AMA i tërheq vëmendjen televizioneve: Kujdes me raportimet mbi COVID-19, të shmanget gjuha e urrejtjes dhe trajtimi i fëmijëve si të rritur

AMA i tërheq vëmendjen televizioneve: Kujdes me raportimet mbi COVID-19, të shmanget gjuha e urrejtjes dhe trajtimi i fëmijëve si të rritur

AMA

Përmes një mesazhi të posaçëm, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka apeluar në këtë nisje të sezonit të ri televiziv për më shumë respektim të etikës dhe rregullave nga ana e të gjithë televizioneve.

AMA e vë theksin te 'ligjet' që duhet të kihen parasysh kur raportohet për COVID-19, të respektohen kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive.

AMA apelon që të respektohen edhe fëmijët në raportime apo emisione.

"Trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara”, thuhet në mesazhin e AMA.

Mesazhi i plotë i Autoritetit të Mediave Audiovizive:

Në nisje të sezonit të ri televiziv, Autoriteti i Mediave Audiovizive uron të gjithë OSHMA-të dhe stafet e tyre: Punë të mbarë dhe suksese!

Autoriteti i Mediave Audiovizive, gjithashtu, gjen rastin të risjellë në vëmendje të OSHMA-ve detyrimet që rrjedhin nga ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kodi i Transmetimit dhe akte të tjera nënligjore në fuqi.

AMA, do të vijojë monitorimin e transmetimeve, për zbatimin e kërkesave të këtij kuadri ligjor, apo angazhimeve që vetë OSHMA-të kanë marrë përsipër në procesin e licencimit.

Parimet mbi të cilat është ngritur ligji 97/2013 kanë të bëjnë me veprimtari audiovizive të lirë, që respekton paanshmërisht të drejtën për informim, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut. Në mënyrë të veçantë kjo veprimtari respekton të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.

AMA në angazhimin për realizimin e detyrave funksionale si institucion rregullator, ka pasur dhe ka si prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive.

Emisionet me/për fëmijët krijojnë ndjeshmëri tek audienca, te fëmijët, prindërit, të afërmit apo kujdestarët e tyre. Trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara. AMA ka mirëpritur dhe mirëpret, që edhe në këtë sezon të ri të shmanget përdorimi i fëmijëve në ekran, apo transmetimi/ritransmetimi i përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, në orare që ata mendohet se janë para ekranit.

Kohët e fundit në ofertën programore të televizioneve një hapësirë të konsiderueshme ka marrë edhe trajtimi i pandemisë Covid-19.

AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht rolin dhe kontributin e redaksive audiovizive në mbulimin e ngjarjeve të aktualitetit mbi pandeminë dhe trajtimin e situatës. Në këtë sezon të ri programor, AMA beson se OSHMA-të do të kenë parasysh kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive.

AMA ju fton në mbajtjen parasysh të interesave të publikut, të balancës në paraqitjen e opinioneve, krijimin e hapësirave për ekspertët e mirëfilltë të fushës.

AMA si institucion rregullator ju fton po ashtu, për shmangien e fenomeneve të tilla si:

konfuzioni

deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara

zgjerimin/balancimin e paraqitjes së ideve dhe opinioneve, duke mos krijuar hapësira për zhvillimin e tryezave të debatit vetëm me individë jo ekspertë të fushës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive gjithashtu pret nga OSHMA-të respektimin e rregullave dhe normave të gjuhës shqipe, shmangien e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme apo deningruese në transmetimet audiovizive.

Për fillimin e këtij sezoni të ri programor audioviziv, AMA ka pritshmëri maksimale se OSHMA-të do të forcojnë edhe më shumë lirinë e shprehjes, pluralizimin dhe pavarësinë editoriale në favor të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së produkteve mediatike për publikun.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda