Një dron me lëndë shpërthyese është gjetur pranë një avioni transporti ukrainas në aeroportin e Lajpcigut, në Gjermani, duke ngritur alarmin e sigurisë në një nga aeroportet më të rëndësishme për fluturimet drejt Ukrainës.
Sipas Bild, droni u pikas rreth orës 23:40 pranë një avioni tip Antonov. Hetimet paraprake treguan se në të ishte montuar një pajisje shpërthyese me detonator. Testet rezultuan pozitive për nitrat, ndërsa shpërthimi nuk ndodhi pasi detonatori ishte me defekt. Njësitë xheniere përdorën një robot të telekomanduar për të çaktivizuar pajisjen, ndërsa autoritetet vendosën të mos e shpërthenin dronin, me qëllim ruajtjen e provave për hetimin.
Për shkak të incidentit, aeroporti i Lajpcigut u mbyll për trafikun ajror deri në orën 01:55. Një fluturim që vinte nga Majorka u detyrua të devijohej dhe u ul vetëm disa orë më vonë, pasi aeroporti rifilloi aktivitetin.
Pak orë më vonë u raportua edhe një incident i dytë. Një avion mallrash i kompanisë DHL, gjatë fluturimit mbi Lajpcig, u përplas me një objekt të paidentifikuar në një lartësi rreth 400 metra. Avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt në Hanover, por inspektimet zbuluan dëmtime në pjesën e përparme të tij.
Autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar ende se objekti ishte një dron, megjithatë kjo mbetet pista kryesore e hetimit. Sipas Bild, sistemi kundër dronëve i aeroportit kishte identifikuar dy mjete fluturuese pa pilot në zonë. Deri tani nuk dihet nëse ato lidhen me dronin e gjetur pranë avionit ukrainas apo me përplasjen e avionit të DHL-së.
Edhe NATO reagoi për ngjarjen, duke konfirmuar se është në dijeni të incidentit dhe se hetimet po vazhdojnë nga autoritetet gjermane. Deri tani nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar mbi autorët apo motivet e mundshme të ngjarjes.











Komente
Komento