Altimari, një pikë referimi për 
albanologjinë dhe arbëreshët

Altimari, një pikë referimi për <br />albanologjinë dhe arbëreshët
Gjatë viteve ’70 të shekullit të shkuar, pas një periudhe të gjatë amullie që zuri fill me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, albanologjia italiane hyri në një fazë të re zhvillimi që vijon edhe sot e kësaj dite. Gjatë dhjetëvjeçarit që pasoi kongreset dhe seminaret e organizuara periodikisht nga katedrat universitare të Kalabrisë dhe të Palermos jo vetëm që e shpëtuan albanologjinë italiane nga rreziku i mbylljes në kullën e fildishtë të akademisë, por i siguruan asaj rezultate shkencore të pamohueshme.

Gjatë asaj periudhe intensive u shfaqën në skenë disa breza studiuesish, ndër të cilët më të rinjtë ia detyrojnë pikërisht asaj faze tensionesh ideale formimin e tyre shkencor dhe akademik. Mes personaliteteve të shumta që do të ruanin rol gjithmonë e më të rëndësishëm, spikat figura e Francesco Altimarit, të riut nga Shën Mitri që ishte diplomuar në të vetmin lice italian që kishte një katedër gjuhe dhe letërsie shqipe e që asokohe studionte në kursin e gjuhëve dhe letërsive të huaja të universitetit të sapongritur të Kalabrisë (Unical).

Emri i tij shfaqet për të parën herë në vitin 1974 si autor i dy poezive dygjuhëshe dhe i një recensioni botuar në faqet e Zjarrit, revistës së shquar themeluar nga i ndjeri papas Giuseppe Faracco, promovues i palodhur i jetës kulturore arbëreshe, i cili mblodhi rreth redaksisë së asaj reviste intelektualët më të shquar të kohës, si papas Francesco Solano, Luca Perrone, Innocenzo Mazziotti, Domenico Cassiano, të lartpërmendurit Ernesto Koliqi, Martin Camaj, Namik Ressuli, shumë profesorë të Universitetit të Kalabrisë, si edhe autorët më në zë të letërsisë arbëreshe, mes të cilëve dua të kujtoj poetët Vincenzo Belmonte dhe Giuseppe Schirò-Di Maggio.

Qysh prej asaj kohe Altimari bashkëpunoi aktivisht në ngritjen e nivelit kulturor të revistës, duke u shquar qoftë për recensionet e shumta, qoftë për kontributet e tjera shkencore që paralajmëruan përtëritjen rrënjësore të disa lëmenjve të albanologjisë, veçanërisht të filologjisë, të kritikës letrare dhe të gjuhësisë shqipe. Botimi i veprës së poetit popullor nga Shën Mitri Costantino Bellusci La Commediante, përbën përpjekjen e parë të zbatimit të një procedure ekdotike që e sheh gjuhën e tekstit si një organizëm të gjallë e jo si fosile për t’u analizuar pa lidhje të drejtpërdrejta me realitetin gjuhësor përkatës.

Trajtimi i çështjeve si datimi, autorësia, krahasimi i botimit të shtypur të përgatitur nga Jeronim De Rada me versionin dorëshkrim, analiza e stilit, e sistemit grafik dhe alfabetik etj. dëshmojnë procedurën ekdotike të ndjekur asokohe nga Altimari dhe hedhin dritë mbi fillimet e metodës filologjike që do të karakterizojë punimet e tij të mëvonshme.

Bashkëpunimi i gjatë me revistën Zjarri, që do të vazhdojë deri në mbylljen e revistës gjatë gjysmës së parë të viteve ’90, tërhoqi vëmendjen e studiuesve italianë dhe sidomos atyre shqiptarë, mes të cilëve kujtoj të ndjerin Eqrem Çabej, që pati një letërkëmbim të pasur me Altimarin. Revista Zjarri, duke mirëpritur bashkëpunimin dhe kontributet e studiuesve shqiptarë, i dha fill një periudhe shpresash të mëdha në marrëdhëniet e ardhme me Shqipërinë përmes shkëmbimeve kulturore shqiptaro-arbëreshe.

