Albanologët e huaj në kërkim të rrënjëve iliro-shqiptare

Ashtu si para 50-vjetësh në Kuvendin e vitit 1972, albanologët e huaj erdhën në këtë fundnëntori në Tiranë nga të katër anët e globit: nga Amerika dhe Rusia; nga Britania e Madhe, Polonia e

Kuvendi Ndërkombëtar i Albanologjisë, i mbajtur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës ishte ngjarja më e rëndësishme që shënoi ky institucion në procesin reformues. 
Me vepra, studime e kërkime të thella, albanologët dëshmuan dedikimin e tyre ndaj gjuhës, historisë, identitetit dhe qytetërimit shqiptar.
Albanologu francez Pierre Cabanes rikthehet pas 50 vjetësh në podiumin e një kuvendi të madh në Shqipëri, me një tezë që qëndron  denjësisht krahas tezave të një gjenerate të shquar arkeologësh shqiptarë e të huaj.
 Zanafillën e qyteteve ilire ai e shtrin përtej qytetërimeve paralele helene dhe romake, me një evolucion që zë fill deri në shekullin e katërt para Krishtit.  Ai përforcon tezën e ekzistencës së një shteti të vetëm ilir të formuar nga komunitetet etnike  dhe argumentoi sesi ka evoluar ky shtet në Ilirinë jugore.

“Duke filluar me morinë e komuniteteve etnike në Ilirinë Jugore në shekullin e pestë para Krishtit, dikush me të drejtë vë në pikëpyetje, ose jo, formimin e një shteti të vetëm ilir, krahas mbretërive të vogla të shumta dhe shteteve lokale. 
Në këtë shekull Iliria Jugore ia doli të mblidhte ushtri të shkëlqyera, duke shkaktuar disfata për maqedonasit, si dhe për molosët. 
Ekzistenca e këtyre ushtrive sugjeron se komunitete të ndryshme ua besuan kontingjentet e ushtarëve një prijësi, shpesh i zgjedhur nga mbretërit e fiseve të ndryshme (desaretët, taulantët, ardianët, etj.). 
Kështu lidhjet ndërmjet komuniteteve lokale mbetën të forta, ku komunitetet etnike ruajtën marrëdhënie të ngushta në sferën e jetës ekonomike, si dhe për mbrojtjen e tyre kolektive nga shtetet fqinje. Me sa duket, ilirët e jugut konceptuan një modelin e një shteti origjinal, i cili nuk ishte as i bashkuar si mbretëria e Maqedonisë, dhe as një shtet federal si Epiri fqinj.”, u shpreh albanologu Pierre Cabanes.


Procesi i formimit të qyteteve antike në Ilirinë e Jugut dhe në Epir është një temë që ka vazhduar të ndiqet përmes gërmimeve arkeologjike, të cilat ndiqen hap pas hapi nga profesor Cabanes. Ai dha mesazhin e tij gjatë vizitës në sitin arkeologjik të Apolonisë. 

Për herë të parë kam ardhur në Apoloni në 1971. Ishte vizita ime e parë në Shqipëri i shoqëruar nga Aleks Buda dhe Skënder Alamani. Kisha lexuar shumë për aktivitetin e Leo Rojit  në këtë vend  të veçantë. Një vend i bekuar me histori, kulturë që na tërhoqi të vinim këtu”, tha arkeologu Cabanes.
Profesori i arkeologjisë veçon se duhet të vijojnë gërmimet që brezat e ardhshëm të zbulojnë pasurinë që fshihet në Apoloni .

“Në 1992 kemi punuar krah për krah me kolegët shqiptarë. Kemi botuar katër vëllime të mbishkrimeve ku ka të dhëna shumë interesante e që nuk gjenden  gjëkundi. E rëndësishme është Apolonia, pa ekzagjerime e them se është një  nga çelësat që zbulon sekretet e lashtësisë të gjithë kësaj zone. Apollonia është një vend shumë i pasur e që akoma nuk është zbuluar sa duhet nga arkeologët dhe këtu ka shumë punë për të bërë për brezat e ardhshëm të arkeologjisë”, u shpreh Pierre Cabanes.

Pierre Cabanes u largua nga Shqipëria i vlerësuar për kontributin e tij  me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” akorduar nga Presidenti i Republikës. 

Rezultatet kërkimore të  Cabanes nuk do të ishin shumë të distancuara nga teza e arkeologut shqiptar Neritan Ceka për rrënjët e qytetërimit ilir. Kërkimet në qytetet ilire përbëjnë një nga drejtimet kryesore të arkeologjisë shqiptare në dhjetëvjeçarët e fundit.

Për Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Kosovës Mehmet Krajën, shkenca e albanologjisë është një urë lidhëse e trashëgimisë mbarëkombëtare.  
Profesoresha e shquar veneciane Lucia Nadin prej gati tri dekadash është në kërkim në kërkim të historisë mesjetare të arbëreshëve.  
Zbuluesja e Statuteve të Shkodrës hedh përherë dritë mbi dokumente dhe fakte të panjohura . 
Vepra e re "Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut” ka finalizuar një punë të gjatë kërkimore që lidh historinë e Shqipërisë me atë të Venedikut. Në qendër ka figurën e Gjergj Kastriot-Skënderbeut. Vepra fitoi çmimin e dytë “Trinia e Albanologjisë: Meyer-Pedersen-Jokli”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 

“Për sa i përket historisë së vonë mesjetare të Shqipërisë dhe lidhjeve të saj me Republikën e Venedikut, rikthimi i Statuteve të Shkodrës ka krijuar perspektiva të reja në aspektin e Shqipërisë bregdetare, brenda një sistemi Adriatiko-Joniano-Mesdhetar dhe rrjedhimisht edhe europian. 
Studimi i diasporës shqiptare mbi tokat e Serenissima-s, pas vdekjes së Skënderbeut, transferimi i Shkodrës pas dy rrethimesh historike dhe humbja e Durrësit, ka hapur skenarë të gjerë, duke treguar tipare të ndryshme nga diaspora në jug të Italisë. 
Hulumtimi është i hapur në arkiva të dioqezave të ndryshme për të kuptuar kriteret, sigurisht jo rastësore, të shpërndarjes së emigrantëve fetarë, që shpesh porositnin vepra arti.
Dy ikonat e Skënderbeut dhe Shkodrës u bënë pjesë e miteve vetëkremtuese të Venedikut: shfaqja e tyre e pashembullt në dramë, letërsi dhe art ka dëshmuar gjallërinë e tyre gjatë shekujve, gjithmonë të ripërtërirë gjatë zhvillimit të historisë së Republikës dhe përtej. Të gjitha këto theksojnë nevojën për hulumtim të mëtejshëm.”, tha Lucia Nadin.

Ndërsa albanologët europainë iu referohen fakteve dhe arkivave për trashëgiminë iliro-arbërore-shqiptare, tezat e disave  prej studiuesve serbë ngrihen për fat të keq mbi perspektiva të përkatësisë së tyre nacionaliste, dhe do të kishte shumë eklips në këtë çështje, sikur mes tyre të mos spikaste zëri i shkencës. Ai që flet ndryshe është pikërisht studiuesi i shquar serb, Milan Budimir  

Shkenca njeh zhvillime fantastike për të dëshmuar rrënjët tona iliro-arbërore shqiptare. 
Ndaj, një nga risitë e Kuvendit të Studimeve Albanologjike ka qenë prania për herë të parë në historinë e tij e studiuesve të shkencave të natyrës që dhanë kontributin e tyre. 
Akademik Nazim Gruda, akademik Genc Sulçebe, prof. Andrea Pieroni, prof. David Pettener, akademik Ilia Mikerezi, etj, mund ta pasurojnë trashëgiminë e shqiptarëve me vështrime në disiplinat e gjenetikës dhe etnobotanikës. 
Pikërisht akademik Ilia Mikerezi flet sesi mund të zbulohet shkencërisht lidhja gjenetike mes popullatave shqiptare
Studiuesi spanjoll José Manuel Floristán, mund të quhet me plot gojën një nga zbuluesit e historisë së arbëreshëve të Spanjës. Në Kuvendin e Albanologjisë, ai prezantoi historinë e arkivave të jetës politike e shoqërore të arbëreshëve të 1600-ës dhe marrëdhëniet me mbretin e Spanjës, Filipi III. 


“Unë që jam marrë kryesisht më kulturën helenistike, i vura re për herë të parë këto dokumente në arkivën e San Markos
Dhe aty ndesha me të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me shqiptarët e Himarës, të Napolit e të Sicilisë. Kështu fillova që t’i mbledhë lidhur me tematikën që kishin. 
Pastaj u zbuluan të dhëna mbi stratiotët me origjinë shqiptare që kishin marrëdhënie me Mbretërinë e Napolit. 
Unë kam parë në ato arkiva një dokumentacion të madh që i përket Himarës. Dokumentet e mbartin Himarën në plan të përgjithshëm me trevat afër saj, Vunoin e më gjerë dhe që lidhet me jetën, historinë, dhe gjithë njerëzit në rrethinat e saj.  
Himara ishte në vijë bregdetare shumë pranë mbretërisë së Napolit dhe mbretëria e Spanjës e mbështet alternativën shqiptare dhe të Napolit, sepse ishte kundër pushtimit osman. Lidhjet e mbretërisë së Spanjës me arbëreshët kanë qenë që në kohën e Skënderbeut.”, u shpreh studieuesi spanjollë José Manuel Floristán.


Për merita e tij José Manuel Floristán u  pranua  anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Anëtarë nderi të kësaj akademie u pranuan edhe Leonardo Maria Savoia, Brian Joseph dhe albanologu i shquar Sir Noel Malcolm, i cili duke gjurmuar historinë e vërtetë të shqiptarëve ka mësuar edhe gjuhën shqipe.
Periudha e Mesjetës ishte ndër zërat kryesorë të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike krahas antikitetit ilir dhe gjuhës shqipe . Kjo periudhë plotëson më së miri mozaikun e saj me prurje të reja nga Peter Schreiner për atë që ai e quan thesari shqiptar, një dorëshkrim i shekullit të dymbëdhjetë që mban gjurmet e kodikut nr. 93 të Korçës;  Jose Floristan për  shfrytëzimin e një dokumentacioni të panjohur më parë, akademiku shqiptar Pëllumb Xhufi që me profesoreshë Nadinin  plotësojnë mozaikun e historisë së Arbërit në periudhën e ndritur Skënderbeane; Aleksandër Novik që ka zbuluar alfabetin e shqipes në arbëreshët e Ukrainës. Të gjitha zbulimet e kësaj periudhe vijojnë me antikitetin e vonë....
Është zbuluar në arkiva se ishte pikërisht vendimi i në princi arbër në vitin 1208 që kërkoi që të bashkohej populli i tij me papatin. Dhe ky dokument u vendos në logon e Kuvendit Ndërkomëbtar të Albanologjisë që mblodhi në Tiranë tezat shkencore të 180 studiuesve dhe akademikëve nga vendi dhe bota. 

J.GJ./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës