Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti sot Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri,  Najeeb A. Al-Bader, në mjediset e bashkisë në Tiranë.
Ambasadori kuvajtian Najeeb Al-Bader tha pas takimit se të dy bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me një sërë çështjesh të interesit reciprok dhe shprehën  vullnetin për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat, duke i shërbyer interesit të përbashkët të Shqipërisë dhe Kuvajtit në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera të miqësisë mes dy vendeve.
Al Baderi shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet produktive gjithnjë e më të forta mes Shtetit të Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat dhe konfirmoi vullnetin e tij për të kontribuar në zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha vlerësoi përpjekjet dhe kontributin e Shtetit të Kuvajtit në zhvillimin e projekteve infrastrukturore në Shqipëri.
Basha vlerësoi punën e shkëlqyer të Ambasadës së Kuvajtit me pjesëmarrjen në projekte zhvillimore në dobi të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat.
Basha gjithashtu garantoi për marrëdhëniet e veçanta të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Ambasadës së Kuvajtit dhe Bashkisë së Tiranës, duke shprehur njëkohësisht dëshirën e tij për konsolidimin e këtyre marrëdhënieve./atsh/