Alban Daci: “Kombi i Kosovës” mes realitetit dhe iluzionit optik

Alban Daci: “Kombi i Kosovës” mes realitetit dhe iluzionit optik

Ukshin Hoti mbetet një ndër figurat më të ndritura të Shkencave Politike e të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Një ndër veprat më të larta profesionale dhe gjithmonë aktuale sigurisht mbetet “Filozofia e Politikës e Cështjes Shqiptare”.

Sa herë që shfletoj këtë libër kupton diapazonin e lartë që kishte Hoti, sepse libri është i mbushur me referenca të larta shkencore duke cituar sociologët, filozofët më të mëdhenj të kohës. 

Ky libër është një testament për të gjithë ata të paudhë që sot që në Kosovë me stilin e “Tabula Raza”, duan të krijojnë një histori të re që nis me shpalljen e Pavarësisë e deri në ditët e sotme duke tentuar të fshihet e gjithë historia e gjatë e Kosovës në rrugën e saj mes mbijetesës dhe krijimit të Republikës apo të demokratizimit të saj. 
Hoti, është shumë largpamës e madje edhe më shumë sesa vetë procesi i zgjerimit të Komunitetit Europian që nuk quhej akoma Bashkimi Europian, sepse shpesh ai e trajton çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë si një mundësi për bashkim brenda proceseve integruese të Kontinentit. 

Ajo që vihet re është fakti se fillim e mbarim Hoti nuk e përmend “Kombin Kosovar”, ai referohet Kosovës vetëm me formën e Qeverisjes duke e cilësuar “Republika e Kosovës” dhe kur bën referime të natyrës kombëtar ai ju referohet “shqiptarëve”. A thua këta që janë sot ishin më të ditur se Hoti i specializuar në Harvardit? A thua këta që janë sot e kanë ndjerë më shumë sesa  Hoti “Çështjen e Kosovës” dhe “Çështjen Kombëtare” , cili jo vetëm i dedikojë gjithë jetën, por edhe u flijuar për të? Në faqe 271-272 në librin e tij ja çfarë shkruan Hoti: “Populli shqiptar” duhet bashkuar. Këtë e dinë të gjithë dhe askush më nuk e konteston.

Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: ka një gjihë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është populli i vjetër euopian i Ballkanit, i cili që herët ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në rajon; për shkak se ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkisë europiane të popujve.

Nuk i duhet që të dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe prania e regjilogjinit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe mbetur popull europian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit europian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka reklamuar dhe e cila me asnjë populli në Europë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet… e drejta e popullit shqiptar për tu bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët”. 

Argumentet e Hotit për përcaktimin e Kombit të shqiptarë vazhdojnë më tutje dhe ai vendos si kriter kryesor identifikues gjuhën dhe jo besimin fetar. Në asnjë rresht apo paragraf të librit të tij as nuk flet e as nuk aludon për ekzistencën e një “Kombi Kosovar”. Kohët e fundit edhe pse disa “akademik”, kryesisht nga Kosova kanë filluar të lakojnë nocionin “Komb Kosovar”, sigurisht pjesë e këtij lakimi janë bërë edhe disa opinion publike, që në fakt nuk ka asnjë bazë as shkencore, as historike e as më pak juridike.

Mendoj, se ky lloj lakimi, jo vetëm se nuk është i drejtë, por në thelb dëmton vetëm statusin e Pavarësisë si dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë. 
Historia e shqiptarëve të Kosovës nuk ka nisur me shpalljen e Pavarësisë, por e kjo e fundit është një përpjeke shekullore e shqiptarëve për vetëvendosje që në fakt nuk është mbyllja e një procesi, por baza dhe rruga e drejtë drejt të ardhmes.

Shqiptarët, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por kudo në Rajon, nuk kanë mbyllur procesin e tyre të natyrshëm për bashkim, që nuk duhet të jetë rezultat i luftërave apo konflikteve në Ballkan, nuk duhet të perceptohet as si një proces kundër serbëve, por si një proces plotësues i rrugëtimit të anëtarësimit dhe të integrimit të popujve të Ballkanit Perëndimor në familjen e BE. 

Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të trajtohen si çështje të ndara në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në BE, por ndoshta mund të konsiderohen si procese të ndara shtet-formuese përsa i përket organizimit të brendshëm demokratik e politik. 

Sovraniteti i Kosovës nuk duhet të jetë një arsye për ndarje nga çështja e Kombit, por si formë plotësuese përsa u përket aspiratave të përbashkëta dhe detyrimit për të ruajtur argumentet bazë siç janë gjuha, kultura dhe historia, që edhe pse në pamje të parë mund të duket si i ndarë, në fakt ajo ka qenë gjithmonë plotësuese. Ekzistenca e Shtetit të Kosovës nuk e dëmton çështjen kombëtare, por e forcon akoma më shumë atë si në planin e brendshëm, por edhe në atë Rajonal dhe europian.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta