Albin Kurti: Nuk jam për bashkim
me Shqipërinë kundër BE-së

Albin Kurti: Nuk jam për bashkim<br />me Shqipërinë kundër BE-së<br>
Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për edicionin e së shtunës të gazetës sllovene DELO. Ai, në këtë intervistë flet për shumë gjëra që kanë ndodhur këto 10 vjet shtetësi të Kosovës.

I pyetur për bashkimin me Shqipërinë Kurti ka thënë; “Ka të bëjë me zgjidhje të drejtë dhe të mirë, që më mjafton të përpiqem për këtë qëllim. Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së. Zgjidhje e mirë është edhe shqiptarët e bashkuar edhe në Evropë të bashkuar”.

“Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë do të duhej të vendosnin njerëzit në referendum në të dy shtetet. Bashkimi do të ishte legjitim nëse për të do të vendoste shumica e shtetasve në të dy anët e kufirit”.

Në burgun e Sllobodan Millosheviçit dhe Vojisllav Kushtinicës ka kaluar dy vite e gjysmë burg, për shkak të aktivizmit të tij politik poashtu ka qenë i burgosur edhe në Kosovën e pavarur. Unmiku dhe regjimi kosovar e kanë burgosur më shumë se 20 herë. Së fundmi ishte i mbyllur vitin e kaluar, ku në shkallën e parë ishte dënuar me 18 muaj burg.

A vendos Qeveria e Kosovës në vendin e vet në mënyrë të pavarur?
Sigurisht vendos për shumë gjëra, si për shembull në shpërndarjen e buxhetit, megjithëse në shumë raste nuk punon mirë. Për bujqësi ndan vetëm 2% të buxhetit. Për arsim ndan para vetëm sa për të paguar arsimtarët, e jo për të përmirësuar kushtet e nxënësve dhe studentëve. Korrupsioni nuk po zvogëlohet, për më shumë ai po rritet. Në gjykata janë rreth gjysmë milioni dosje, janë nëpër sirtarë të cilat i ka mbuluar pluhuri. Në Kosovë nuk ka bankë zhvillimore investive, që do të mbështeste ndërmarrësinë lokale.

Nepotizmi vazhdon. Partitë, që vijnë në pushtet, shohin në atë mundësi që të shpërblejnë klientelen e tyre besnike, në vend se të ishin të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Është e vërtetë se nuk është gjithçka në dorë të Qeverisë. Kosova ende vazhdon të mos e ketë sovranitetin e plotë, armatë dhe kontroll në tërë territorin, në veçanti në veri të Kosovës. Tri problemet më të mëdha të Kosovës janë: Mitrovica, që akoma vazhdon të jetë qytet i ndarë, papunësia e madhe, dhe, korrupsioni. Për zgjidhje e këtyre, Qeveria do të mund të bënte më shumë se që ka bërë.

A nuk është fati i shteteve të vogla, siç është Kosova, që pak a shumë duhet të heqin dorë nga sovraniteti i tyre?
Të heqësh dorë nga sovraniteti është veprim sovran. Së pari, duhet ta kesh që të mund të heqesh dorë. Kosova asnjëherë s’e ka arritur as sovranitetin nominal, që e kanë shtetet si Shqipëria, Mali i Zi apo Sllovenia. E kam të qartë se shteti pas anëtarësimit në BE ose NATO nuk ka më sovranitet të plotë, mirëpo vendosja për hyrje në integrimet ndërkombëtare duhet të jetë veprim i vullnetit të çdo populli apo shtetit të caktuar.

Arritja jonë më e madhe është njohja e pavarësisë, Kosovën deri tash e kanë njohur 115 shtete. Këtu kemi arritur përparim. Sa i përket konsoldimit të brendshëm kemi qenë të pasuksesshëm. BE dhe NATO janë integruar në Kosovë me misionet e paqes, EULEX-in dhe KFOR-in më herët, që na kanë mundësuar kyqjen në lidhjet euroatlantike.

Pse jeni kundër dialogut mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel?
Dialogu i Brukselit, që ka filluar në vitin 2011 dhe që u ndërpre në vitin 2017, ishte gabim i madh politik, që ka sjellur shumë pak përfitime. Në parim nuk jam kundër dialogut, por jam kundër dialogut pa parime. Qëllimi ishte i ashtuquajturi normalizim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e që në Bruksel prezantohen përgjithësisht ndryshe si nga Beogradi apo nga Prishtina. BE ishte asimetrike në dialog, sepse e njeh Serbinë, por jo edhe Kosovën.

Në Kosovë është misioni EULEX, që ka fuqi ekzekutive, në ndërkohë kur në Serbi nuk ka ndonjë gjë të tillë. Kjo nuk mund të sjellte rezultate pozitive. Na nevojitet Kosovë normale, ashtu siç Ballkanit i nevojitet një Serbi normale. Nëse përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet me një Serbi jonormale përfundon vetë jonormal. Serbia është shtet autoritar dhe jodemokratik në krye me njeriun që ka qenë minsitër për informacion në kohën e qeverisjes së Millosheviqit.

Përgjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 10 mijë civilë, të dhunuar kanë qenë rreth 20 mijë vajza dhe gra, ndërkaq të zhdukur rreth 1500 persona, 120 mijë shtëpi të djegura, më shumë se një milion shqiptarë kanë qenë të përzënë nga shtëpitë e tyre. Serbia nuk fajësohet për krimet , askush asnjëherë nuk ka kërkuar falje, e as ka paguar dëmet e luftës.

A munden që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë pa ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, në veçanti amerikanëve?
Kjo është e pamundur. Por thelbësore për shoqëri kohezive dhe integrime të të gjitha komuniteteve është dialogu i drejtpërdrejt me serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë. Ka nevojë për dialog nga poshtë lartë dhe jo anasjelltas, mes shtetasve dhe jo mes shqiptarëve dhe serbëve.

Bujqit shqiptarë dhe serbë do të mund të flisnin rreth zhvillimit të bujqësisë dhe bashkë mund të bisedonin se si do të mund t’i ndihmonte shteti. Integrimi në Kosovë është i mundshëm me zhvillim dhe jo tolerancë. Nuk jam kundër tolerancës, mirëpo na duhet bashkëpunim për zhvillim. Nëse Serbia nuk do t’i njeh krimet e shkaktuara dhe pavarësinë e Kosovës, është dialog pa substancë dhe humbje kohe. Nëse Prishtina sillet mirë ndaj Serbisë, Aleksandër Vuçiq si djathtist tipik ekstrem, nga ky vendim nuk beson se ka të bëjë me zemergjërësinë tonë, por më shumë është shenjë dobësie.

A nuk është joreale pritshmëria që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet dhe që lojtarët e mëdhenj do ta lejonin formimin e Shqipërisë së madhe?
Shqipëria e madhe është këngë, që e kanë shpikur në Beograd në mënyrë që te mund ta krijonin Serbinë e madhe. Shqiptarëve ju ka mbetur etiketa, ndërkaq serbët kanë marrë territor. Kosova duhet ta ketë të drejtë të bashkohet me Shqipërinë. Kushtetuta nuk na lejon që t’i bashkohemi çfarëdo shteti, që do të thotë, se do të kemi probleme edhe me bashkimin në BE. Secili shtet duhet të jetë i lirë dhe të ketë të drejtë të bashkohet me shtetet e tjera. Kjo është perspektivë e jashtme e sovranitetit dhe e drejtës për vetëvendosje. Në Kosovë perspektiva e jashtme nuk është e lejuar, megjithëse Kosova shekull më parë është shkëputur dhunshëm nga Shqipëria. 

Në konferencën e Londrës 1913 ministri i jashtëm i atëhershëm Edëard Grey deklaroi se për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë shqiptarëve ju bë një padrejtësi e madhe. Një vit më vonë shpërtheu lufta e parë botërore. Nuk dëshiroj që për shkak të bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë të fillojë lufta e tretë ballkanike, por do të doja që kjo të arrihej përmes rrugës paqësore dhe demokratike. Kjo është dëshira e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, që është kufiri i dikurshëm i Serbisë dhe Jugosllavisë. Për bashkim ekziston gjithashtu edhe interesi ekonomik. Shqipëria ka det, ujë dhe male, ndërkaq Kosova tokë të mirë bujqësore, xehe dhe minerale.

A nuk është e vështirë të realizosh ëndrrat?
Ka të bëjë me zgjidhje të drejtë dhe të mirë, që më mjafton të përpiqem për këtë qëllim. Nuk jam për bashkim me Shqipërinë kundër BE-së. Zgjidhje e mirë është edhe shqiptarët e bashkuar edhe në Evropë të bashkuar. Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë do të duhej të vendosnin njerëzit në referendum në të dy shtetet. Bashkimi do të ishte legjitim nëse për të do të vendoste shumica e shtetasve në të dy anët e kufirit.

Si e shikoni krijimin e gjykatës speciale për krime të luftën së UÇK-së dhe përpjekjet për shfuqizimin e saj?
Kjo gjykatë është e padrejtë dhe e dëmshme për Kosovën, sepse është gjykatë etnike që do të gjykojë vetëm shqiptarët . Kjo është gjykatë kundër UÇK-së. Nga ana tjetër lojërat e Hashim Thaçit për shfuqizimin e gjykatës nuk janë as serioze e as të sinqerta. Për këtë, VETËVENDOSJE! nuk do të bëhet pjesë e këtij instrumentalizimi dhe nuk do ta mbështesim verbërisht iniciativën për shfuqizimin e gjykatës speciale.

Jeni për formimin e Ushtrisë së Kosovës, megjithëse bashkësia ndërkombëtare formimin e forcave mbrojtëse në ushtri profesionale e kushtëzon me pëlqimin e serbëve në Kosovë?

Ne jemi të vetëdijshëm se për formimin e Ushtrisë së Kosovës është e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës për të cilën duhet të votojnë shumica e deputetëve serbë, të cilët kanë mandat të garantuar në Kuvend. Sikur çdo shtet edhe Kosova duhet të ketë armatën e saj. Kjo nuk do të jetë lehtë. Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës ende nuk është përdorur deri në këtë masë që këto forca të ngriheshin në nivelin më të lartë të mundshëm.

Në dialogun me Serbinë jeni vënë te amerikanët që janë kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, që kushtëzojnë gjithashtu themelimin e Ushtrisë së Kosovës…
Amerikanët janë forcë e fuqishme në Kosovë dhe më gjërë. Janë pjesë e pushtetit në Kosovë. I jemi falenderues për rolin e tyre në bombardimin e NATO-s dhe në njohjen e pavarësisë. Shumë shtete e kanë njohur Kosovën për shkak të SHBA-së dhe jo për shkak të lobimit të minstrave tanë të jashtëm. Nëse dialogu me Serbinë mohon historinë e problemit, se Serbia ka okupuar Kosovën dhe si agresor ka ushtruar aparteid, atëherë nuk ka rëndësi kush ndërmjetëson në negociata me Beogradin.

VETËVENDOSJE! në vitin 2015 nuk ka votuar për ndryshime kushtetuese që e kanë mundësuar formimin e Gjykatës Speciale. Pikëpamjen e saj nuk e ka ndërruar VETËVENDOSJE!, mirëpo PDK-ja me në krye Hashim Thaçin, që dëshiron ta shfuqizojë gjykatën për interesa personale dhe jo të Kosovës. Kjo gjykatë do të sjell shumë dëme, që do t’i ndjejmë në 20 vjetët e ardhshme. Më mirë do të ishte të kishim gjykatë normale, që do të luftonte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Mjaft ka qenë me ”speciale” të tilla si gjykata speciale. UNMIK-u, EULEX-i dhe Gjykata e Hagës nuk e kanë gjetur askënd në tregtimin me organe njerëzore. Gjykata ndërkombëtare është shumë e ngarkuar politikisht, për të më me rëndësi është stabiliteti sesa të drejta e njeriut.

Nuk kemi arritur t’i bindim amerikanët se janë më të rëndësishëm kriminelët e paqes sesa ata të luftës. Në pushtet janë njerëzit më të pasur në Kosovë. Ka shumë fakte në dispozicion, që i kanë vjedhur njerëzit dhe kanë abuzuar me pozitën e tyre dhe buxhetin e Kosovës. Në vend që UNIMK-u, EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare të përndiqnin për shkak të këtyre veprimtarive të dënueshme, akoma kthehemi te lufta, për të barazuar krimet e forcave shqiptare dhe serbe përgjatë luftës. ShBA-të janë partneri ynë, që nuk do të thotë, që gjithmonë të pajtohemi për çdo temë. ShBA-të janë të domosdoshme për mbrojtjen e Kosovës para Serbisë dhe Rusisë.

Çfarë mundësish ka koalicioni qeverisës i luftës me në krye Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin që të mbijetojë në pushtet dhe ta nxjerr Kosovën nga stagnimi dhe kriza e kontrolluar?
Qeveria aktuale ka qenë më së shumti e angazhuar në emërimin e 70 zëvendës-minstrave. Qëllimi i kësaj Qeverie të madhe pa vizion zhvillimor për shtet është që sa më shumë staf të instalojë në pozicione sa më të larta. Kjo sigurisht është Qeveria më e shtrenjtë e pasluftës. Në Parlament vështirë mbijeton me 61 nga 120 sa ka gjithsej deputetë, kështu që ka shumë mundësi që do të bjerë sivjet. Kjo natyrisht varet nga opozita që do të mund t’i bashkonte forcat për rrëzimin e Qeverisë. VETËVENDOSJE! ka 32, Lidhja Demokratike 23 deputetë.

Për shkak të pikëpamjeve tuaja radikale VETËVENDOSJE! nuk bashkëpunon në ekzekutiv, megjithëse është subjekti më i fuqishëm politik në vend…
Koalicioni qeverisës para zgjedhjeve ka numëruar 12 parti. Që VETËVENDOSJE! të mbetej në opozitë, është nevojitur koalicion prej 20 partish. Ndoshta ata ja kanë dalur me këtë për herë të fundit.

A nuk varet kjo edhe nga faktorët ndërkombëtarë?
Ambasadat në Kosovë, para se të gjithash pesë kryesoret – ShBA, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia – thonë se nuk ekziston asnjë kriter shtesë për VETËVENDOSJE!-n që të marrë pushtetin, përveç shumicës parlamentare prej 61 ulësesh në Kuvend. Pas zgjedhjeve të fundit nuk ishim larg nga LDK, mirëpo i pari i këtij subjekti, Isa Mustafa, nuk dëshironte koalicion me ne.

Çka mund të arrini me hedhjen e gazit në Parlament dhe protestat në rrugë?
Protestat në rrugë janë shprehje e vitalitetit shoqëror dhe e demokracisë. Arsye për protestë ka shumë. Demokracia përfaqësuese është e domosdoshme mirëpo shpesh nuk mjafton. Njerëzit nuk mund të marrin pjesë në mitingje dhe të votojnë një herë në katër vjet. Kushtet ishin ekstreme, sepse dëshironin ”bosnjëzimin” e Kosovës me ndihmën e bashkësisë së komunave serbe. Do të merrnin entitet të ngjashëm sikur në Bosnjë dhe Hercegovinë, që ka Republikën serbe. Në Bosnje me 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe formuan bashkësinë e komunave, me 9 janar 1992 shpallën pavarësinë, me 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën e tyre, me 14 dhjetor 1995 morën njohjen ndërkombëtare në Dayton.

Çfarë kanë bërë gjatë luftës në Bosnje dëshiruan ta ndërtojnë në paqe në Kosovë. Serbia dëshiron të vendosë Serbinë e madhe me Serbi të vogla në regjion. Nuk e dëshiron më bashkimin e Serbisë në një shtet me zgjerim të territorit në Ballkan, më shumë dëshiron të kontrollojë territor të banuar me serbë në shtete tjera. Kjo është e ngjashme sikur Federata Ruse. Megjithëse pjesa lindore e Ukrainës nuk i përket asaj, Moska e kontrollon. Ky model po përsëritet në Ballkan. Dezintegrimi i Bashkimit Sovjetik e ka themeluar Federatën Ruse në qendër si oktapod me tentakulat e saj. Dezintegrimi i Jugosllavisë së dikurshme e ka themeluar oktapodin me Serbinë në qendër me tentakulat te fqinjët. Republika serbe në Bosnjë, forcat proserbe e proruse në Mal të Zi dhe Maqedoni dhe pjesa veriore dhe enklavat serbe në jug të Ibrit në Kosovë.

Nëse të gjithë do të jetonin më mirë kjo nuk do të ishte më me rëndësi…
Beogradi nuk e ka tek ajo, që serbët të jetojnë më mirë, e lëre më të tjerët. Beogradi i përdor serbët si mjet për përfitim të sa më shumë territoreve, mirëpo jo për më shumë mirëqenie të njerëzve. Ka të bëjë me qasje imperaliste. Në botë nuk janë vetëm fuqitë e mëdha imperialiste, por edhe ato regjionale. Serbia ishte këso fuqie e vogël imperialiste në këtë pjesë të Ballkanit. Problemi kryesor i Ballkanit mbetet Serbia. Në 25 vitet e fundit kanë pasur vetëm 2 vjet e gjysmë udhëheqës demokratik dhe e kanë vrarë.

Dy javë para atentatit mbi Zoran Gjingjiqin ka shkuar Vojisllav Sheshel në Hagë. Vuçiq për shkak të largimit të tij në burg ka qajtur në mitingun protestues. Në Ballkan kanë ndodhur ndryshime progresive në Shqipëri e Maqedoni me socialdemokratët në pushtet, pozitive është edhe hyrja e Malit të Zi në NATO, dy vitet e fundit nuk kanë qenë më të këqinjtë as në Bosnje, problemi kryesor mbetet Beogradi me pushtet autoritar të ekstremit të djathtë.

Ku e shihni Kosovën pas 10 vitesh?
Zhvillimi ekonomik është më i rëndësishmi, i cili do të sigurojë vende të reja pune për të rinjtë e arsimuar. Pakica serbe ka nevojë të integrohet në shoqërinë kosovare. I nevojshëm po ashtu është edhe restaurimi i Trepçës, ndërkaq Mitrovica duhet të bëhet qytet i bashkuar. Duhet të sigurohet sundimi i ligjit, që do të merret me udhëheqësit e korruptuar. Nëse të gjitha këto nuk bëhen nuk do të mundemi të arrijmë në dekadën e ardhshme, ky do të ishte dështim i shtetit. Ose do t’i bëjmë të gjitha këto, ose do të jemi shtet vetëm në letër./zeri

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live kur u goditën nga ushtria izraelite

Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live kur u goditën nga ushtria izraelite