Ecuria e reformës në drejtësi dhe ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese ishin në fokus të takimit mes ambasadorit gjerman Peter Zingraf dhe Vitore Tushës, e cila është anëtarja me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese si dhe drejtuesja e KED që prej qershorit 2020.

Ambasadori Zingraf theksoi se pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka hapje të negociatave dhe zhvillim të konferencës së parë ndërqeveritare, ndërsa shprehu mbështetjen dhe angazhimin e shtetit gjerman për reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe për ecurinë pozitive të saj me qëllim funksionimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe plotësimin e kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE

"Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi“, tha Zingraf.

Ndërsa nga ana tjetqër Vitore Tusha evidentoi rëndësinë që mbart ringritja sa më shpejt Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian.

Tusha u ndal edhe në veprimtarinë e institucionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke u fokusuar në ecurinë e procesit të përzgjedhjes dhe renditjes së kandidatëve për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese deri në fund të këtij viti është edhe qëllimi i qeverisë e cila është shprehur se vendi të ketë shumë shpejtë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kjo gjë është kërkuar më herët edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Një ditë më parë ministri gjerman për Çështjet Europian, Michael Roth tha se brenda muajit dhjetor mund të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë.

1600845853_foto22025.jpg

Takimi mes Vitore Tushës dhe ambasadorit gjerman Zingraf