Armando Broja nuk do mundet të jetë në fushën e lojës për të paktën disa javë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar Scott Parker, trajneri i Burnleyt në Premier Leaguen angleze të futbollit.

Sulmuesi i Kombëtares vuan një 'lëndim të lehtë', por të mjaftueshëm për ta mbajtur jashtë fushe. Prej dy javësh Broja nuk ka qenë pjesë e grumbullimeve të Burnleyt, ndërsa Parker ka zbuluar gjendjen e tij para ndeshjes kundër Chelseat të shtunën në Londër.

"Ai nuk do të jetë i pranishëm në fundjavë. Me thënë të drejtën, ai ka zbuluar një problem të vogël që ka vazhduar prej disa javësh dhe na është dashur të ndërhyjmë pak. Ai nuk duhet të vonojë shumë, shpresojmë pas disa javësh, por sigurisht këtë fundjavë ai nuk do të jetë i disponueshëm për të luajtur në atë ndeshje", tha Scott Parker për gjendjen e Brojës.

Pikërisht kur u duk se po merrte minuta në ekipin me të cilin u bashkua verën e shkuar, Broja ka ndjerë sërish një shqetësim që po e mban jashtë fushe. Ky lëndim i fundit është i disati për Brojën që për shumë muaj qëndroi jashtë fushe pas një operacioni në gju.

Alarmi nuk është vetëm për klubin e Burnleyt, por edhe për kombëtaren shqiptare dhe trajnerin Sylvinho, pasi kuqezinjtë do luajnë kundër Polonisë më 26 mars në Varshavë për fazën play-off të Kupës së Botës 2026. Në rastin më optimist Broja mund t’i bashkohet skuadrës angleze në mesin e marsit, ndërsa kuqezinjtë duhet të shohin zgjidhje të tjera në sulm për fazën play-off, pasi nuk mund të dihet gjendja sportive e Brojës.