TIRANË- Ditën e enjte pritet që kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe kryeministri Edi Rama të kenë një ‘përballje’ sa i takon çështjes së hetimit të zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal. Konferenca e Kryetarëve që u mblodh ditën e sotme miratoi kërkesën e Alibeajt për të zhvilluar një interpelancë urgjente me kreun e qeverisë, në të cilën do t’i kërkojë të shpjegojë të gjitha takimet që Rama ka pasur me McGonigal. Interpelanca pritet të mbahet seancën e ardhshme, që do të thotë ditën e enjte me 2 shkurt.
Ndërkohë, përfaqësuesja e PD në Konferencën e Kryetarëve, Flutura Açka ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si u mbyll seanca e shkuar, të cilën opozita e cilëson si një strategji për t’iu shmangur debatit për McGonigal. Açka e quajti fashizëm Parlamentar atë që ndodhi në seancën e së enjtes në Kuvend.
"Po ndodh fashistizimi i Parlamentit. Në nuk jemi as prokurorë dhe as inkuizitorë por jemi mandatuar të kërkojmë llogari dhe mbyllja e seancës është shkelje e Rregullores së Parlamentit dhe Kushtetutës së Republikës", - mësohet të ketë thënë deputetja demokrate.
Në kërkesën e depozituar, të cilën Report Tv e disponon, thuhet se kryeministri Rama duhet të shpjegojë katër takimet që ka zhvilluar me zyrtarin e FBI-së dhe kush janë personat që kanë qenë të pranishëm. Sipas Alibeajt, akt-akuza e publikuar nga drejtësia amerikane dëshmon se personat e përfshirë në këtë çështje kishin si qëllim të sajonin historinë e rublave ruse, të favorizohej Agron Neza dhe Dorian Duçka për të përfituar licenca koncesionare në sektorin e naftës, si edhe që zyrtari i FBI-së të merrte 225 mijë eurot dhe të përfitonte në biznes.
Alibeaj ka ngritur disa pyetje për të cilat duhet të përgjigjet kryeministri Edi Rama, mes tyre të jepet një përgjigje sesi ish-zyrtari i FBI-së mori 225 mijë eurot pas takimit me Ramën, në cilën cilësi e ka takuar McGonigals, si person privat apo të dërguar nga FBI. Alibeaj ngre pyetjen se cila është marrëdhënia e Ramës me Dorian Duçkën dhe përse u është dhënë një koncesionin nafte një kompanie të lidhur me Neza dhe McGonigal. Kreu i grupit të PD-së kërkon shpjegime përse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes nën sanksione amerikane.
Kjo kërkesë e Alibeajt vjen pas debateve të shumta që u zhvilluan në Kuvend për takimet e Ramës me McGonigal. Opozita ka akuzuar në bllok Ramën se ka lobuar përmes zyrtarit të FBI-së kundër saj. Alibeaj kërkoi që të futej në rend dite diskutimet për takimet e Ramës me zyrtarin e FBI-së, por kërkesa u rrëzua. Kështu që ai dorëzoi një kërkesë për interpelancë. Ndërkohë, që nuk u pranua as kërkesa e grupit të Sali Berishës për mocion me debat. Kjo krijoi kaos në Kuvend, pasi Sali Berisha bllokoi foltoren dhe u përjashtua nga Kuvendi, ndërsa seanca u mbyll pa diskutime.
Mungesën e Ramës në seancën e kaluar, opozita e komentoi duke thënë se ka frikë të flasë për lidhjet me McGonigal. Ndërkohë që Nuk dihet nëse Edi Rama do të marrë pjesë në interpelancën e kërkuar nga Alibeaj, apo do t’ia delegojë atë një anëtari të kabinetit qeveritar. Vetë Rama ka pranuar se e ka takuar ish-zyrtarin e FBI-së, teksa ka theksuar se nuk ka as ai dhe asnjë person nga qeveria s’ka lidhje me hetimin në SHBA.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.
Mendoni qe takimet e kryeministrit regjistrohen me audio,ose me stenografe? Mund t'i jepnin fund supozimeve e dyshimeve,po te behen publike.
PërgjigjuO Edo...e ke qelbur fare ne cdo drejtim.Nuk e di kush te genjen me shifra por nuk ke me mbeshtetje ne popull.
PërgjigjuVene si cjapi tek kasapi e pastaj ankohen haaaa
PërgjigjuPo normal qe do moratohet kerkesa e Alibeajt, sepse grupi i Berishes eshte, me date 2 shkurt nuk eshte ne kuvend, sepse eshte i perjashtuar. Alibeaj cdo veprim e ben ne koordinim me Ballen dhe KM.
Përgjigju