Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli anëtarët e grupeve kriminale që u goditën një ditë më parë nga SPAK, mes tyre anëtarë të fisit Rraja dhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja. Këto grupe kriminale dyshohet se në 5 vitet e fundit kanë trafikuar drejt Bashkimit Europian rreth 2.4 ton marijuanë e kokainë.

Dje u arrestuan dhe sot u lanë në burg nga GJKKO Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit socialist, ndërsa dy të tjerët kushërinj të tij. Nga 14 masa sigurie të lëshuara në total nga SPAK, dje u ekzekutuan 10. Shtatë persona u arrestuan, ndërsa Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ndodhen në qeli, ku dhe iu është komunikuar masa e sigurisë. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët dyshohet se janë jashtë vendit.

Gjatë kontrolleve 12 banesa dhe ambiente të tjera, mes tyre edhe të fisit Rraja, u sekeustruan 430 mijë euro, 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi. Komkretisht u sekuestruan 415 000 euro, 7 000 paund dhe 1 000 000 lekë. Gjithashtu, u bllokuan 2 armë gjahu që mbaheshin me leje.

Financues dhe organizator kryesor, dyshohet të jetë Islam Sefa, aktualisht në burg si kreu i një rrjeti që në më pak se 2 vite ka trafikuar marijuanë në Gjermani dhe disa vende të BE-së në vlerën 3.3 milionë euro. Grupet vepronin që nga viti 2020. Bëhet fjalë për disa episode trafikimi, në disa shtete të ndryshme. Hetimet, të drejtuara nga prokurori Adnan Xholi, nisën pas bisedave të zbuluara në SkyECC