Shqipëria dhe Serbia kanë mendësi ndryshe në raport me zhvillimin ushtarak dhe qasjen në këtë fushë. Nëse bashkëpunimi i vendit tonë me Kosovën dhe Kroacinë në mbrojtje nuk i ka pëlqyer presidentit Aleksandër Vuçiç, ndryshe shihet stërvitja e NATO-së me ushtrinë serbe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

"Sot që flasim ka një stërvitje që zhvillohet mes NATO-s dhe ushtrisë serbe. Fakti që kjo stërvitje ndodh dhe fakti që Shqipëria e Kroacia janë pjesë e NATO-s, dhe në Kosovë është prezenca e KFOR-it që është mision i NATO-s, tregon që stërvitja e NATO-s atje është më shumë nxitje flake mediatike atje", tha Nufi. 

Në konferencën për shtyp me vartësit kryesor, Nufi foli edhe për bashkëpunimin me Kroacinë dhe Kosovën, shtete me të cilat kemi nënshkruar edhe një aleancë ushtarake. Më në detaje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, njoftoi 3 stërvitje të përbashkëta, me shtete të tjera pjesëmarrëse.

"Dy stërvitje do të zhvillohen në Kroaci ku jemi në fazën e planifikimit, kemi dhënë dakordësinë për t’u zhvilluar stërvitja. Po kështu një stërvitje do të zhvillohet në Shqipëri. Nuk do të jenë vetëm tre shtete pjesëmarrëse, por do të ketë edhe shtete të tjera nga NATO, qoftë edhe shtete partnere me të cilat bashkëpunojmë", tha Kingji. 

Kosova ka tashmë trupat e saj të dislokuara në Gaza, pas marrëveshjes për Bordin e Paqes. Vendi ynë akoma është në fazën e hartimit të dokumentacioneve, pa trupa të dërguar akoma.

“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën kontrollin e sigurisë së IDF-së dhe çdo lloj dislokimi do të bëhet në koordinim me autoritetet përkatëse. Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren. Shqipëria ka eksperiencë në fushën e misioneve ndërkombëtare, me angazhime në Irak, Afganistan, Bosnje dhe Letoni. Kemi pasur edhe ushtarakë që kanë humbur jetën në misione si në Irak apo Letoni.

Ushtria, Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat kanë një nivel të njohur gatishmërie dhe përgatitjeje për një mision në Gaza. Situata paraqet rrezikshmëri të shtuar për shkak të përfshirjes së disa aktorëve, ndërsa Hamasi financohet nga Irani. Ajo që kemi bërë deri tani është marrja e të gjitha masave për të dërguar një skuadër vlerësuese, në mënyrë që të kuptojmë se ku dhe si mund të vendosemi. Sa i takon kushteve që do të kërkohen dhe nivelit të trupave që mund të dërgohen, më pas do të merret një vendimmarrje e plotë”, tha Nufi.

Dronët e planifikuar të prodhoheshin që në pranverë nga “KAYO” me izraelitët, kanë hasur në vështirësi. Drejtori Ardi Veliu deklaroi se brenda verës nis prodhimi.

"Lidhet me konfliktin e Lindjes së Mesme. Në raste të veçanta ka qenë e bllokuar rruga ajrore. Kjo na ka sjellë vonesa sa i përket zinxhirit të furnizimeve", tha Veliu. 

Ministri Nufi u ndal edhe te mbrojtja kibernetike, ku deklaroi se vendi ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në këtë fushë, që pas përballjes me sulmet kibernetike në vitin 2022 nga Irani. Shtet, i cili sipas Nufit, vijon të organizojë sulme pothuajse çdo ditë drejt strukturave tona.