Alternativa e mungua

Alternativa e mungua
Boshllëku që ka lënë Partia Demokratike në Kuvend duket se do marrë zgjidhje në javët në vazhdim, kur të gjithë deputetëve të opozitës t’u vihet në diskutim mandati. Basha nuk do të guxojë të shkojë në asgjësim të gjithë mandateve të opozitës, megjithëse do ta dëshironte shumë largimin e disa emrave që nuk i mban dot nga pas, për shkak të të kaluarës që kanë. Me këta emra, ish-ministra apo ish-drejtues të lartë në institucione të ndryshme, PD ka një problem shumë të madh, që e lë pa shumë argumenta përballë mazhorancës.

Akuzat për dyshen Rama-Meta pothuajse zerohen kur njerëzit shikojnë se kush i artikulon këto akuza.

PD nisi një rinovim me emra të strukturave të saj drejtuese, rinovim, që nuk do të japë efektet e saj maksimale, nëse PD nuk ndryshon mënyren se si po bën opozitë. E gjithë lufta politike deri më tani është “denoncim” për qeverinë aktuale dhe mbrojtjen e asaj që bëri qeveria e kaluar. Kjo mënyrë nuk ka për të dhënë rezultatet që duhet dhe, për më tepër, ka për ta dëmtuar këtë forcë politike, ndërsa zgjedhjet vendore janë shumë pranë. PD duket se e ka bazuar strategjinë e zgjedhjeve te ndonjë lojë politike me KQZ-në, që po provokon referendum për të rrëzuar ndarjen e re elektorale.

Deri para pak javësh, në këtë skemë bënte pjesë edhe Gjykata Kushtetuese, por së fundmi ishte Presidenti i Republikës që, rastësisht, zbuloi që kjo Gjykatë nuk do t’i shkojë më nga pas PD-së dhe ish-kryeministrit. Nishani, një president që qartazi mban krahun e ish-mazhorancës, paralajmëroi Gjykatën Kushtetuese të mos bëhej pjesë e lojrave politike. Nisur nga loja dhe lojtarët, paralajmërimi i Presidentit ishte më shumë një sinjal se Kushtetuesja po binte nën ndikimin e qeverisë. Nga mënyra se si janë sjellë një pjesë e anëtarëve të kësaj Gjykate, nuk është e lehtë të besohet se, për shkak të interesave që nuk lidhen me Kushtetutën, të bëhen lehtësisht të akuzueshëm në vendimet që mund të marrin.

Nga ana tjetër, është ende KQZ e mangët, e cila, me katër anëtarë, duket sikur po merr vendime që po rrëzojnë vullnetin e shumicës parlamentare më të madhe që vendi ka patur ndonjëherë. Letra më e fundit, e dalë nga KQZ, për t’i dhënë të drejtën edhe Bashkisë së Leskovikut të mbledhë firmat për të mbajtur një referendum nëse janë njerëzit apo jo dakord me ndarjen e re elektorale, është një përpjekje e qartë për t’u bërë pjesë e një skeme politike, që në PD është menduar për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

Por mazhoranca nuk është aspak qorre. Mes Ramës e Metës ka nisur diskutimi për të gjetur mënyrën se si KQZ të riformatohet plotësisht, duke ndryshuar balancat në këtë institucion. Denar Biba, ish-nënkryetar i këtij institucioni, pritet të rikthehet atje dhe KQZ e re do të hedhë më pas poshtë të gjitha referendumet për ndarjen elektorale. Për këtë arsye, skema e PD-së është tërësisht e dobët.

Por edhe mënyra se si ajo po bën opozitë është e mangët. Ndërsa padit - me të drejtë - drejtues lokalë të OSHEE-së si hajdutë të energjisë, PD e lë akuzën vetëm me kaq dhe nuk e vijon më tej atë që duhet të bënte realisht: të prezantojë një projekt ndryshe se si ajo mendon ta zgjidhë çështjen e energjisë dhe mospagesave. Akuzat e bëra me të drejtë nuk mund të japin ndonjë efekt elektoral të dukshëm, në një kohë kur kryeministri reagon mënjëherë, duke shkarkuar e, më pas, duke arrestuar edhe drejtorët hajdutë.

Edhe aksioni për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje është një mënyrë shumë e mirë që opozita të tërheqë elektorat, por deklarimet e përfaqësuesve të PD-së lidhen vetëm me atë që quhet aksion preferencial, duke shkatërruar disa ndërtime, por duke lënë në këmbë shumë të tjera, që kanë lidhje me njerëz të pushtetit. Edhe ky argument është zgjedhur të rrëzohet nga ana e mazhorancës.

E vetmja pikë ku PD e ka një ide të qartë dhe e formulon, është në lidhje me taksimin. Por edhe këtu opozita përmend një skemë të kaluar me taksimin e sheshtë.

Ajo që opozitës po i mungon ende është freskimi me ide të reja, bashkë me fytyrat e reja, që kanë ardhur në parti. Mbledhja e aq shumë protestuesve në shesh para Kryeministrisë nuk është aspak një shenjë se opozita ka rritur përkrahësit, sepse në atë protestë kishte vërtet shumë të pakënaqur me qeverinë, por ata ishin përkrahësit e opozitës, që në protestë do të dilnin edhe sikur mos kishte fare aksion për ndërtimet pa leje, energjinë apo çfarëdo tjetër. Por shumica e popullit, ata që vendosën me votë se kush do të jetë në qeverisje, nuk dëgjuan nga drejtuesit e opozitës asnjë alternativë, asnjë mënyrë tjetër se si do t’i bënte punët Basha nëse do të ishte ai kryeministri.

Opozitës së sotme i mungon qartazi entusiazmi, ajo frymë besimi të njerëzit e saj dhe projekti i saj që, edhe nëse nuk do të ndryshonte balancat e pushtetit, të paktën nuk do ta linte vendin pa opozitë. Rama dhe Meta, të dy së bashku dhe me aleancat fluide të Shpëtim Idrizit, janë në gjendje që, në atë parlament, të ndryshojnë gjithçka: që nga ligjet, deri edhe vetë Kushtetutën apo edhe Kodin Zgjedhor.

Dhe nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një ditë e zezë për demokracinë në Shqipëri. Asnjë njeri nuk mund të jetë aq i përsosur sa të mos bëjë gabime pa patur një mendim kundër përballë apo edhe një opozitë në Kuvend… 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS