Alberto G. Areddu: Ilirishtja
burim origjinal i gjuhës Sarde

Alberto G. Areddu: Ilirishtja<br />burim origjinal i gjuhës Sarde
TIRANE - Profesor Alberto G. Areddu prej vitesh interesohet në disiplinën e “gjuhësisë Sarde” mbi të cilën ka publikuar: “Studime Etimologjike Logurdeze”, “Shënime dhe Shtesa mbi DES” (1996), “Launeddas dhe studime të tjera greko-italike” (2004). Ka publikuar recensionet e tij në Romance Philology të Berkeley, dhe është recensuar nga H.J. Wolf në “Zeitschrift für Romanische Philologie” (2002). Në studimin e tij të fundit “Origjina Shqiptare e Qytetërimit në Sardenjë” 2007, autori me kërkimet e tij arrin deri tek burimet origjinale te gjuhës Sarde, duke dëshmuar dhe duke nxjerr në pah perspektivën paleoilirike si më bindëse bazuar në elementët e shumtë të toponomastikës dhe të leksemave të pashpjeguara deri më sot.
 
Meqenëse vepra është e vështirë të konceptohet e shkëputur nga krijuesi i saj, më lejoni t’ju pyes diçka mbi personin tuaj. Kush është Profesor Alberto Areddu, ku ka lindur dhe ku është rritur?
-Kam lindur në Gjenova nga prindër sardenjas ku dhe jam diplomuar, e më pas jam transferuar në Sardenjë, ku aktualisht punoj si profesor në një shkollë publike të profilit të mesëm ku dhe jap mësim.
 
Libri juaj “Origjina Shqiptare e Qytetërimit në Sardenjë” është publikuar në 2007 dhe është një libër që trajton argumente shumë interesante në fushën gjuhësore, etnografike dhe historike. Pse morët përsipër një studim të tillë?
- Ajo që më ka interesuar prej kohësh ka qenë gjetja e shpjegimeve në lidhje me origjinën e sardëve, të cilët duke qenë banorë të një ishulli patjetër që duhet të jenë të ardhur nga diku, por deri më sot hipotezat e ndryshme që janë shfaqur, thjesht kanë eliminuar njëra-tjetrën. Unë prej kohësh jam i interesuar nëpërmjet kërkimit etimologjik në këtë fushë, dhe vështirësia qëndronte në gjetjen e materialeve të mjaftueshme për të përforcuar denjësisht dhe në mënyrë shkencore ato që ishin në fillim thjesht parandjenja.
 
Cilat janë pikat e forta që sipas jush argumentojnë teorinë tuaj mbi origjinën ilire të qytetërimit në Sardenjë? Pse studiuesit e tjerë kanë druajtje, për të mos thënë frikë, t’i trajtojnë këto pika takimi historike në antikitet midis popullit Sardenjas dhe atij Ilir?
-Kjo është një pyetje e rëndësishme. Duhet të dihet dhe mund ta themi pa frikë fare, se argumenti i antikuarëve dhe veçanërisht ai i toponomastikës rindërtuese në Sardenjë është i kontraktuar vetëm për pak studiues, të cilët nuk kanë asnjë interes që një jo-akademik të shprehë opinione në kundërshtim me hipotezat ose punimet e tyre. Kështu ndodhi që i vetmi recension (pozitiv në pjesën më të madhe) që ka dalë deri më sot, i përket ballkanologut Emanuele Banfi të Universitetit të Milanos i cili nuk është sardenjas.

Ka edhe një arsye të përgjithshme që e bën më pak interesant studimin tim: prej vitesh ekziston një rrymë e shtëpive botuese sardenjase, që është e interesuar më shumë të manifestojë (sesa të dëshmojë) se Paleosardët ishin Semitë antikë, rastësisht krijues të një qytetërimi të jashtëzakonshëm të lindur gati abiogjenetikisht (Teori që hipotizon krijimin e organizmave të gjalla nga lënda pa jetë) …Gjithashtu edhe baronët universitarë janë të tërhequr nga këto hipoteza dhe shkruajnë libra easy reading (të lehtë për t’u lexuar) për publikun e pashkolluar. Për këtë arsye shumë njerëz në Sardenjë mendojnë se sardët rrjedhin nga Lidët imagjinarë (mbi të cilët nuk dimë praktikisht asgjë), dhe se sardenjasit nuk janë gjë tjetër veçse unaza lidhëse me Etruskët.

Pra, është e thjeshtë të kuptohet, pasi në të vërtet nuk ka asnjë Babilonez ose Lidian të gjallë e në jetë që të mund të replikojë në lidhje me pasaktësitë e këtyre studiuesve.
Kuptohet qartë se ideja është shitja e flakonave të shpresës për njerëz që mendojnë se kanë nevojë, dhe e gjitha kjo bëhet në dëm të kërkimit shkencor. Sardenjasit pa dashur t’i akuzoj për lehtësi, dëshirojnë të kalërojnë (dhe të kalërohen) nga hipoteza të Forta që lartësojnë një farë sensi të vjetër inferioriteti që kanë (i krijuar nga fakti se nuk janë dhe nuk ndihen italianë), prandaj hipoteza iliro-shqiptare nuk është tërheqëse duke qenë se është bijë e një populli të pakicës.
 
Megjithatë kohët e fundit duke lexuar artikujt nëpër revistat sardenjase po preket shkarazi – kuptohet duke mos më përmendur si burim fare – një farë lidhje e botës së hershme sardenjase me atë thrake, e parë në të njëjtën formë ashtu si ajo imagjinarja e zonës Lidiane.

Elementët e fortë që argumentojnë tezën time janë: lokalizimi i disa leksemave në zonat më konservuese të Sardenjës, të cilat nuk janë të shpjegueshme me anë të latinishtes por mund të shpjegohen me anë të shqipes, rumanishtes, me anë të disa elementëve arkaik të balto-sllavishtes ose me ato pak që njohim nga thrakishtja dhe ilirishtja shpesh të ruajtura nga glosa dhe fjalët greke.

Ekzistojnë të dhëna të burimeve historiografike greke që tentojnë të kualifikojnë ardhjen e elementëve ilirik në Sardenjë, (jo si pushtim popujsh), së bashku me njerëz të Beotisë (që flisnin gjuhën Eolite) duke shënuar një moment të rëndësishëm të qytetërimit, të ushtruar nga njerëz me një kulturë më të lartë në krahasim me ishullorët sidomos në bujqësi dhe kultivim.
 
Ky libër është publikimi juaj i tretë i vetëfinancuar. Mendoni se është e natyrshme dhe e “drejtë” që studime të tilla shkencore të hasin kaq shumë vështirësi për tu botuar dhe publikuar nga organet paraprake, dhe nga shtëpitë botuese?
-Për fat të keq më duhet të them se kjo është një praktikë shumë më e përhapur sesa mendohet. Sot, ose ke përkrahjen e një shtëpie botuese të fuqishme që mendon të botojë tremijë kopje, ose në të kundërt duhet ti apelohesh industrisë së librit on demand e cila maskohet nën petkun e industrisë zyrtare. Prandaj dikush edhe mund të punoj mbi një hipotezë e cila mund të jetë komplet e gabuar, duke investuar kohë dhe kapitale e duke vet rrezikuar.
Ajo që është e papranueshme është fakti se botimin nuk ta lejojnë pikërisht ata që ndajnë të njëjtat interesa me ty, kjo ështe e tmerrshme dhe jo njerëzore. Por nuk ka kuptim të ankohesh duke gjykuar pasojat mbi insistimin e kësaj heshtjeje, pasi akademikët janë të auto-rekomanduar dhe korporativ, dhe nëse i ke lejuar vet-vetes ti kritikosh në studimet e tua atëherë për ty ka marrë fund gjithçka.
 
Teoritë tuaja janë shumë revolucionare; keni patur pak ndrojtje se mos idetë tuaja kritikoheshin nga qarqet akademike dhe shkencore?
-Janë më pak revolucionare sesa mund të merret me mend. Ideja e një elementi paleo-ballkanik në brendësi të gjuhës sarde nuk është një ide e re. Studiuesi më i madh i gjuhës sarde, gjermani Max Leopold Wagner e kishte shprehur këtë ide në studimin e tij më 1933 të publikuar në revistën Revue de Linguistique Romane (të cilën kushdo mund ta shkarkoj nga siti web Gallica). Për fat të keq, kjo ide, më pas ra në atë të shkollës italiane të ashtuquajtur “mediterraneiste”, që shihte një prani të konsiderueshme elementësh pre-indoeuropian në zonën e Mesdheut, me më pak elementë indoeuropianë.

Megjithatë unë e përsëris, se do më pëlqente që studimet e mia të kritikoheshin pasi do të thotë se “ekzistojnë. Prandaj, duke marrë parasysh faktin se prej dy vjetësh në Sardenjë nuk është publikuar asnjë recension nëpër gazetat lokale , televizionet, revistat akademike ose parakademike, për të nxjerr në pah punën time kam krijuar një web sit personal dhe shkruaj në ndonjë blog.
Gazetarët (90% e të cilëve nuk njeh as greqishten dhe as latinishten e jo më të njohin shqipen), dëgjojnë me kufje ato që u thuhet nga referuesit universitarë, që shpesh janë të ndërlidhur me shtëpitë botuese, me ato shpërndarëse, dhe me ato dy gazeta që publikohen (të cilat nuk është se shkëlqejnë).
Mund të shtohet ndonjë gjë tjetër më tepër se kaq?
 
Çfarë përfaqëson për ju Sardenja dhe çfarë do të thotë të jesh sardenjas sot nën dritën e kësaj lidhje sardo-ilire (shqiptare)?
 -Do të thotë të ravijëzosh një drejtim të largët, i cili në epokën e Bronxit, i ka sjellë elementë qytetërimi atyre popullsive të cilat kishin ngelur në fazat e prapambetura të Neolitit. Është e mundur që në zonën Nuoreze (hetimet gjenetike janë akoma në fazat fillestare), të zbulohen bërthama të lidhura gjenetikisht me popullsitë e sotme të Ballkanit; është kjo arsyeja për të cilën njërin nga kapitujt e kam titulluar duke parafrazuar Virgjilin: “Mbi kërkimin e babait antik”....

Populli i Shardanëve, që sipas interpretimeve të studiueseve Schachermeyr dhe Bonfante mendohej se ishin njerëz me origjinë ilire, të shtyrë nga nevoja u spostuan drejt deltës së lumit Nil, për tu drejtuar më vonë drejt Palestinës. Janë të shumta të dhënat që na sigurojnë se kjo dyndje ka ndodhur: qyteti i Sarda (Shudah i sotëm), fisi i Sardeates ose i Ardiejve, qyteti Pelastae nga ku kemi emrin etnik Pelaestini ose Pelasgi, etj, etj.
 
Cili është mesazhi juaj për lexuesin shqiptar dhe cili do të jetë argumenti i veprës suaj të ardhshme?
-Njëra nga dëshirat e mia kulturore do të ishte zhvillimi i një rryme edhe jashtë Shqipërisë, që të rivlerësojë antikitetin ilir, ashtu si ka ndodhur për popullsitë e tjera antike indoeuropjane gati të harruara si p.sh. rasti i sagave kelte. Dëshira ime shkencore është që në studimin e ardhshëm të thelloj disa aspekte të rindërtimit historik dhe kulturor të lëna në harresë gjatë studimit “Origjina Shqiptare e qytetërimit në Sardenjë”, pra të sjell jo vetëm fjalë por edhe objekte, tradita, ndërlidhje reciproke dhe simbole.

Më lejoni të ndahem nga ju duke përdorur një fjalë përshëndetëse tipike shqiptare: falem, që sipas të madhit Eqrem Çabej rrjedh nga latinishtja CHALARE e ruajtur edhe sot në gjuhët Sarde dhe Korse në vlerën origjinale “zbres” (falare). Faleminderit të gjithë juve!

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin