Nën akuzën se ka spiunuar për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), analisti Fatmir Sheholli është marrë sot i pandehur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit. Sipas aktakuzës, ai mblidhte informacione për institucionet e Kosovës dhe ua përcillte zyrtarëve të shërbimit sekret serb. Dosja është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Sheholli vijon të mbahet në paraburgim.
Çfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Dosja prej 80 faqesh e Prokurorisë, e publikuar nga mediat në Kosovë, pretendon se Sheholli vepronte nën urdhrat e Bojan Dimiqit, i identifikuar si zyrtar i lartë i BIA-s. Sipas aktakuzës, më 26 shtator 2025 ai udhëtoi drejt Mitrovicës së Veriut, ku mori nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte bisedash të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si edhe 5 mijë euro si shpërblim për kryerjen e detyrës.
'Shtini n'gji' i tha ai gruas së tij me të marrë paratë.
Prokuroria pretendon se këto materiale ishin të destinuara për komprometimin e zyrtarëve të kësaj ministrie dhe për të ndikuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktakuzës, Sheholli më pas ia dorëzoi materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro, duke i dhënë edhe udhëzime për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin "Pa Rrotlla", vetëm pak ditë para votimit.
Por e dhëna kryesore për aktivitetin e analistit erdhi nga celulari i tij. Në të Prokuroria Speciale e Kosovës gjeti edhe një dokument të shënuar ‘Top Secret2’ ku shpalosej një plan për përhapjen e radikalizimit fetar në Kosovë dhe rajon. Synimi i këtij skenari, sipas Prokurorisë, ishte ndërtimi i një narrative negative për Kosovën, nxitja e migrimit dhe ndikimi në qëndrimet e shteteve perëndimore ndaj saj.
Një zhvillim i tillë, sipas Prokurorisë do të shërbente për të krijuar kushtet e ndryshimit të qëndrimit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe rikthimit të saj nën juridiksionin e Serbisë.
"Duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi" shkruhet në dokumentin 'Top Secret' të cilit i referohen mediat në Kosovë.
Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh. Sipas aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ai ka shantazhuar biznesmenin nga Podujeva, Arben Jetullahu, pronar i kompanisë "ABC", duke i kërkuar mbi 13 mijë euro në emër të një huaje. Prokuroria pretendon se ai e kishte kërcënuar se, nëse nuk i jepte paratë, do të publikonte në media video dhe informacione që do t'i dëmtonin reputacionin dhe autoritetin.
Sheholli u arrestua në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh. Në atë kohë, Prokuroria Speciale nuk dha detaje për objektin e hetimit, por ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, la të kuptohej se dyshimet lidhen me Serbinë, duke deklaruar se Sheholli kishte bashkëpunuar me persona që, sipas tij, punojnë për të minuar Republikën e Kosovës.
Rasti i tij është një nga disa hetimet e autoriteteve kosovare për dyshime për spiunazh në favor të Serbisë. Më herët, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vite burg për spiunazh, ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen gjithashtu për akuza të ngjashme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
.jpg)
Albin Kurti kaloi 2 vjet e 7 muaj në burgjet e Serbisë si i burgosur politik, ku, sipas vetë dëshmisë së tij, u torturua vazhdimisht, humbi rreth 30 kilogramë dhe as nuk e imagjinonte se do të dilte i gjallë prej andej.
“Më 10 qershor 1999, kur Serbia po tërhiqte policinë e forcat ushtarake, në konvoj vendosën autobusë të kuq me të burgosur politikë shqiptarë në mes të tyre, që NATO-ja të mos bombardonte. Na përdorën si mburojë. U transferova në burg në Pozharec nga Lipjani, e Pozhareci ishte vendlindja e Millosheviçit. Kalova total 2 vjet e 7 muaj në burg. Një vit e 5 muaj gjatë Millosheviqit, 1 vjet e dy muaj në periudhën e Koshtunicës”, tregonte Kurti në një intervistë në vitin 2024.
Pikërisht në atë periudhë të rinisë së tij, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Shehollit, shërbimi sekret serb dyshohet se kishte vënë në zbatim një plan për ta komprometuar dhe rekrutuar.
Në dosjen e Prokurorisë përmendet një dokument i hartuar më 6 mars 2001 nga strukturat e atëhershme të Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB), paraardhëse e BIA-s. Sipas aktakuzës, dokumenti përshkruan një plan operativ që synonte komprometimin e Kurtit gjatë kohës që ai mbahej në burgun e Quprijes.
Në dokument përmendet një burim operativ me nofkën "Leptir", i cili, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte krijuar kontakte me Kurtin në burg dhe siguronte informacione për shërbimin sekret serb. Sipas dosjes, qëllimi ishte mbledhja e materialeve komprometuese që mund të përdoreshin për të ushtruar presion ndaj tij dhe për ta rekrutuar si bashkëpunëtor.
Kurti ishte arrestuar nga autoritetet serbe më 27 prill 1999 në Prishtinë. Fillimisht u mbajt në burgun e Prishtinës, më pas në Lipjan, Pozharevc, Nish dhe Qupri. Më 13 mars 2000 u dënua me 15 vjet burg nën akuzën për "cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë", por u lirua më 7 dhjetor 2001, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e të burgosurve politikë shqiptarë.
Në një intervistë për podcastin "Rest is Politics" në vitin 2024, Kurti ka rrëfyer se gjatë qëndrimit në burgjet serbe humbi gati 30 kilogramë dhe nuk besonte se do të dilte gjallë.
"Ishte si kamp përqendrimi. Humba gati 30 kilogramë në vitin 1999. Kishte tortura sistematike. Rrahje, që nganjëherë ndodhnin edhe disa herë në ditë. Rrahje me shkopinj, shumë gardianë njëkohësisht. U torturova nga uniforma. E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë", ka deklaruar ai.
Prokuroria pretendon se ky dokument ku përmendet "Leptiri" , së bashku me komunikimet e gjetura në telefonin e Shehollit, dëshmon lidhjet e tij të dyshuara me shërbimin sekret serb dhe rolin që ai dyshohet se kishte në shpërndarjen e materialeve të ardhura nga këto struktura.

Një dokument që, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, përshkruan një plan të shërbimit sekret serb për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit është një nga provat më të forta të përfshira në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh.
Dokumenti, i emërtuar "Leptiri", është gjetur në telefonin e Shehollit krahas shumë dokumentave të tjera 'top secret'. Sipas aktakuzës, ai ishte hartuar nga strukturat e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (RDB) në vitin 2001 dhe përshkruante një plan operativ që synonte komprometimin dhe rekrutimin e Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.
Në dosje thuhet se dokumenti përmend edhe një burim operativ me nofkën "Leptiri", i cili do të përdorej për sigurimin e materialeve komprometuese me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Kurtit për ta detyruar të bashkëpunonte me RDB-në.
Sipas Prokurorisë, analiza e komunikimeve të nxjerra nga telefoni i Shehollit tregon se ai ua kishte përcjellë dokumentin personave të ndryshëm dhe kishte kërkuar që ai të përkthehej nga gjuha serbe në shqip.
Aktakuza pretendon se këto komunikime dhe materiale janë pjesë e provave që synojnë të dëshmojnë lidhjet e Shehollit me persona dhe struktura të lidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si edhe rolin e tij në shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura.
Gjatë marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, Sheholli ka deklaruar se dokumentin "Leptiri" ia kishte dërguar në telefon Bojan Dimiq. Ai ka thënë gjithashtu se dokumentin ia kishte përcjellë Milazim Gashit, të cilin e ka përshkruar si mik të tij në SHISH-in e Shqipërisë, si dhe Blerim Canajt dhe një personi tjetër të quajtur Bashkim Pushkolli.
Ndërkohë mediat në Kosovë, raportojnë se në dokument Albin Kurti përshkruhet si një person "mjaft i tërhequr dhe skajshmërisht i mbyllur", duke ngritur edhe pretendime për orientimin e tij seksual. Dokumenti thotë se këto të dhëna janë siguruar përmes personave përgjegjës në Burgun e Quprijes dhe burimeve operative me nofkat "Leptir", "Robi" dhe "Metar".
Po sipas mediave, burimi operativ "Leptir" pretendon se kishte krijuar marrëdhënie të afërta me Kurtin dhe se përmes këtyre kontakteve mund të siguroheshin materiale komprometuese, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj tij për bashkëpunim me shërbimin sekret serb.
Dokumenti përmban gjithashtu pretendime se Kurti i konsideronte si serbët ashtu edhe shqiptarët "patriarkalë dhe të prapambetur", se fliste për rrezikimin e të drejtave të njeriut dhe të homoseksualëve, si edhe se shprehte qëndrime kritike ndaj drejtuesve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.
Në një pjesë tjetër të dokumentit mediat pretendojnë se shkruhet që Kurti nuk e shihte të ardhmen e tij në Kosovë pas daljes nga burgu dhe planifikonte të udhëtonte drejt Norvegjisë për të siguruar leje qëndrimi të përhershme.
Zbatimi i një prej aspekteve të planit të dyshuar të BIA-s serbe dyshohet nisi më 30 shtator 2025 me publikimin e një paralajmërimi në profilin "Pa Rrotlla" të gazetarit Milaim Zeka për audio-incizime dhe transkripte bisedash të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, materialet ishin siguruar nga Fatmir Sheholli në koordinim me zyrtarin e BIA-s serbe, Bojan Dimiq.
Në dosje, Prokuroria pretendon se materialet ishin të destinuara për komprometimin e ministrit Nenad Rashiq dhe zyrtarëve të ministrisë së tij, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas aktakuzës të cilën e kanë zbardhur mediat në Kosovë, Sheholli ia dorëzoi këto materiale gazetarit Milaim Zeka për publikim, ndërsa ky i fundit dyshohet se mori 1 mijë euro. Dosja pretendon se, pas dorëzimit të materialeve, Bojan Dimiq kontaktoi Shehollin për t'u interesuar nëse ato ishin publikuar, ndërsa më 1 tetor 2025 Sheholli i përcolli Zekës kërkesën e zyrtarit të BIA-s që publikimi të bëhej më herët.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe biseda të transkriptuara mes Shehollit dhe Zekës. Sipas Prokurorisë, Sheholli i shkruan: "Më tha ai shoku (Dimiq) veç thuj ma herët qite mos i vono si prom."
Po sipas dosjes, Milaim Zeka i përgjigjet: "Hajt bre thuj atij mos mu përzi, thuj ka thonë Mili mos mu përzi se nuk i qes hiq, qetash gjysë orë në Klan Kosova ja kushtoj qetyne seneve."
Gjatë marrjes në pyetje, Prokuroria e pyeti Shehollin nëse Milaim Zeka kishte dijeni se materialet ishin siguruar nga Bojan Dimiq. Sipas procesverbalit të cituar në aktakuzë, Sheholli deklaroi se Zekës i kishte thënë se ato vinin nga "një ish-punëtor i Gizit", por se gazetari nuk kishte dijeni për komunikimet e tij me Dimiqin. Në të njëjtën deklaratë, Sheholli pretendon se Zeka i kishte kërkuar "3-4 mijë euro për përkthim, editim dhe publikim" të materialeve.
Dosja përshkruan edhe bisedat e zhvilluara nga Sheholli me familjarët pas arrestimit të tij. Sipas Prokurorisë, në këto komunikime ai pranon se në Mitrovicën e Veriut kishte marrë një USB, transkripte dhe 5 mijë euro, materiale që më pas, sipas deklarimit të tij, ia dorëzoi Milaim Zekës së bashku me 1 mijë euro për publikimin e tyre.
Pas publikimit të aktakuzës, gazetari Milaim Zeka reagoi në emisionin "FIVE" në TV Dukagjini, ku dha versionin e tij për materialet dhe shumën prej 1 mijë eurosh që përmendet në dosjen e Prokurorisë.
Duke folur për materialet në gjuhën serbe, ai tha se i ishin prezantuar si materiale nga GIZ-i gjerman.
"Unë e kam marrë nga dikush brenda GIZ-it… Mos harro që në këto shoqata humanitare, të ashtuquajtura humanitare, ka agjentë të lartë të shërbimeve nga vijnë".
Për shumën prej 1 mijë eurosh, Zeka dha një version tjetër nga ai që përshkruhet në aktakuzë.
"Gjatë bisedës me Fatmirin, i kam thënë nuk e njoh gjuhën serbe dhe duhet me i marrë dhe t’i përkthejmë. Tash, po të them për herë të parë, që ato 1 mijë euro kanë qenë për përkthime, që ky vet e deklaron. Që ditën e parë kur më ka marrë në pyetje policia, që i kam marrë 1 mijë euro, të cilat ia kam kthyer Shehollit para arrestimit. Pasi përkthyesi nuk ka pranuar pagesë. Ia kam dhënë paratë një personi të afërt të Fatmirit", deklaroi gazetari.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Një dokument i klasifikuar si “Top Secret 2”, ku përshkruhet një plan për zgjerimin e ndikimit islamik në Kosovë dhe rajon dhe ku thuhet se “pas 20 vitesh Kosova do të duket si Kandahar”, është pjesë e provave që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfshirë në aktakuzën për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit.
Sipas aktakuzës, të siguruar nga mediat kosovare, dokumenti është dërguar më 5 gusht 2025 nga Sheholli te një person me emrin Viktor Makedonija dhe, sipas Prokurorisë, lidhet me aktivitetet dhe kontaktet e analistit me strukturat e shërbimit informativ serb, BIA.
Në dokument përshkruhet një plan për ndërtimin e xhamive në vende të dukshme pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, trefishimin e numrit të xhamive në fshatrat e mëdha, si dhe shtrirjen e medreseve në të gjithë vendin. Sipas dokumentit, xhamitë do të ndërtoheshin me fonde të mbledhura “nga ambasadat islamike në Beograd”.
Në dokument thuhet:
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”.
Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptar kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë per ne dhe të aktivizohen në Islam.
Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami.
Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike. Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën. Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar.
Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do t’i ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.
“Nga analizimi i dokumentit të gjetur në telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli rezulton se bëhet fjalë për një plan veprimi që synon destabilizimin e Republikës së Kosovës, krijimin e perceptimit të saj si shtet i radikalizuar dhe ekstremist dhe dëmtimin e pozitës së saj ndërkombëtare. Dokumenti parasheh shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te figura dhe prijës fetarë, me qëllim të krijimit të një narrative negative për Kosovën, nxitjes së migrimit dhe ndikimit në qëndrimet e vendeve perëndimore ndaj saj”
Prokuroria Speciale vlerëson se përmbajtja e këtij dokumenti, e parë së bashku me provat e tjera të administruara në dosje, është e rëndësishme për të dëshmuar natyrën e kontakteve dhe veprimtarisë që, sipas saj, Fatmir Sheholli ka pasur me strukturat e shërbimit informativ serb BIA.
-
Melaimi ka qene spiun se e ka thene vete ne emision. Ka qene komunist me rinine.
Përgjigju -
Turp te kete qenrit qe punojne munder kombit.
Përgjigju









Komente
Komento