëra shqiptarë të pafajshëm të cilët vuajnë dënime të rënda në burgjet greke, italiane dhe ato belge.  

Postimi i Ngjelës: 

Turp për të djathtën shqiptare që dhe një nen patriotik që kemi bërë, e quajnë shkelje.

Nuk më duhet fare kush është Fatmir Xhafaj, por nëse është tërësisht me politikën amerikane, kjo sot është vlerë historike.
Kurse neni i procedurës për ekstradimin që u përfol, është një dinjitet kombëtar, kur shqiptarët në disa vende perëndimore i trajtojnë me racizëm të hapur. 

Nuk e di nëse e ka bërë Xhafaj këtë nen, se pavarësisht nga njohja që kam më të, nuk e kam menduar kurrë se mund të jetë kaq kurajoz sa të godasë racizmin antishqiptar të grekëve etj.
Po e ka bërë ai, bravo i qoftë.

Janë mijëra shqiptarë të pafajshëm që vuajnë dënime drastike në Itali, në Greqi dhe në Belgjikë… dhe shteti shqiptar është treguar një maskara politik se ka pasur frikë ngaqë ministrat shqiptarë kanë qenë të korruptuar. Unë personalisht kam bërë shumë gjyqe në Perëndim dhe e njoh mirë këtë situatë anti shqiptare. Dispozita që pashë, është ngritje e dinjitetit të shqiptarit. Kushdo që e ka bërë atë, dhe cilido qoftë motivi i tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy