Pavarësisht se janë 26 parti aleate deri më tani që i janë bashkuar PS, përfshirë këtu dhe partitë që kanë vota siç janë PSD e Gjinushit, PDS e Milos, PSV 91 e Koçit por dhe G99 apo partia e Ngjelës, numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor është mbi 190 mijë, një shifër modeste kjo për një koalicion aq të gjërë. Por pikërisht mbi këtë bazë, partitë me sa duket kanë mbështetur dhe kërkesat e tyre, ku pritet që pikë e parë të jetë përfshirja në Kuvend e disa prej krerëve të partive kryesore të Kuvendit.
Nën zë është diskutuar se krerët e PSD, PDS, PSV 91, por dhe Ngjela e kreu i G99 Mete do të kërkojnë përfshirjen e emrit në listat e PS për të pasur të sigurtë një deputet dhe më pas të luftojnë për deputetin e dytë. Pasi sipas tyre bashkë me aleatët e vegjël ata arrijnë të marrin gjashtë 6 deputetë që janë rezultat neto për PS për të krijuar qeverinë e re. Mësohet se do të kërkohet dhe vendosja e një dyshemeje limit për aleatët, ku në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit të përcaktohet pjesmarrja në bashkëqeverisje me post ministri, zv.ministri drejtor drejtorie e me radhë. Debati është përqëndruar tek kjo dysheme, ku mësohet se do jetë rezultati prej 25 mijë votash për secilën parti që ajo të përfaqësohet në rang ministri, ndërsa poshtë këtij rezultati përcaktohen nivelet e tjera të qeverisjes. Duke parë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 2009 dhe atyre vendore të 2011 mendohet se vetëm 3-4 parti mund të tejkalojnë këtë shifër dysheme për të patur një portofol ministror.
Duke iu rikthyer problemit të përfshirjes së krerëve të partive aleatet në listat e PS në vende të sigurta për deputetë, mësohet se pikërisht ngurrimi i kreut të PS Rama asokohe për të pranuar këtë formulë bëri që kreu i PDK Nard Ndoka të largohej nga koalicioni, pasi vendin të sigurtë në Kuvend ia garantoi Berisha. Madje Ndoka e ka deklaruar publikisht në fakt të tillë, duke nënvizuar faktin se Rama nuk e garantoi se do përfaqësohej partia e tij në Kuvend, pavarësisht se në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, PDK ka marrë mbi 47 mijë vota. Vajtjen e detyruar të Ndokës te Berisha e tregon dhe fakti se pavarësisht se tashmë është zv.ministër i Brendshëm në qeverinë e djathtë, në pushtetin vendor asnjë prej këshilltarëve të PDK nuk ka kaluar djathtas, duke mos prishur koalicionin me PS. Çka tregon se ndoshta vendimi për përfshirjen e krerëve aleatë në listat e PS mund të funksionojë dhe për PDK në të ardhmen. Pa përjashtuar aleancat parciale me PBDNJ e Vangjel Dules që ka marrë në zgjedhjet e fundit mbi 40 mijë vota.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 1 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)