Në prag të festës së Pashkës, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë Joan Pelushi.
Në takim Gonzato përcolli urimet për besimtarët ortodoksë, dhe vlerësoi rolin që luan komuniteti ortodoks në vend dhe ndikimi i tij në jetën shoqërore në Shqipëri
Në takim, Ambasadori i BE vlerësoi mbështetjen që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë i jep procesit të integrimit europian, duke e konsideruar si një element që ndikon në afrimin e vendit me standardet e BE-së.
Një tjetër pikë kyçe në bisedën mes Gonzatos dhe Fortlumturisë së tij, ishte dialogu ndërfetar. Sipas Gonzatos, ky dialog duhet të vazhdojë dhe të forcohet, pasi është një nga shtyllat kryesore të bashkëjetesës paqësore në Shqipëri.
"Ishte kënaqësi të takohesha me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi. Në vigjilje të Pashkës, i përcolla urimet e mia më të përzemërta gjithë komunitetit ortodoks. Gjatë takimit diskutuam për rolin e rëndësishëm të komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe vlerësova mbështetjen e vazhdueshme të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për procesin e integrimit evropian. Ndamë gjithashtu bindjen e përbashkët se bashkësitë fetare duhet të vijojnë të ushqejnë dialogun ndërfetar për të forcuar bashkëjetesën paqësore në shoqërinë shqiptare,” shkroi Gonzato në rrjete sociale
Komente











