Aleksandër Meksi: Duhen vijuar gërmimet te mozaiku i zbuluar në Berat

Aleksandër Meksi: Duhen vijuar gërmimet te mozaiku i zbuluar në Berat

Aleksandër Meksi

Një mozaik që mendohet se i përket periudhës romake ose asaj paleokristiane është zbuluar në themelet e Xhamisë Mbret në Berat, ndërsa ajo është në proces restaurimi. Bashkë me mozaikun kanë dalë në dritë një varr i lashtë dhe objekte të rralla arkeologjike.

I thirrur nga specialistët për të diskutuar rreth objekteve të sapozbuluara, profesor Aleksandër Meksi, që ishte në vendngjarje për të ndjekur punimet restauruese të Xhamisë dhe teqesë së Elvetinjve, rrëfen në një intervistë për “Shqiptarja.com” për natyrën e objekteve të sapozbuluara.

Specialisti i restaurimit, profesor Meksi, ende nuk ka nuk ka një hipotezë të përafërt për datimin historik, duke hedhur hipotezën se shkon përtej periudhës romake. Lajmin për zbulimin e kanë dhënë një ditë më parë Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, ku është folur edhe për kantieret e restaurimit të 19 objekteve të kultit të besimeve të ndryshme fetare, nga Jugu në Veri. “E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati”, është shprehur Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Sipas saj, Berati është një nga këto sëndukë me thesare që sfidon duke befasuar. Në themelet e Teqesë së Helvetive dhe të Xhamisë Mbret, të dyja në restaurim të plotë (krahas Xhamisë së Beqarëve), kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani.

Kumbaro është shprehur ndër të tjera se: “këto zbulime po studiohen nga specialistët e DRKK Berat dhe të Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, në vijim të vendimit të fundit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për të shtrirë gërmimin arkeologjik në të gjithë sipërfaqen, përtej vijës së themelit të Xhamisë Mbret dhe, në konsultim edhe me mbështetësin e pazëvendësueshëm të Trashëgimisë Kulturore, profesor Aleksandër Meksin dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, do t’u paraqiten publikut dhe profesionistëve rezultate më të sakta të këtij zbulimi”.

Ndërkohë, profesor Aleksandër Meksi i intervistuar dje nga “Shqiptarja.com” insiston se gërmimi rreth objekteve të zbuluara duhet të vijojë,për të hedhur dritë mbi dastimin dhe rëndësinë, ndërsa shprehet se është folur edhe për gjetje të floririt.  

Profesor Meksi, mësuam se juve ju kishin thirrur për konsultime rreth mozaikut të sapozbuluar pranë xhamisë Mbret në Berat. Jemi shumë kurioz të dimë se çfarë objektesh arkeologjike kanë dalë në dritë?

Unë isha për të ndjekur restaurimin e themeleve të Xhamisë. Isha atje dhe ata që po merreshin me gërmimet më thirrën për të diskutuar. Kur po bëheshin gërmime për forcimin e themeleve të xhamisë, sepse ishin dobësuar shumë, atje dolën objektet. Por, pas zbulimit të tyre duhet të veprojë arkeologjia e shpëtimit për të mbrojtur objektin, materialet e gjetura dhe të shihet ecuria e mëtejshme e këtij zbulimi. Pra në themelet e xhamisë kanë dalë në dritë pjesë të mozaikut të një ndërtese, dhe tani është e domosdoshme që të gërmohet më tej jashtë mureve të xhamisë, kuptohet. Të zbulohet pastaj nga arkeologët se çfarë datimi do të ketë ky mozaik, dhe nëse është i periudhës romake apo paleokristiane.

Në vështrimin e parë, ju vetë mendoni se ka gjurmë që tregojnë se poshtë xhamisë ka qenë një tjetër objekt kulti, sepse njihet ky fakt që në Shqipëri janë ngritur objekte kulti të besimeve të ndryshme mbi  njëra-tjetrën?

Nuk është e thënë që të jetë patjetër një objekt kulti, por me rëndësi është që të zbulohet dhe të studiohet nëse i përket periudhës romake, dhe ka shumë rëndësi, për të ditur se çfarë është, çfarë tregon, nëse ka qenë banesë apo një godinë me rëndësi të veçantë.

Pas zbulimit, u shkrua në media se gjatë gërmimeve janë zbuluar thesare. Janë zbuluar vërtetë?  

Titujt janë ekzagjeruar. Atje është gjetur vërtetë një varrezë dhe janë gjetur objekte. Është zbuluar mozaiku. Por këto janë gërmimet fillestare. Ai varri seç kishte diçka prej floriri, por kjo nuk ka aq rëndësi. Por, unë nuk kam shkuar sërish që t’i shoh konkretisht. Gërmimet janë në proces dhe po grumbullohen gjetjet e zbuluara deri më tani.

Ka një lidhje mes zbulimit të vendbanimit kompleks antik që zbuloi TAP pak muaj më parë në afërsi të Beratit me pjesën e gërmuar?

Berati është një qytet më rëndësi të madhe historike. Kudo që të gërmosh, ka zbulime, ka gjurmë. Por më e rëndësishme është që ajo që zbulohet të vijojë me gërmime më tej, derisa të shihet e të verifikohet se çfarë është.

Kanë shpenzime gërmimet?

Kjo nuk duhet të varet nga shpenzimet, por nga rëndësia, arkeologët duhet ta bëjnë këtë punë, se ata kanë shpikur edhe një institucion të shpëtimit të pasurisë arkeologjike…. Në fillim aty po forcoheshin themelet, po bëheshin drenazhimet e themeleve, dhe dolën këto objekte. Pra është zbulim i rastit. Tani pas kësaj duhet të vijohet gërmimi.

E kishit idenë më parë se në territore të përafërta ekzistonte një mozaik i tillë?

Jo, jo. Punimet e restaurimit me fondin e TIKA-s që po bëhen në të gjithë kompleksin dhe me mbikëqyrjen shqiptare nxorën në dritë objektet.  Ndaj unë mendoj që jo vetëm të vijojnë gërmimet, por edhe të bëhet i vizitueshëm ky territor arkeologjik, se turistët për këto vijnë në Shqipëri. Male, fusha e det ka në çdo vend të botës. A jemi në gjendje ne që t’i shtojmë pikat turistike. Kjo duhet bërë...

   

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat