Në fillim të tetorit, një pasdite, papritur u lajmëruam për një mbledhje në një nga sallat e godinës së Shtabit të Përgjithshëm në Babrru, në afërsi të tuneleve kryesore. Të gjithëve na ra në sy që ministri i Mbrojtjes Mehmet Shehu, ishte vendosur në tryezën kryesore të drejtimit, i vetëm, kurse të dy zëvendësministrat, Petrit Dume dhe Hito Çako, përfshi edhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ishin ulur së bashku me ne. Na u duk pak si e habitshme, sepse gjithmonë ministri në raste të tilla drejtonte duke i pasur në krah zëvendësit e tij. Por më e çuditshmja ndodhi kur Mehmet Shehu filloi të fliste, duke i mëshuar zërit se "ushtria nuk është drejtuar mirë dhe nuk po nxjerr mësimet e duhura, Partia është marrë në vazhdimësi me ushtrinë, nga viti 1971, KQ-ja e PPSH-së është angazhuar plot 5 herë me këtë problem". Mandej, në vazhdim të fjalës tij, po me të njëjtin ton, tha: "Beqir Balluku nuk mund ta kryente punën e tij armiqësore në ushtri i vetëm!". Më pas bëri vërejtje edhe për rregulloret e ushtrisë, duke theksuar se "ato ende janë kopje e atyre sovjetike. Puna politike në ushtri është bërë formale, ku është synuar për ta vënë Partinë nën urdhrat e komandës. Gjithashtu janë bërë shumë përkthime nga literatura sovjetike, duke iu përshtatur kushteve të ushtrisë, me të cilët ishte synuar që të futeshin në ushtrinë tonë pikëpamjet revizioniste, të huazuare nga ajo literaturë. Po kështu, stërvitjet në përgjithësi nuk bëhen në bazë të kërkesave të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes".
Duke vazhduar më pas me të tjera vërejtje të kësaj natyre, foli ashpër duke e përsëritur disa herë shprehjen se: "Asnjëri të mos mendojë se do t'ia hedhë Partisë!". Fjalët e tij po na binin si bomba. Po bëhej e dukshme se nën goditje po viheshin jo vetëm dy gjeneralët, Petrit Dume dhe Hito Çako, por edhe të tjerë pas tyre. Mënyra e të folurit të tij tregonte që spastrimi në sferat e larta të ushtrisë do të vazhdonte dhe problemi i "punës armiqësore", jo vetëm nuk ishte ezauruar, por sapo fillonte dhe se do të merrte përmasa. Në kohën kur fliste, Mehmet Shehu nxinte në fytyrë, ndërsa gjeneralët, të befasuar me kthesën që morën gjërat, dukeshin të tronditur nga fjalët e tij me tone të forta dhe ogurzeza. Befasuese ishte goditja ndaj Petrit Dumes, sepse të gjithë e dinim që Mehmet Shehu gjithmonë atë e kishte parë me sy pozitiv, kurse Hito Çako dihej që kishte mbështetje nga Hysni Kapo. Pra, letrat në tryezë po ngatërroheshin aq keq, sa askush nuk mund ta parashikonte se sa i thellë do të ishte operacioni dhe kë do të përfshinte.
Në fjalimet e tij që mbajti më 10 dhe 14 tetor, Enver Hoxha foli shumë ashpër kundër të quajturve armiq, me shprehjen që: "Të fshijmë me fshesën e hekurt të Partisë mbeturinat e punës armiqësore të Beqir Ballukut në ushtri". Këto fjalime treguan qartë se në ushtri do të fillonte një punë më e thellë, për të gjetur dhe shkulur armiqtë, pasi deri atëherë ishte demaskuar Beqir Balluku, por jo të gjithë ata, që sipas tij ishin "bashkëkomplotues" me të. Ai, duke analizuar gjithë të thënat dhe shprehjet e Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes, si dhe çfarë ishte thënë gjatë diskutimit në organizatat e Partisë në ushtri gjatë atyre muajve, në mënyrë diabolike kishte dalë në konkluzione që të gjithë kishin mëkatuar dhe po përgatisnin "puç ushtarak" kundër Partisë së Punës dhe udhëheqjes së saj.
Për çudi, Petrit Dume dhe Hito Çako, që në qershor ishin cilësuar si shpëtimtarë, tani në tetor, Enveri për ta po vinte në dukje se "Petrit Dume e Hito Çako janë jo më pak tradhtarë se Beqir Balluku. Ata kishin menduar që komplotin ta vazhdonin edhe më tej. Tradhtinë e tyre ne e zbuluam pas mbledhjes së Plenumit V të KQ-së dhe pas takimeve që patëm me kuadrot e ushtrisë, që u bënë për këtë punë, por i lamë ata të futeshin në euforinë e tyre dhe pastaj t'ju thyenim kokën. Tani është akti i fundit për ta, i sanksionit ligjor. Detyra e hetuesisë dhe e prokurorisë tani është të zbulojë plotësisht, deri në skutat më të errëta, komplotin e tyre".
Pavarësisht nga sa thuhej, dëshiroj ta përsëris edhe një herë se unë dhe mjaft të tjerë nuk kemi besuar kurrë që Petrit Dume mund të binte dakord me Beqir Ballukun për të ndërmarrë veprime të përbashkëta të atij karakteri. Gjatë gjithë kohës që kam pasur detyra të rëndësishme në ushtri, në mjaft raste kisha vënë re që ata të dy nuk kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, sepse gjithmonë dukej se ishin të gatshëm të kacafyteshin për probleme nga më të ndryshmet. Kur bëhej fjalë për Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që u përpunuan nga Mehmet Shehu, Dume, si adhurues i tij, asnjëherë nuk mund të mos ishte dakord me të. Jo vetëm kaq, por kisha përshtypjen se ai me këtë veprim ndjente edhe njëfarë kënaqësie për goditjen që mori Balluku, duke e treguar atë si jo të aftë për të arritur në përpunimin e një teorie të kohës për mbrojtjen e vendit. Sigurisht që Dumja edhe mund ta dëshironte largimin e Ballukut edhe për një arsye tjetër, se në vend të tij nuk kishte tjetër kandidat përveç atij që mund ta zëvendësonte.
Por Enver Hoxhës i leverdiste që me këtë rast të lante hesapet me gjeneralët kryesorë të ushtrisë, aq më tepër me Petrit Dumen si një njeri që kishte autoritet të padiskutueshëm jo vetëm në ushtri dhe në drejtuesit e pushtetit vendor, por edhe në popullsinë e disa zonave të vendit, si në Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Pogradec etj. Në të njëjtën kohë ai e dinte se Petrit Dume ishte adhurues i ushtrisë së kazermës, e cila mund të arrinte një nivel stërvitjeje dhe gatishmërie më të mirë, sesa mund të bëhej nëpërmjet shkollës së lirë me rezervistët, veçanërisht për momentet e para të fillimit të veprimeve luftarake. Thelbi i mosmarrëveshjeve, midis Petrit Dumes dhe Beqir Ballukut, doli i qartë në thënien e gjeneral Petritit, kur ishte shprehur në Byro: "Me Beqir Ballukun kam kundërshtime parimore". Këtë e kapi Enver Hoxha, i cili e stërholloi dhe doli në përfundimet që i duheshin atij.
Në thellim të këtyre direktivave ogurzeza të diktatorit, nga fundi i muajit tetor, nga 23-25 tetor, në konvaleshencën e Durrësit u organizua një aktiv i ushtrisë, me pikësynim për t'i bërë jehonë fjalës së Enver Hoxhës së 14 tetorit: "Të pastrojmë me fshesë të hekurt punën armiqësore të Beqir Ballukut". Ai, bashkë me Hito Çakon dhe Petrit Dumen u shpallën publikisht armiq të Partisë. Ndërkohë, mjaft nga ushtarakët madhorë, të hutuar dhe të frikësuar nga situata, ngrinin akuza të sajuara dhe tepër të rënda ndaj ish-drejtuesve të tyre, vetëm për të shpëtuar veten nga kasaphana që po afrohej. Ato ditë, ndonëse isha me temperaturë të lartë, isha i detyruar të shkoja në aktiv për të diskutuar, sepse një ndër akuzat që ngriheshin ishte edhe çështja e fortifikimit, fushë që teknikisht e mbuloja unë, ndaj patjetër duhej të shfaqja mendimin tim. Gjatë diskutimit bëra kujdes të mos shpërndahesha për të tjerët, duke u përqendruar në gabimet që kisha diktuar në zbatim të fortifikimit të vendit, dhe përgjegjësinë që ndjeja si Drejtor i Drejtorisë së Xhenios. Rëndësia që i kushtohej atij aktivi, dukej qartë edhe nga pjesëmarrja e udhëheqësve të lartë të Partisë në atë kohë. Merrnin pjesë: Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska, Manush Myftiu dhe Kadri Hazbiu. Punimet e aktivit i drejtoi personalisht Mehmet Shehu. Nuk ishte e lehtë ta shikoje atë përballje midis shokësh dhe miqsh të vjetër, bashkëluftëtarë e idealistë të Çështjes së Çlirimit të Vendit nga Pushtuesit e Huaj, të lidhur me shumë sakrifica, gjak e vuajtje të panumërta.
Më kujtohet, Hito Çakos ju bënë mbi 150 pyetje nga pjesëmarrësit, që vështirë t'u përgjigjej. Por gati të gjitha synonin të dinin, duke i bërë jehonë akuzës kryesore të Enver Hoxhës, pse ai donte të eliminonte ose të zvogëlonte rolin udhëheqës të Partisë në ushtri. Interesante ishte që shumicën e këtyre pyetjeve ja bënin ata që kishin punuar me të. Këta njerëz ose ishin magjepsur nga fjalët dhe akuzat e Enverit për këto probleme, ose ishin naivë, apo luftonin për të larguar të keqen nga vetja, që nuk dihej se si mund t'u vinte dhe kur. Hito Çako akuzohej që kishte frenuar rolin e komiteteve të Partisë dhe organizatave bazë në ushtri, dhe se kishte synuar të rriste kultin e shumë kuadrove me përgjegjësi. Shtabi i Përgjithshëm u akuzua se nuk kishte punuar sa duhej për zbërthimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Në konkluzionin e tij, Mehmet Shehu deklaroi se: "Ushtria duhej pastruar një herë e mirë me fshesën e hekurt të Partisë që të mos zërë më vend veprimtaria armiqësore".
Gjatë pushimit të punimeve, Petrit Dumes dhe Hito Çakos jo vetëm se nuk iu afrohej askush për të biseduar, por u vu re se edhe bashkë me njëri-tjetrin nuk qëndronin. Ndonëse kanë kaluar vite, edhe sot e kësaj dite nuk më shqiten nga kujtesa ato veprime të diktaturës që tjetërsuan njerëzit, deri aty: sa i bënin me dy fytyra. Kujtoj Petrit Dumen, gjithmonë i rregullt me uniformën ushtarake, asnjëherë nuk dilte pa shiritat e dekoratave, kurse ato ditë i kishte hequr dekoratat dhe mbante xhaketën thjeshtë, pa asgjë. Ngjante me gjeneralët e Hitlerit në Gjyqin e Nurembergut që mbanin uniformën ushtarake, por pa ato dekorata dhe zbukurime që kishin pasur më parë. Sigurisht që krahasimi mund të mos jetë aq i goditur, por të them të drejtën, kur e shikoja ashtu, pa dashje bëja krahasimin. Në atë mënyrë, sikur donte të na thoshte të gjithëve që gjithçka është hipokrizi, pavarësisht arritjeve pozitive dhe sakrificave të shumta, asgjë nga ato nuk vlen në qoftë se nuk i pëlqen Partisë, d.m.th. Enverit. Por ja që edhe sot, në vitet e demokracisë, vihen re disa shfaqje të ngjashme me ato të asaj kohe. E them këtë, sepse sapo dikush largohet nga detyra, gjë më se normale, të gjithë harrojnë se çfarë ka bërë dhe sa ka dhënë për punën, vendin dhe shoqërinë.
Pra, kjo tregon se ne ende vuajmë nga reminishencat e së kaluarës. E them këtë, sepse respektohet vetëm ai që aktualisht është ulur në karrige, kurse ata që janë larguar sipas rregullave, s'vlerësohen si duhet. Është një konkluzion i hidhur, i cili të vë në mendime të thella: se kur ne shqiptarët, ose më mirë politika shqiptare, do të arrijë që të vlerësojë vlerat dhe kontributet njerëzore, pa të cilat asnjë komb nuk mund të shkojë përpara.
Diskutimet në aktiv ishin shumë të forta, por më të egra dhe goditëse ishin ndërhyrjet që bënin kryesisht Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Më kujtohet momenti kur diskutoi shefi i Kuadrit i Ministrisë, i cili u përpoq të bënte autokritikën e rastit. Menjëherë i ndërhyri Hysni Kapo dhe i tha: "Hë, çfarë po na thua ti, shërbëtori i dy zotnive?!". Kaq mjaftoi! Diskutanti u këput në podium dhe u rrëzua, duke i rënë të fikët. Menjëherë erdhën mjekët, të cilët e morën dhe e çuan në infermieri. Kapos dhe Shehut, kjo nuk u bëri fare përshtypje. Aktivi vazhdoi punën sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Sami Meçollari, i entuziazmuar nga detyra e re dhe për t'u treguar se ishte pro qëndrimit të tyre, në diskutim e sipër lëshoi një urdhër, që e gjithë literatura në gjuhën ruse, përfshi edhe atë artistike, që kanë oficerët në zyra apo biblioteka personale, të dorëzohet për t'u asgjësuar!
Në ato çaste, mendova me vete se gjithçka "po ndodh tamam si në kohën e Çingiz Hanit, i cili dogji Bibliotekën e Aleksandrisë". Por Mehmet Shehu, pavarësisht nga ekstremizmi i tij, në moment ndërhyri duke e quajtur urdhrin e Samiut të tepruar dhe e anuloi, duke thënë se nuk mund të digjej edhe literatura artistike që njerëzit kanë në shtëpitë e tyre. Ky qe momenti kur Meçollari, duke e tepruar me zellin e tij si zbatues i porosive të Partisë, mori goditjen e parë dhe, pas disa kohësh, u shkarkua nga detyra e tij. Në këtë aktiv ra në pozicion të vështirë dhe Dilaver Poçi, i cili, në atë kohë, ishte ngarkuar të drejtonte Drejtorinë Politike, e vendosur në selinë e KQ-së të PPSH-së. Pasi diskutoi, ai u pyet nga Hysni Kapo, nëse e kishte lexuar "Materialin e zi", apo jo? Ai fillimisht tha jo, mandej, nuk e di pse, i zënë ngushtë, tha se e kam parë, por nuk e kam lexuar. Më vonë, për qëndrimin e tij të dyzuar, edhe ndaj tij u mor masë.
Ata që kishin marrë goditje verbale gjatë aktivit, mendonin se si dhe çfarë do të bëhej me ta duke filluar qysh nga e nesërmja; kurse ata që nuk ishin prekur nga ndonjë fjalë, mendonin se ku mund të shkonin në të ardhmen, në ndonjë vend më të mirë. Solidariteti ushtarak s'ekzistonte më, ishte bërë pluhur dhe hi. Ata burra, që dikur i kishin dalë ballëhapur dhe me kurajë mitralozit gjerman, tani ishin si të hutuar. Më vjen keq edhe shumë rëndë që po shprehem kështu, por ky ka qenë atëherë realiteti i hidhur. Partia të ngrinte, Partia të ulte, pavarësisht meritave e aftësive që kishe, apo arritjeve në kryerjen e detyrës. Asgjë nuk vlente. Rëndësi kishte se si të gjykonte Partia, nëse ishe apo jo besnik ndaj vijës së saj. Pra, nuk kishe të bëje me një ushtri profesioniste, por me një ushtri: që për të vendoste Partia. Emri "Parti" përmendej shpesh dhe dihej nga gjithkush se me emrin "Partia" nënkuptohej diktatori. Ishte tamam ajo që vite më parë e kishte shprehur Majakovski mbi "Partinë Komuniste të BRSS"-së. Fenomene të përafërta vërehen edhe sot në demokraci, kur udhëheqësi i Partisë në pushtet "i ngrin" njerëzit, kur ata nuk i binden. Autokracia, pavarësisht lëvozhgës që mban, metodat e punës i ka të njëjta.
Pas përfundimit të atij aktivi famëkeq, problemet do vazhdonin të zbërtheheshin në mbledhjet e organizatave të Partisë. Gjatë gjithë vitit 1974 dhe më vonë, të ashtuquajturat gabime të Beqir Ballukut si dhe të Hito Çakos e Petrit Dumes, më pas do të dënoheshin me diskutime të zjarrta në mbledhjet e organizatave të Partisë e të Ushtrisë. Për 6 muaj rresht u hap një diskutim i gjerë në parti, në ushtri dhe në popull, metodë kjo shumë e përdorur dhe që kishte dhënë rezultate në atë kohë. Të gjitha materialet që grumbulloheshin nga këto diskutime, shfrytëzoheshin nga organet e Sigurimit dhe hetuesia për të ngritur akuzat ndaj tyre. Të gjithë ndiqnim, jo vetëm me kureshtje, por edhe me shqetësim të madh, se çfarë thuhej e ngrihej në diskutimet e kuadrove poshtë, në njësi e reparte të ushtrisë. Në atë kohë ishte bërë si e domosdoshme, që kush e kush të thoshte ndonjë gjë, për të shtuar peshën e fajit mbi ata që gjykoheshin. Konkluzionet dhe të dhënat e diskutimeve të organizatave bazë të Partisë dorëzoheshin fillimisht në zyrat e komiteteve të Partisë, pastaj përcilleshin më lart.
Më kujtohet, për ndjekjen e diskutimit të këtyre problemeve në Organizatën Bazë të Drejtorisë së Autotraktorëve, si i deleguar i Komitetit të Partisë së MMP-së, u caktova unë. Kur shkova në zyrat e Komitetit të Partisë për të dorëzuar materialin e përpiluar, takova gjeneral Halim Ramohiton. Ai, i shqetësuar, menjëherë m'i mori materialet, sepse edhe për atë ishin ngritur akuza në Mbledhjen e Organizatës. Aty këtu, gjatë atyre mbledhjeve pati edhe ngjarje që të bënin për të qeshur, ashtu sikurse ndodhi në organizatën tonë, kur njëri nga oficerët i drejtohet të deleguarit të Komitetit të Partisë, gjeneralit Arif Hasko, duke i thënë: "Shoku Arif, kam një kritikë të fortë për ju, por shumë të fortë ama, dhe do ta them, merre si të duash!". Arif Hasko, por edhe ne të tjerët nuk po merrnim vesh se çfarë problemi do të ngrinte ai në adresë të deleguarit?! Hasko, me padurim i tha atij: "Thuaje de, ç'ke për të thënë?". Atëherë ai, rishtas tha: "Po, do ta them! Ju shoku Arif punoni shumë, duhet ta ruani veten, po konsumoheni tepër, i duheni Partisë!". Të gjithë qeshëm nën zë, edhe pse nuk ishte momenti për ilaritet.
Gjatë diskutimit në radhët e organizatave të Partisë vinin lajme nga më të ndryshmet, sa disa bëheshin edhe të pabesueshme, por ishte koha kur çdo gjë duhej besuar. Njerëzit u bënë shumë të veckël, një pjesë shtrydhnin mendjen se çfarë mund të sajohej nga ato që atij i ishte dukur, gjoja shkelje, dhe ta denonconte me të madhe. Në këtë drejtim, Sigurimi mori detyra të veçanta, që të kontrolloheshin me imtësi aktivitetet dhe veprimet ekonomike të të gjithëve, veçanërisht të atyre gjeneralëve dhe oficerëve madhorë që ishin vënë në shënjestër. Kështu, flitej se Beqir Balluku ose Petrit Dume kishin kërkuar ushqime të veçanta, kur shkonin në Shtëpitë e Pritjes apo të Pushimit. Për këto raste llogariteshin lekët deri në qindarka, sa kishin abuzuar, që në fakt mund të ishin një ose dy rroga të tyre mujore, jo më shumë. Këto gjëra po na habitnin, sepse nuk i njihnim të tillë. Ndonjë harxhim mund të ishte bërë, ndoshta edhe pa dijeninë e tyre, por ja që po dilnin shpëtimtarë deri edhe kamerierët e kuzhinierët. Kjo situatë tregonte qartë se po të rrëshqiste këmba, çfarë nuk të vërvitnin mbi shpinë! Të ngarkonin edhe me atë që nuk të kishte shkuar në mendje për ta bërë.
Kështu, në vitin 1981, në atë kohë, isha zëvendësministër, kur martova vajzën e madhe, po mendonim se ku mund ta bënim dasmën. Më sugjeruan ta bëja në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, sigurisht kundrejt pagesës dhe me fatura të rregullta, por unë nuk pranova. Kështu e bëmë dasmën në një lokal publik të turizmit, megjithëse kishin çmime më të larta. Por ama, më 1982-shin, kur edhe mua në organizatën bazë më vunë në grupin e të akuzuarve, këtë gjë nuk guxoi njeri të ma zinte me gojë, se ende kisha të ruajtura faturat që kisha paguar në lokal. Por, në qoftë se do të kisha pranuar variantin e Shtëpisë së Oficerëve, që gjithashtu prapë me pagesë do të ishte bërë dhe ishte plotësisht i ligjshëm, kushedi çdo të kishin sajuar mjeshtërit e atyre punëve.
Megjithatë, në ato situata ishte e vështirë të shpëtoje pa ndonjë ngarkesë të sajuar. Kështu, sikurse e mora vesh më vonë, diku në një organizatë, në adresën time, ishte thënë, se kur kisha martuar vajzën e madhe, mobiliet i kisha sjellë nga Suedia. Ndonjëherë është vështirë të besohen disa gjëra, por kujt mund t'i shkonte mendja e stërholluar deri në atë mënyrë, që për atë kohë ishte plotësisht e parealizueshme. Por edhe në ditët e sotme, ndodh që çfarë nuk sajohet për të denigruar dikë, që nuk pajtohet me mendimin e drejtuesit. Këtyre farë drejtuesish u shkojnë pas edhe disa gjuetarë të poshtër mediatikë, të cilët janë të njohur për karakterin e tyre të ulët dhe sahanlëpirës. Teorinë e Gebelsit: "Shpif, se diçka do mbetet", këta soj njerëzish e kanë përvetësuar më së miri.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), 19 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)