Nga ana e saj katedra albanologjike e Universitetit të Kalabrisë e drejtuar me largpamësi nga prof. Francesco Solano i dha një shtysë të mëtejme forcimit marrëdhënieve ndëruniversitare.

Në vitin 1977 për herë të parë studentët arbëreshë shkuan në Shqipëri për të ndjekur kurset e gjuhës dhe të kulturës shqiptare, organizuar nga Universiteti i Tiranës. Kjo klimë e re bashkëpunimi me Shqipërinë e izoluar të kohës ishte e frytshme qoftë për intelektualët dhe studiuesit shqiptarë, të cilët qysh nga gjysma e parë e viteve ’70 mundën të vizitonin komunitetet arbëreshe të Italisë, qoftë edhe për studentët dhe studiuesit arbëreshë, të cilëve iu dha mundësia të njihnin realitetin gjuhësor dhe kulturor të atdheut të të parëve. Ndërkohë u hapën dyert e gjysmës tjetër të botës shqiptare në Ballkan, Kosovës.

Në vitin 1974 Fakulteti filozofik i Universitetit të Prishtinës, duke nisur organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u dha mundësi shumë studiuesve europianë si edhe një numri të madh arbëreshësh, të merrnin pjesë aktivisht në takimet e përvitshme shkencore dhe kulturore që i kapërcenin pengesat ideologjike të luftës së ftohtë.

S’ka dyshim se fama që shoqëron figurën profesionale dhe veprën shkencore e kulturore të Altimarit në trojet shqiptare të Ballkanit, përfshirë Maqedoninë dhe Greqinë, i ka rrënjët në veprimtarinë e tij kulturore që u ngjiz rreth revistës Zjarri. Ajo përvojë jo vetëm që do të ndikojë në fazën e parë të formimit të tij, por do të përcaktojë edhe koordinatat shkencore të angazhimit të tij të ardhshëm albanologjik, që pas marrjes së diplomës në vitin 1978, do të zhvillohet në Universitetin e Kalabrisë.

Në vitin 1980 prof. Solano e thirri si bashkëpunëtor në rolin e lektorit. Pas një burse studimi DAAD (Deutscher Akademischer Austauschdienst) pranë universitetit të Mannheim-it dhe atij të Mynihut “Ludëig Maximilians”, Altimari do të ngjitë me shpejtësi shkallët e karrierës akademike, fillimisht si kërkues shkencor (1987-1988), pastaj si profesor i asociuar (1989-1991), e së fundi, nga viti 1991, si profesor ordinar i gjuhës dhe i  letërsisë shqipe.

Prej atij viti ka qenë disa herë drejtor departamenti, kryetar i kursit të diplomës dhe zëvendësrektor i Universitetit të Kalabrisë, duke u shquar edhe si drejtues dhe organizator i shkëlqyer.

Pasi zëvendësoi në vitin 1991 prof. Solanon, Altimari e udhëhoqi katedrën e albanologjisë drejt një faze rritjeje të jashtëzakonshme, duke e shndërruar atë në një realitet shkencor tejet vital dhe produktiv falë një sëre nismash që meritojnë të kujtohen shkurt. Atij i detyrohet themelimi i Seksionit të Albanologjisë të Universitetit të Kalabrisë, që përbën boshtin e nismave shkencore dhe kulturore si edhe një pikë referimi për albanologjinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Karizmës dhe autoritetit të tij i detyrohet edhe shtrirja graduale e albanologjisë në universitete të tjera italiane si edhe rritja e numrit të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ky rezultat u arrit edhe falë ngritjes pranë universitetit të Kalabrisë të kursit të doktoratës në Albanologji, i vetmi i ngritur deri më sot  në Itali, që në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, nga viti 1991 deri në vitin 1999 garantoi specializimin shkencor të shumë studiuesve të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve sot punon në universitete të ndryshme italiane.

Ajo përvojë u vijua me kursin e doktoratës ndërkombëtare në Filologji dhe gjuhësi shqipe, miratuar dhe financuar nga Ministria e Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor në kuadrin e programit të ndërkombëtarizimit të sistemit universitar (1998-2000). Në këtë kurs të ri doktorate që u ngrit me nismën e Altimarit në vitin 2001 dhe përfundoi në vitin 2005, morën pjesë universitetet e Kalabrisë, Firences, Palermos, Leçes, Tiranës, Shkodrës dhe Prishtinës.

Pa lënë mënjanë marrëveshjen për shkëmbimin e lektorëve me Universitetin e Tiranës që u krijoi mundësinë shumë studiuesve të rinj shqiptarë të zhvillonin një lloj stazhi pranë Universitetit të Kalabrisë, duhet përmendur edhe themelimi i Fondacionit universitar “Francesco Solano”, botues i revistës albanologjike Res Albanicæ, që drejtohet nga Altimari.

Përsa i përket didaktikës Altimari ka meritën që ka përshpejtuar procesin e modernizimit dhe të rinovimit të disiplinave që tradicionalisht përbënin thelbin e mësimdhënies albanologjike. Falë kompetencës së tij të veçantë, disiplina si “Të folmet e arbëreshëve të Italisë”, “Filologjia shqipe”, “Filologjia dhe gjuhësia ballkanike”, “Gjuhësia shqipe”, përveç lëndës klasike “Gjuha dhe letërsia shqipe”, u përtërinë dhe u përditësuan.

Mjafton t’u hedhim një sy tezave të punimeve të diplomës që ka udhëhequr Altimari gjatë tridhjetë vjetëve për të pasur një ide qoftë për morinë e çështjeve të trajtuara dhe të rezultateve të arritura që sot janë në dispozicion të studiuesve të sektorëve të ndryshëm, qoftë edhe për nivelin e lartë të studentëve, në pjesën më të madhe arbëreshë, por sidomos për larminë e metodologjive dhe teknologjitë e përparuara, që janë shtënë në punë për kërkimin shkencor.

“Revolucioni teknologjik” ka qenë një nga arritjet kryesore të Altimarit, përmes futjes në përdorim të mjeteve informatike që favorizuan zhvillimin e disa hipotezave ambicioze të kërkimit, rezultatet e të cilave janë tashmë në dispozicion të studiuesve të sotëm. Modernizimi teknologjik e zuri fillin aty nga fundi i viteve ’80, por qysh në gjysmën e parë të dhjetëvjeçarit pasues u shfaqën rezultatet e para në disa lëmenj të albanologjisë.

Në vitin 1990 mori udhë projekti BETA (Biblioteka elektronike me Tekste Arbëreshe/Shqiptare), i hartuar nga Departamenti i Gjuhësisë në Universitetin e Kalabrisë, që synonte mbledhjen dhe trajtimin informatik të teksteve letrare arbëreshe.

Në artikullin me titull:  “Il contributo di alcuni nuovi indirizzi metodologici per il rinnovamento dell’albanologia contemporanea: La Lessicografia Testuale computerizzata” (Ndihmesa e disa drejtimeve të reja metodologjike për përtëritjen e albanologjisë bashkëkohore: Leksikografia Tekstuale e kompjuterizuar), Altimari shtjellon hollësisht strukturën dhe fazat e këtij projekti, i cili do të sillte kontribute në së paku katër lëmenj klasikë të albanologjisë: filologjinë, dialektologjinë, leksikografinë dhe kritikën letrare.

Programi që synonte krijimin e një baze të dhënash leksikografike dhe hartimin e një fjalori poetik të arbërishtes së periudhës nga shek. XVI deri në Rilindjen Kombëtare, mbështetej në dy shtylla kryesore: së pari, në botimet kritike të veprave letrare të traditës arbëreshe përmes një qasjeje ekdotike moderne dhe efikase; së dyti në trajtimin informatik të teksteve kritike për krijimin e konkordancave leksikore, që do të viheshin në dispozicion të studiuesve bashkë me tekstet kritike përkatëse.
 
Studiuesi origjinal i Naim Frashërit e De Radës
 
Disa vjet më vonë, pikërisht në vitin 1994, me përgatitjen e botimit kritik të poemës Bagëti’ e Bujqësija të Naim Frashërit, Altimari i hapte shtegun prirjes së re që do të karakterizonte albanologjinë italiane në një nga sektorët e vet klasikë, në atë të filologjisë. Ndikimi i këtij botimi në lëmin e ekdotikës ishte vendimtar jo vetëm në Itali, por edhe në trojet shqipfolëse të Ballkanit, ku filologjia klasike ishte lënë pas dore për arsye ideologjike.

Në fakt, thuajse të gjitha botimet kritike që dolën më pas, jo vetëm që rimarrin impostimin filologjik të Altimarit, por dëshmojnë edhe efikasitetin e tij. I tillë është rasti i botimit kritik monumental të veprës së plotë të Jeronim De Radës në dymbëdhjetë vëllime, si edhe shumë botime të tjera të një grupi studiuesish arbëreshë dhe shqiptarë që kanë përshtatur modelin e Altimarit.

Rivlerësimi i analizës tekstore dhe implementimi i saj me ndihmën e mjeteve informatike shërbyen si shtysë edhe për projekte të tjera kërkimi që lindën si zhvillim i natyrshëm i projektit BETA. Mes këtyre përmendim së pari Arkivin leksikografik arbëresh (Archivio Lessicografico Arbëresh - ALEA), promovuar dhe bashkërenduar nga Altimari.

Është fjala për një projekt leksikografie elektronike që parashikon krijimin e një banke të dhënash informatike mbi pasurinë leksikore arbëreshe që shtrihet përtej traditës së shkruar letrare. Kjo platformë e re informatike, që do të jetë e disponueshme online, përfshin leksikografinë dialektore të të folmeve arbëreshe të Italisë  falë vjeljes sistematike në terren që ka organizuar gjatë tridhjetë viteve të fundit seksioni i albanologjisë i universitetit të Kalabrisë. 

Krahas këtij projekti u zhvilluan edhe të tjerë të organizuar nga Altimari, si Lessico Albanese d’Italia (LAI), Dizionario Toponomastico Arbëresh (DTA), Archivio Digitale Arbëresh (ADA), Biblioteca Elettronica dei Siti Arbëreshë (BESA) dhe Archivio vocale arbëresh të cilët gjenden tashmë online në sitin e Seksionit të Albanologjisë.

Së fundi duam të përmendim drejtimin shkencor dhe bashkërendimin e projektit Vatra, realizimi i të cilit jo vetëm që favorizoi institucionalizimin e një rrjeti bibliotekash italiane dhe ballkanike me fonde albanologjike, por mundësoi për të parën herë në historinë e albanologjisë italiane organizimin e dy shkollave verore ndërkombëtare, njëra për italishten (SEII), tjetra për albanologjinë dhe ballkanistikën (SEIAB), të dyja të frekuentuara nga studentë prej vendeve europiane dhe ballkanike.

Kjo strategji komplekse bazuar krejtësisht një një operacion global dhe sistematik mbledhjeje, katalogimi dhe studimi të visareve arbëreshe, synon t’u rikthejë komuniteteve arbëreshe pasurinë gjuhësore që ato kanë ruajtur me fanatizëm për shekuj me radhë.

Arritjes së këtij objektivi Altimari i ka kushtuar shumë studime paraprake gjuhësore, sociolinguistike, dhe didaktike, qoftë duke ndjekur me vëmendje prodhimin e materialeve didaktike dhe divulgative që synojnë rivitalizimin e dialekteve, qoftë duke organizuar kurse të arbërishtes. Mësimi dhe përdorimi i shqipes standarde përbën pikën më të lartë të strategjisë didaktiko-shkencore të Altimarit, qëllimi i të cilit nuk është vetëm të kapërcehet gjendja aktuale e diglosisë së arbëreshëve të cilët me shkrim përdorin vetëm italishten, por edhe t’i pajisë folësit e arbërishtes me një gjuhë “çati” që të mund t’i vërë fre qoftë heteroglosisë së sotme, qoftë qëndrimeve ekstreme të disa operatorëve.

Në modelin didaktik të Altimarit parashikohet një kalim nga oraliteti te shkrimi që e ndan në tri faza kompetencën gjuhësore të arbëreshëve: atë të mësuar në nivelin gojor; atë që karakterizon varietetet arbëreshe dhe, së fundi, atë që përkufizon shqipen e përbashkët, ose thënë ndryshe atë varietet “që bazohet kryesisht në modelin drejtshkrimor, fonologjik dhe morfologjik të shqipes standarde, por me njëfarë fleksibiliteti normativ”.

Këto nisma të ndërmarra nga Altimari i detyrohen në radhë të parë formimit të tij shkencor, që është ngjizur në truallin e traditës së gjuhësisë shqipe. Duke ndjekur hullinë e mësimeve të albanologëve Francesco Solano dhe Antonino Guzzetta si edhe duke bashkëpunuar me gjuhëtarë si Giovan Battista Pellegrini, Riccardo Ambrosini, Giancarlo Bolognesi, Leonardo M. Savoia, John Trumper, Giuseppe Restelli dhe shumë studiues të tjerë italianë që kanë dhënë ndihmesa të shquara në fushën e shqipes, Altimari ia ka dalë ta përfshijë gjuhësinë shqipe mes disiplinave që gëzojnë prestigj dhe respekt në Itali, duke e mbajtur të gjallë interesin shkencor që e kishte zënë fillin me studimet e mëparshme të gjuhëtarëve Francesco Ribezzo, Carlo Tagliavini, Vittore Pisani.

Nuk është e rastit që ndër studimet e tij kryesore gjenden kontribute gjuhësore që e pasurojnë qoftë ballkanistikën, qoftë albanologjinë, përfshirë këtu studimet e veçanta mbi pasojat e kontakteve të dialekteve arbëreshe me të folmet romane. Kërkimet e tij mbi çështje të veçanta të historisë së shqipes, si ato mbi kohët dhe mënyrat foljore, mbi përdorimin e prezuntivit, mbi trajtat e së ardhmes, mbi paskajoren etj. kanë shtruar nevojën e rishikimit të disa fakteve gjuhësore që në të shkuarën trajtoheshin gabimisht si ndikime normale të kontaktit gjuhësor me të folmet romane, por që, sipas Altimarit, janë mirëfilli ballkanizma të lashtë.

Sugjestive janë edhe kërkimet e zhvilluara në lëmin e leksikologjisë, të onomastikës dhe të toponomastikës, rezultatet e të cilave janë përfshirë në platformat elektronike të projekteve që zumë ngoje më lart.
 
Altimari si albanolog

Kuadrin e figurës së albanologut e plotësojnë kontributet që Altimari ka dhënë në lëmin e kritikës letrare dhe në atë të historisë kulturore. Këto punime, duke zbatuar metodologji të reja kërkimi, kanë nxjerrë në pah aspekte të panjohura më parë nga kritika letrare albanologjike. Analiza strukturore e disa prej miteve kryesore të letërsisë së kultivuar arbëreshe, – fjala vjen, miti i Skënderbeut, ose miti “pellazgjik” – nxori në pah rolin që kanë lozur arbëreshët, veçanërisht folklori dhe tradita gojore në procesin e krijimit të identitetit kombëtar gjatë lëvizjes së Rilindjes, nga fillimet deri te Pavarësia e Shqipërisë.

Analiza e këtyre miteve ka rrokur hetimin e rrënjëve të lashta ballkanike dhe fetare, ndikimin e kozmogonive arkaike, deri të ripërpunimet e sofistikuara të kohëve tona. I tillë është, fjala vjen, rasti baladës së famshme të Kostandinit dhe Doruntinës që Altimari e ka trajtuar në parathënien e botimit të fundit të romanit të Kadaresë Kush e solli Doruntinën, nga njëra anë duke u shkëputur prej rrezikut të trajtimeve historistike e nga ana tjetër duke ndjekur një shteg mirëfilli antropologjik.

Jo më pak rëndësi kanë rezultatet e kërkimeve historiko-kulturore në mjedisin arbëresh, sidomos ato mbi dinamikat dhe dukuritë që gjatë shek. XVIII përcaktuan zhvillimin e identitetit arbëresh. Merita e Altimarit është se përmes studimeve të tij ka vërtetuar se ideologjia albaniste jo vetëm që zuri fill gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII, por pati si vatër qytetin e Napolit, kryeqendrën e Mbretërisë së Dy Sicilive, ku arbëreshët që vinin nga trevat e ndryshme të Italisë së Jugut takoheshin dhe shkëmbenin idetë duke promovuar atë stinë kulturore të papërsëritshme që do të krijonte lëvizjen romantike të Rilindjes.

Falë këtij impostimi të ri është bërë i mundur rindërtimi i marrëdhënieve përmes të cilave u krijua një simbiozë ideologjiko-kulturore mes dy brigjeve të Adriatikut, çka lejoi  depërtimin në trevat ballkanike të temave, ideve dhe miteve që ushqyen kulturën politike nacionaliste të elitave intelektuale shqiptare. Me fjalë të tjera, Altimarit i detyrohet rishikimi sistematik i impiantit ideologjik arbëresh që u përçua me vështirësi gjatë shekullit të shkuar dhe që, falë shtysave kritike, po përjeton një rishqyrtim të shëndetshëm edhe përmes çmitizimeve të guximshme të disa besëtytnive historiografike.

Nuk është e rastit që thënia Gustavo Mahler-it, “tradita është mbajtja gjallë e zjarrit, jo adhurimi i hirit”, është përdorur shpesh nga Altimari për t’i nxitur të rinjtë të përmbysin me shpirtin e tyre kritik të ashtuquajturat “të vërteta” të traditës me një relativizëm të përndritur, të shëndetshëm dhe progresiv që mundëson rinovimin e traditës, përsëritjen e vlerave dhe gjallërimin e shpirtit të të parëve, të cilët në kohë më të vështira ia dolën të përvetësonin risitë e epokës së tyre dhe t’i përdornin ato për të ardhmen e komunitetit arbëresh.

Ky është mesazhi universal që ka sjellë Altimari gjatë këtyre tre dhjetëvjeçarëve të veprimtarisë së tij si studiues, albanolog, intelektual dhe, për sa më takon mua dhe të tjerëve si unë që kanë nderin ta njohin nga afër, si njeri. Mirësia, mirësjellja, bujaria, besnikëria dhe gatishmëria janë tiparet që e shquajnë atë dhe që më bëjnë të them edhe në emrin e miqve të tjerë të përbashkët, se Altimari, përveçse intelektual i shquar, është edhe miku i dashur që të gjithë do të donin të kishin.

Për komunitetin arbëresh dhe për albanologjinë ai ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në të ardhmen një pikë referimi e pazëvendësueshme. Tani le t’ia lëmë pasardhësve nderin t’i japin Francesco Altimarit përkufizimin “njeri-territor”. Neve, bashkëkohësve të tij na mbetet nderi dhe privilegji ta falënderojmë për punën e kryer deri më sot dhe për atë që do të kryejë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Ndaj edhe urimi më i mirë për të sot është: Edhe 100 !
 

Albanologu arbëresh feston 60-vjetorin e lindjes në Tiranë
 
Albanologut dhe studiuesit arbëresh, Francesco Altimari, i është bërë një surprizë dje për 60-vjetorin e lindjes. Akademia e Shkencave dhe Fondacioni “Noli” organizuan promovimin e librit “Studime” me rreth 60 studime të tijat albanologjike. U çel nga Floresha Dado që foli për kontributin e Altimarit në gjuhësinë shqipe e disiplina të tjera të albanologjië. Ndërsa Kolec Topalli ka kujtuar lidhjet e hershme të gjuhëtarëve shqiptarë me ata arbëreshë, kur Altimari ishte një pikë referimi.

Seit Mansaku e Shaban Sinani vlerësuan pasionin dhe kompetencat e Altimarit për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Altimari me albanologun tjetër bashkudhetarë, Matteo Mandala, ia kanë kushtuar jetën dhe veprën e tyre komunitetit arbëresh e afirmuan identitetin e tij me metoda shkencore. Mandala ka shkruar për jetën dhe veprën e studiuesit arbëresh nga Shën Mitri i Kalabrisë, për punën në rini në revistën “Zjarri”, për kontaket e letërkëmbimet me studiuesit shqiptarë ndër vite e shkëmbimet kulturore me arbëreshët, etj.
Francesco Altimari



























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë