Maatje Benassi, rezerviste në ushtrinë amerikane dhe nënë e dy fëmijëve, është shënjestruar nga teoritë konspirative, që e cilësojnë atë si personin që ka sjellë koronavirusin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo teori në YouTube çdo ditë dhe është “përqafuar” edhe nga mediat e Partisë Komuniste kineze. Edhe pse nuk ka dalë kurrë pozitive në testin për Covid, madje nuk ka pasur asnjë simptomë, Benassi dhe bashkëshorti i saj janë objekt diskutimi në rrjetet sociale kineze.
Teoritë konspirative nisën të përqendroheshin te Maatje Benassi në muajin mars. Baza e tyre ishte pjesëmarrja e saj në Olimpiadën e Ushtrive, që u organizua në Wuhan, qytetin kinez që u bë epiqendër e koronavirusit. Maatje konkurroi në konkursin e çiklizmit atje, duke u përfshirë në një aksident që i la një brinjë të thyer. Kjo gjë ishte pikënisja e teorisë konspirative.
Gjigantët e teknologjisë kanë ndërmarrë hapa për të luftuar dezinformimin në lidhje me koronavirusin, por asnjë nga këto hapa nuk ka ndihmuar familjen Benassi.
Matt është munduar që të fshijë videot nga YouTube dhe të parandalojë përhapjen e tyre, por avokati dhe policia i kanë thënë që nuk ka mënyrë për t’i fshirë.
Një nga të parët që e ushqeu teorinë ishte George Webb, një 59-vjeçar amerikan që transmeton direkt në YouTube, aty ku ka mbi 100 000 ndjekës dhe 27 milionë shikime.
CNN u lidh me telefon me George Webb, i cili nuk dha prova të lidhjes së Benny Benassi me çiftin, por tha se e konsideron veten një “gazetar investigues” dhe jo një konspiracionist.
Matt Benassi deklaroi se është munduar ta zgjidhë këtë çështje, por është shumë e vështirë: “Jetojmë në një vend me lirinë e fjalës dhe autoritetet nuk mund t’ia mbyllin gojën Webb-it. Më thanë të gjenim avokat. E gjetëm, por e kuptuam që për njerëzit e thjeshtë është shumë e vështirë që të nxjerrësh të vërtetën në dritë. U ankuam te YouTube, por edhe kur kompania pranon të fshijë një video, ajo video do disa ditë që të zhduket. Gjatë kësaj kohe, videoja bëhet virale dhe dëmi u bë. Më e keqja është se ato video postohen sërish në YouTube”.
Eksperienca e familjes Benassi, fatkeqësisht, nuk është rast i veçuar. Sipas Danielle Citron, profesor në Universitetin e Bostonit, autoritetet kanë shumë pak në dorë në raste të tilla. Ndërsa, përsa i përket YouTube, Citron mendon se ligji duhet të ndryshojë.
Maatje Benassi thotë se dëmi është bërë tashmë: Sa herë që do të shkruash në Google emrin tim, unë do të dal si pacienti zero në SHBA