TIRANË - Afrimi i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit ka shtuar tensionin mes forcave politike, sidomos atyre të vogla, për të zgjedhur se në cilin koalicion, të majtë apo të djathtë, do të qëndrojnë.
Në përfundim të takimit të 15 marsit mes kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ky i fundit deklaroi se brenda datës 1 prill do të jenë gati emrat e 61 kandidatëve që koalicioni qeverisës do të propozojë për zgjedhjet e reja lokale, të cilat do të mbahen sipas ndarjes së re territoriale.
Por, dhe pse sot është 1 Prilli, listat e kandidatëve nuk janë zyrtarizuar ende nga asnjë nga kampet politikë, ndërsa përfaqësues të tyre vijojnë negociatat dhe konsultimet për të zgjeruar koalicionet respektivë.
Në fillim të kësaj jave, Partia Socialiste në qeverisje dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), deri dje pjesë e opozitës, zyrtarizuan aleancën mes tyre. PDIU iu bashkangjit koalicionit të majtë në zgjedhjet e qershorit, ndërsa pas këtij procesi kjo forcë politike do të përfaqësohet edhe në nivel pushteti qendror.
Kryetari i PS-së, Edi Rama synon që në zgjedhjet e reja të shkojë me një koalicion të gjerë, që mund të shtrihet dhe përtej kufijve të së majtës. Në këtë kuadër ai i ka bërë thirrje për bashkëpunim Frymës së Re Demokratike (FRD), e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi. FRD pritet të mbledhë të enjten Këshillin Kombëtar të saj, ku do të vendosë për qëndrimin që do të mbajë ndaj ftesës së kryeministrit.
Në ditët e para të kësaj jave, Rama ka zhvilluar takime intensive me deputetë të qarqeve të ndryshme të vendit për të diskutuar rreth kandidaturave për kryetarë bashkie në disa zona të rëndësishme. Duket se në Elbasan, Durrës dhe Korçë do të konfirmohen kryebashkiakët aktualë, ndërsa në Tiranë, ku gara është më e fortë, ka ende dilema për emrat. Ndërkohë, priten dhe takime me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e drejtuar nga Vangjel Dule.
Me sa po duket jashtë koalicionit qeverisës kanë mbetur aleatët tradicionalë të së majtës, Partia Socialdemokrate e kryesuar nga Skënder Gjinushi dhe Partia Demokracia Sociale e drejtuar nga Paskal Milo. Mediat flasin për një koalicion më vete të këtyre forcave, që synojnë të tërheqin dhe parti të tjera që nuk do të jenë pjesë e dy koalicioneve të mëdha.
Ndërsa, kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, ka konfirmuar në media se megjithë rezervat që ka ndaj qeverisë, do të jetë pjesë e koalicionit të mazhorancës në zgjedhjet vendore.
Një tjetër situatë duket në kampin opozitar, ku kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet të mbledhë pasdite aleatët për të diskutuar rreth përgatitjes së zgjedhjeve vendore, si dhe finalizimin e marrëveshjeve për ndarjen e bashkive dhe emrave të kandidatëve. Të martën, kryetari Basha deklaroi se nuk do të kandidonte për një mandat të dytë në krye të bashkisë së kryeqytetit, por do të drejtonte fushatën e opozitës në të gjithë vendin. Sa i takon aleancave brenda së djathtës, PD-së iu largua PDIU, ndërsa janë vështirësuar marrëdhëniet e saj me aleatin tradicional Partinë Republikane, e cila ka 'kërcënuar' se do të konkurojë e vetme në zgjedhje.
Sikurse dhe në proceset parardhëse edhe në këto zgjedhje kandidatët e pavarur do të tentojnë, që përmes platformave të tyre mbështetëse për qytetarët, të votohen më shumë.
Gjergj Bojaxhi, i angazhuar politikisht me PD-në shpalli i pari kandidaturën si i pavarur për bashkinë e Tiranës, ndërsa kandidatë të tillë pritet te mos mungojnë dhe në qytetet e tjera kryesore. /ATSH/