Ambasadorët kërcënojnë krerët
e institucioneve të Kosovës

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë takuan urgjentisht dje kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të diskutuar situatën e krijuar pas nismës së 43 deputetëve të parlamentit për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme.

Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura e larg syve të medies dhe nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera, por ai pasoi reagimet e ashpra të diplomatëve perëndimorë ndaj nismës për të diskutuar në parlament shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme për krime lufte.

Një përpjekje e një të tretës së deputetëve të Kosovës për të anuluar ligjin për krijimin e Dhomës Speciale të një gjykate për krime lufte me bazë në Hagë, krijimi i së cilës synon gjykimin e ish-anëtarëve të UÇK-së për krime të kohës së luftës dhe pas luftës, dështoi të premten, pas presioneve të mëdha ndërkombëtare dhe bojkotit të parlamentit nga një pjesë e madhe e deputetëve.

Gjykata
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin "dhomat e posaçme" do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ligji për Dhomat Speciale siguron bazën ligjore për gjykatën që filloi të funksionojë këtë vit, pas shumë vitesh bisedimesh dhe presionesh mbi Prishtinën nga BE dhe SHBA, megjithëse kjo gjykatë nuk ka filluar ende asnjë çështje. Shumë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë kanë pozicione të larta në vend, përfshirë kryeministrin Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Gjykata është vendosur në Hagë për faktin se siç është thënë dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin nxitur reagime dhe protesta në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Dhoma Speciale do të dëgjojë çështje të dala nga një raport i Njësisë Speciale Hetimore të BE-së i vitit 2014, në në të cilin shkruhet se zyrtarët e KLA-së mund të përballen me aktpadi për një “fushatë përndjekjeje” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besonin se ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit. Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, heqje të paligjshme lirie dhe dhunë seksuale. Gjykata ka staf ndërkombëtar dhe bazë në Hagë, por vepron sipas ligjit të Kosovës. Pritet që akuzat e para të dalin në vitin 2018.

Kuvendi
Kryesia e parlamentit kosovar u mblodh dy herë të premten për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit, ajo, në të dyja rastet, vendosi që të mos fillojë mbajtjen e seancës. Në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.

Ideja për shfuqizim pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Reagimi
Ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili qëndroi të premten në mjediset e parlamentit tha se "Shtetet e Bashkuara i kundërvihen çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën e Posaçme. Më duhet të them se jam vërtet i dëshpëruar që kjo doli prej hiçit gjatë ditëve të fundit. Pa debat publik, për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovë, është e turpshme nga pikëpamja ime. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu.

U bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës, të ndihmojnë në hedhjen poshtë të këtyre përpjekjeve. Të gjithë duhet të mendojnë për interesin e shtetit dhe dy milionë qytetarëve të Kosovës ne vend të interesave të tyre personale. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte. Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara", tha ambasadori amerikan.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, shprehu keqardhjen me përpjekjet për shfuqizimin e ligjit. Ai tha se “Kosova i ka dhënë besën BE-së dhe botës dhe nëse shfuqizohet tash ligji, reagimi do të jetë shumë i madh dhe dëmton dhe shkatërron Kosovën. Kemi investuar shumë në Kosovë për të pasur një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kemi interes për të parë Kosovën shtet të ligjit. Nëse kjo ndodhë, kush mund të besojë që Kosova është shtet i ligjit. Shpresoj që çdo deputet do të marrë parasysh interesin e shtetit të Kosovës. Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, tha ai.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova tha se "nisma e tillë është e tmerrshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Një veprim i tillë do të rrezikonte të gjithë punën e përbashkët gjatë viteve të kaluara në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të dëmtonte të gjithë ata që ngriheshin për t'i dhënë fund mosndëshkimit".

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!

Me shpejtësi skëterrë, deri në 202 km/h në Peqin-Elbasan! Policia Rrugore ndëshkon shoferët me masa dhe zbritje pikësh: Familja ju pret në shtëpi!