Anëtari i PD Ilir Alimehmeti shpreh ambicien për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore për drejtimin e kryeqytetit. Në një intervistë në ‘Sot, Live në Shqipëri’ , në Report Tv, Alimehmeti sqaron se e vetmja ambicie e tij është Bashkia e Tiranës dhe nuk aspiron për poste drejtuese në Partinë Demokratike.
“Nuk garoj për kryetar të PD. As si Sekretar i Përgjithshëm. Për bashkinë e Tiranës e kam dhënë disponibilitetin që në vitin 2022. Jam koherent me vendimet. Do e vendosin vendimmarrësit”, tha Alimehmeti.
Përballë tij në panel qëndronte ish-deputeti i PS Petro Koçi, i cili shprehu mbështetjen për Erion Braçen, për të cilin tha se është i aftë të mbledhë më shumë vota se çdo kandidat tjetër në PS.
“Për Erionin kam vetëm një këshille, të jetë më i vetëpërmbajtur. E mbështes për 2 arsye, e para se ai merr më shumë vota se çdo kandidat tjetër. E dyta sepse është e sigurtë që do të jetë më autonom. Përballë Alimehmetit, Erioni do të fitonte”, tha Koçi.
Në studio u diskutua dhe protesta e fundit e Partisë Demokratike e zhvilluar më 17 prill. Alimehmeti nuk e mohoi se PD duhet të frymëzojë qytetarë për pjesëmarrje, por dha si argument për numrat e ulët, frikën që njerëzit kanë për të mbështetur opozitën për shkak të monitorimit që u bëhet nga mazhoranca.
“Protesta nuk duhet të marrë si e veçuar, nuk është në episod i vetëm. Merremi me episode minore dhe na humb nga sytë gjëja e madhe. Ne jetojmë sot në një komunitet të shqetësuar. Nëse jemi në situata që njerëzit që na takojnë n rrugë thonë kam frikë të të bëj një like në facebook sepse na shohim. Fakt është që vetëm PD është në terren. Është partia e madhe opozitare. Të rinjtë i kanë zbuar. Është detyrë edhe e opozitës të frymëzojë, edhe me numra më të vegjël janë arritur shumë më tepër”, tha Alimehmeti.
Ish-deputeti socialist thotë se protestat organizohen për qëllime personale të Berishës, e para; për dominancë në raport me zgjedhjet e brendshme dhe e dyta; për domimancë të gjithë opozitës në raport dhe me lëvizjen “rebele” të drejtuar nga Ervin Salianji.
“Pjesa e opozitës që komandohet nga Berisha i bën këto protesta për 2 qëllime, e para për të dominuar pasi që së shpejti do ketë një proces zgjedhor të brendshëm. Në këtë kuptim, ka dhe një lëvizje që drejtohet nga Salianji, i duhet kjo frymë për të dominuar shpirtin politik. Qëllimi i dytë është për të dominuar opozitën në raport me partitë e tjera opozitare. Efekti politik ka prap 2 aspekte të tjera negative, e para mendoj se këto janë protesta që nuk i shkaktojnë ndonjë tërmet mazhorancës, përkundrazi mendoj se e konsolidojnë më tepër se pavarësish vërejtjeve, qytetarët do të zgjedhin Ramën përballë Berishës. Efekti më negativ është për vetë shpirtin e protestës në përgjithësi”, tha Koçi.
Alimehmeti u shpreh se zgjedhjet brenda në PD pritet të risjellin formimin e një strukture të re drejtuese që do të vendosë për strategjinë që do të ndiqet në të ardhmen, ndërsa tha se Partia Demokratike ka nevojë të hapet dhe të shkojë përtej vetes.
“Unë mendoj që PD duhet rritur. Duhet të shtojë dhe përtej PD, shumë më shumë se kaq. Duhet ë dalë përtej vetes. Kemi një proces zgjedhor që do të riprodhojë një strukturë drejtuese që do të vonesë strategjinë e linjën se si do të ecet përpara”, tha Ilir Alimehmeti.
Komente











