Ambasadori britanik në Report Tv, paralajmëron ‘non grata’ të reja: Në javët e ardhshme një valë e re sanksionesh! Emrat do bëhen publikë

Britania do të ndërmarrë sanksione të reja në javët e ardhshme pas shpalljes “Non Grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ‘Report TV’, e paralajmëroi këtë aksion diplomatik.

"Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh.  Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion", tha Alastair King-Smith.

Për diplomatin britanik, qëllim i sanksioneve nuk janë individët, por llogaridhënia.

"Askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike", tha Alastair King-Smith.

Ambasadori britanik tha se ekziston mundësia që të jenë sanksione publike, pra jo vetëm ndalime të hyrjes në Britani, ku emrat nuk bëhen publikë. Ai shtoi se nëse bëhet nën kategorinë e Sanksioneve Botërore Kundër Korrupsionit, këto emra do të bëhen publikë dhe gjithashtu do të ketë një ndalim udhëtimi, ndalim për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar dhe konfiskim mbi çdo aset që kanë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit, diplomati britanik tha se procesi u administrua mirë ndërkohë që duhet të priten rezultatet e raportit përfundimtar të ODHIR-it. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Arrestimi i Vangjush Dakos, ambasadori britanik: Institucionet e drejtësisë të mos bëjnë dallime! Askush të mos jetë mbi shtetin e së drejtës

 

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith bëri një koment të përgjithshëm për drejtësinë dhe zgjodhi të mos përmendë emrin e ish kryebashkiakut Vangjush Dako që u arrestua me urdhër të SPAK. King-Smith i kërkon drejtësisë që të bëjnë punën pa bërë dallime në mënyrë që askush të mos jetë mbi shtetin.

“Ju nuk prisni që unë t’i referohem rasteve individuale që po i nënshtrohen një procesi gjyqësor, por parimi është shumë i qartë; duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë dhe duhet të përmirësohet llogaridhënia dhe duhet të vendoset një drejtësi tek e cila njerëzit kanë besim. Ne i bëjmë thirrje të fortë të gjitha institucioneve të drejtësisë të luajnë rolin e tyre, të përmbushin standardet që priten prej tyre dhe që janë përcaktuar në ligj dhe të luftojnë në mënyrë aktive korrupsionin në mënyrë që t’i japim vërtet fund këtyre dinamikave të vështira me të cilat po përballet Shqipëria dhe vendet e tjera. Pra, ne u bëjmë thirrje këtyre institucioneve të përmbushin mandatet e tyre dhe ta bëjnë këtë pa bërë dallime mes individëve dhe të zbatojnë të njëjtat standarde dhe rregulla për të gjithë. Ne si Mbretëri e Bashkuar do të vazhdojmë të mbështesim këtë, do të mbështesim institucionet e pavarura; ne duam t’i shikojmë ato të përparojnë dhe i nxisim ato të jenë kenë besim dhe të marrin të gjitha veprimet e nevojshme. Është e rëndësishme që shteti i së drejtës të zbatohet për të gjithë dhe që askush të mos jetë mbi shtetin e së drejtës”, tha King-Smith.

Ora 22:01
Tensionet në Veri, ambasadori britanik: Kosova të tërheqë policinë, të bëjë zgjedhje të reja dhe të zbatohet ngritja e Asociacionit

 

Ambasadori King Smith tha se mbeten të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës duke shtuar se po bashkëpunojnë për të qetësuar gjendjen. Ambasadori britanik në Tiranë u shpreh se duhet të ketë zgjidhje. Ai sugjeron tërheqjen e policisë nga godinat e komunave, zgjedhje të reja dhe ngritjen e Asociacionit.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Ne po përballemi me një luftë në Evropë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe tani po shohim të ndizen tensione të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë që kjo të ndodhë. Ky rajon është i rëndësishëm dhe stabiliteti i tij është i rëndësishëm, kështu që ne u bëjmë thirrje të gjithëve të gjejnë mënyrën të kapërcejnë të gjithë këto probleme dhe të gjejnë një zgjidhje që të funksionojë vërtet, jo vetëm për qeverinë, por më e rëndësishmja dhe kryesorja është që duhet të funksionojë për qytetarët dhe qytetarët e çdo komuniteti.

Aktualisht qeveria e Kosovës ka një rol vërtet të rëndësishëm; ata duhet të tërheqin forcat e policisë speciale nga godinat e komunave dhe duhet t’i krijojnë mundësinë kryetarëve të komunave të kryejnë funksionet e tyre nga vendndodhje të tjera. Gjithashtu, ne mbështesim thirrjen për zgjedhje vendore të reja dhe gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit për ngritjen e Asociacionit të Komunave Serbe, siç është rënë dakord mes qeverive. Kështu që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Francën, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, ju përmendët BE-në, Italinë dhe të tjera me radhë, ne po bashkëpunojmë për të qetësuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje”, tha King-Smith.

Ora 21:57
Zgjedhjet e 14 majit, ambasadori britanik: Procesi u administrua mirë! Presim rezultatin e ODIHR-it! Ka ende zakone të vjetra si shit-blerja e votës

 

Në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit, ambasadori britanik tha se procesi u administrua mirë ndërkohë që duhet të priten rezultatet e raportit përfundimtar të ODHIR-it.

“Natyrisht, rezultatet e zgjedhjeve bazohen te një sërë elementesh të ndryshme, procesi është vetëm një prej tyre. Ne dëshirojmë të shohim një demokraci të fortë, me parti të forta, me opozitë të fortë, një opozitë efektive dhe të besueshme që mund të jetë edhe një alternativë efektive në qeveri, dhe është zhgënjyese kur është e qartë se aktualisht opozita ka qenë shumë e fragmentuar.

Përtej kësaj, ka pasur edhe shqetësime përgjatë procesit të zgjedhjeve se aktualisht ka ende disa nga ato zakonet e vjetra, si shit-blerja e votës, intimidimet, gjëra që evidentohen në raportin paraprak të ODHIR-it, i cili u publikua vetëm pak kohë pas zgjedhjeve. Ne duhet të presim për raportin e tyre përfundimtar për të parë ndikimin e plotë, gjë që do të na ndihmojë të kuptojmë nëse përbën realisht diferencë thelbësore në rezultate ose në janë thjesht disa shqetësime”, tha King-Smith.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Genti: 09/06/2023 14:27

    Bravo , Arben e gjith opozita duhet non grada, biles edhe ato qe kane vdekur ti shpallin. Po pa thu mor burre

    Përgjigju
  • Riku: 09/06/2023 09:53

    Mos bëni shumë nongrata se i humbet vlera dhe kuptimi, bëhen të gjithë njëlloj dhe s'ka luftë klasash pastaj.

    Përgjigju
  • ANDON SHQIPERIA: 09/06/2023 09:45

    Presidenti Begaj duhet të protestojë për këtë sjellje të emisarëve të huaj. Sepse; shqipëria nuk është republikë banane. eshte importues dhe konsumator i bananes! ata nuk mund të shpallin shtetas të këtij vendi si “persona non grata”. kjo do të thotë "Unë nuk respektoj ligjin dhe rendin në Shqipëri". Janë jashtë ligjeve shqiptare? nëse dikush është kriminel, ka gjykata shqiptare! A përfiton Rama nga një situatë e tillë? A do ta ndalë korrupsionin në këtë mënyrë? Çfarë themi ne? Secili duhet të pastrojë para shtëpisë së tij!

    Përgjigju
  • Arben: 08/06/2023 22:07

    Ishalla shpallet 'non grata' e gjithe opozita, qofte Rithemelimi qofshin edhe keta tjeret! Eshte bere e padurueshme per popullin shqiptar!

    Përgjigju
  • Mario: 08/06/2023 21:53

    Mund apo do e besh se na lodhet. Filloni me xhepistin e gjate dhe perfundoni me llumin e doganes. Çorapen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori