Dëshira e ambasadorit është e madhe, por sa do realizohet kjo i mbetet vjeshtës. Ambasadori Rafael Tormo Perez i ka rënë fati ta përjetojë në Shqipëri, fitoren dytë të Spanjës si kampione e Europe dhe për këtë është shumë i lumtur.
INTERVISTA E PLOTE E AMBASADORIT SPNAJOLL RAFAEL TORMO PEREZ
Ambasador, parmbrëmë është zhvilluar finalja e madhe e Europianit 2012 Spanjë-Itali, mund të na tregoni për emocionet tuaj në këtë ndeshje. Ku e ndoqët, me kë shoqëroheshit?
Ndeshjen e pash me një numër shumë të reduktuar personash pasi jam pak supersticioz në të tilla raste dhe nuk më pëlqen ta gëzojë fitoren para se të ndodhi. E kam parë më gruan time në rezidencën e Ambasadës, por pastaj aty nga mesi i ndeshjes që u pa rezultati festuam me një grup njerëzish edhe shqiptarë që ishin fansa të kombëtares spanjolle.
Kush është më shumë tifoz, ju apo bashkëshortja juaj?
Zonja ime më shoqëroi, por tifoz më i madh jam unë.
Kishit bërë ndonjë dekorim të ambientit, flamuj, vizatime?
Kisha vendosur një byzylyk me ngjyrat e kombëtares spanjolle dhe një kapele të kuqe në kokë me një yll të verdhë që e kisha nga kampionati botëror. Por më e rëndësishme është që kisha një flamur me vete, një flamur që kur Spanja fitoi kampionatin botëror, atëherë unë me gruan dhe me dy fëmijët me atë flamur dolëm të festonim në rrugët e Madridit. Besoj se më solli fat edhe këtë herë flamuri.
E keni vënë re që në Shqipëri ka më shumë tifozë italianë se sa spanjollë?
E vura re, sidomos dje që nuk kishte zhurmë, qyteti ishte shumë i qetë dhe se nuk kishte fishekzjarrët siç ndodhte në netët e kaluara kur fitonte Italia. Po përfitoj nga rasti të them këtu që më pëlqen shumë ky lloj vëllazërimi që ka Shqipëria me Italinë. Është një rezultat pozitiv i historisë.
Çfarë do i thoni ju një tifozi italian që thotë këto fjalë: E urreva Spanjën sepse nuk ndali dhe pas rezultatit 2 me 0?
Përgjigja ime është që, urrejtja kalon, fatkeqësisht ashtu si edhe dashuria kalon më kohën. Besoj se dje nuk ishte dita me fat e skuadrës italiane. Italia ka një potencial të madh në Europë përfshi këtu me futbollin, por dje Spanja ishte shumë e frymëzuar. Unë si një tifoz i rregullt i futbollit që nga vitet 60’ do të thoja që më pëlqen më shumë skuadra e tanishme italiane dhe jo ajo e Katenaços dikur. Përpos të gjithave Italia është nënkampione e europës në këtë kampionat që ka qenë shumë i debatuar dhe me goxha nivel.
Ju habiti gjendja e Spanjës këtë vit?
Spanja, për shumë vite me radhë nuk i kalonte çerek finalet qoftë evropian qoftë botërorë. Por tani kemi një gjeneratë futbollistësh të jashtëzakonshëm. Janë gjera që rrjedhin në historinë e një populli.
Sot keni një Spanjë me titullin e kampiones së botës në fuqi dhe për të dytën herë radhasi kampione e europës. Suksesi i saj deri më tani është rastësor apo vjen si shkak i investimeve dhe vendimmarrjeve politike në fushën e sportit?
Besoj se ka një grumbullim rrethanash dhe jo vetëm një. Futbolli në Spanjë është bërë shumë profesional, kanë ardhur edhe shumë futbollistë të huaj që luajnë në atë vend duke rritur shumë nivelin e ligës Spanjolle, deri në atë pikë sa ne po eksportojmë futbollistë në vende e tjera evropiane, si për shembull në Britaninë e Madhe siç është Torres. Deri para 20 viteve kjo ishte diçka që, ne as nuk e mendonim, por historia ka ngritje dhe ulje, ne në këto momente jemi një pik të lartë të sajën. Shpresoj të jetë një nga ato dallgët e mëdha që mund të zgjas për shumë kohë.
Vendet mesdhetare vihen re që kanë një lloj dashurie për futbollin, si Spanja, Portugalia edhe Shqipëria. E përpos kësaj në vendin tonë, stadiumet janë bosh. Për të zhvilluar sportin mjafton dashuria apo duhet dhe diçka tjetër?
Për këtë ndoshta do të përgjigjeshin më mirë specialistet, por megjithatë lënda e parë ekziston, është interesi për futbollin. Këtu jam impresionuar pozitivisht, në përgjithësi shoh që ka një njohje shumë të madhe për këtë sport dhe nga kampionatet e vendeve të huaja. Në Shqipëri madje, kam mësuar edhe shumë gjera nga kampionati spanjoll. Besoj që i duhet vënë theksi kryesisht, fëmijëve dhe të rinjve që në shkollat e fillore të merren me futboll. Edhe futbolli është i globalizuar sot, dhe është një globalizim pozitiv.
Cila ishte pika e fortë e Spanjës mbrëmjen e djeshme?
Ishte më shumë se sa një pikë. Nuk mund të vë në dukje ndonjë element të veçantë. Ishte komunikimi i duhur në të gjitha aspektet. Ishte një lojë në ekip dhe në një nivel shumë të mirë i secilit. Përgjatë kampionatit ka pasur kritika për kombëtaren Spanjolle, që disa herë loja ishte pak e mërzitshme, që i mungonte pak agresivitet pozitiv etj. Dje, megjithëse me vjen keq për Italinë, por ishte një lojë vërtetë efikase dhe u shënuan golat në mënyrë të njëpasnjëshme.
Po pika e dobët e Italisë?
Unë do të thoja që pika e dobët e Italisë dje ishte që, Spanja ishe superiore. Dominonte Spanja. Italia gjithsesi ka bërë një kampionat shumë të mirë, sepse nga një nivel i ulët arriti shumë lartë. Ka dhe futbollist shumë të mirë dhe një frymë ekipi gjithashtu, sepse ata mundën Gjermaninë dhe ishte një mundje me autoritet. Nga ana tjetër Spanjës iu desh të mundte Portugalinë me penallti. Duke parë këto ndeshje them se fitorja jonë e mbrëmshme ishte me shumë vlerë. Nga ana tjetër duhet theksuar sportiviteti që patën fituesit edhe humbësit në të njëjtën kohë. Por në përgjithësi dua të them që ka qenë një spektakël i madh. Për një spanjoll ishte një kënaqësi i disa fishtë.
Një kuriozitet. Himni i Spanjës nuk ka tekst, por vetëm muzikë. Mund të na tregoni si është e vërteta për lexuesit tanë që nuk e dinë?
Nuk ka tekst sepse është një marsh i shekullit të XVIII për parakalime apo evente zyrtare. Është tentuar disa herë t’i vendosën fjalë, por gjithnjë ka disa njerëz kundra që nuk pëlqejnë fjalët që mund t’i bashkëngjiten himnit.
Ju jeni tifoz me Realin apo me Barcelonën?
Unë jam me Real Madridin sepse jam madrilen. Kombëtarja e Spanjës ka qenë një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi i ekipit të Barcelonës më atë të Real Madritit, gjë që provon edhe njëherë që kjo është një lojë, një lojë dhe një realitet në të njëjtën kohë. Është shumë pozitive të shohësh që ata që janë rivalë në më të shumtën e kohës, në momente të tjera, ndajnë bashkë gëzimet, por edhe trishtimet. Në fund të fundit bëhet fjalë për ekipin kombëtar të Spanjës. Në çerekun e fundit të këtij shekulli jem bërë më pak patriot për shkak të disa rrethanave dhe luftës tonë civile. Por me gjeneratat e reja gjejnë te sporti, por sidomos të futbolli një lloj krenarie kombëtare. Kjo është një formë për të shprehur identitetin e tyre kombëtar.
Ju keni luajtur futboll kur keni qenë fëmijë?
Kam luajtur, por fusha më dukej gjithmonë shumë e madhe (qesh). E them me bindje që nuk jam i mirë në futboll, as në atë që zhvillohet në ambiente të mbyllura. Preferoj më shumë të jem në krahun e spektatorit dhe të duartrokas. Besoj që është një sport shumë i kompletuar dhe që ka një pranim botërore. Në Shtetet e Bashkuara ku basketbolli ka qenë tradicional, futbolli ka hyrë këto vitet e fundit me shume fuqi.
Mbas ndeshjes çfarë ndodhi, ku festuat?
Ndodhi një grumbullim spontan në rezidencën tonë. U grumbulluan një grup tifozësh shqiptare që ishin me Spanjën. Dhe në një ambient gjysmë të improvizuar, dëgjuam muzikë spanjolle të shoqëruar me shampanjë tipike të vendit tonë. Duke qenë se nuk jemi dhe aq shumë spanjoll besoj se kemi qenë diskret.
U hodhën disa fishekzjarrë në Tiranë, i keni hedhur ju?
Ndoshta kemi diku nëpër Tiranë tifozë spanjollë që nuk i njohim akoma. Aty nga goli i dytë dëgjova një zhurmë, dhe u gëzova shumë, paska dhe me Spanjën.
Si ishte për ju që këtë fitore ta ndiqnit nga Shqipëria?
Për mua ka qenë një kënaqësi e madhe që ta gëzoj këtë fitore në Shqipëri. Personalisht do më kishte pëlqyer të sillja në Shqipëri kombëtaren spanjolle për të marrë pjesë në ndonjë ndeshje për shembull me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Por gjerat janë pak të komplikuara. Këta zotërinj që kanë fituar kupën meritojnë të çlodhen njëherë.
Premtoni se do të bëni përpjekje për ta sjellë kombëtaren spanjollen këtu?
Po po, do bëj përpjekjet e mia dhe për më tepër jam i bindur se do i prisnin mirë. Do më pëlqente sepse shoh që këtu ka një pasion të madh për futbollin. Besoj se shqiptarët kanë shije të mire. (shekulli/ ns/shqiptarja.com)








