AmCham: Lufta kundër informalitetit, reformë jo fushatë

/ATSH/- Bordi i Drejtorëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë zhvilloi të mërkurën një takim me Drejtorin e Asocuar të Programit të Këshillimit për të Ardhurat pranë Departamentit të Thesarit, William M. Remington, i cili ndodhet për një vizitë pune në vendin tonë.
Takimi u përqendrua kryesisht në politikat fiskale, mënyrën e zbatimit të tyre, ndikimin në buxhetin e shtetit dhe në aktivitetin e biznesit. Bordi i Dhomës Amerikane informoi z Remington me punën që kjo organizatë ka bërë gjatë viteve, për të ndikuar në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave fiskale dhe pastaj të kërkojnë një zbatim të drejtë dhe rigoroz të tyre.
Z. Remington është njohuar edhe me procesin e lobimit të Komitetit Tatimor dhe Ligjor për çështjet e ndjeshme në lidhje me ndryshimet ligjore që ndikojnë në jetën e biznesit. Sa i përket reformës së fundit kundër informalitetit dhe ndryshimet në paketën fiskale për vitin 2016, zoti Remington dëgjoi edhe komentet nga kryetari i Dhomës Amerikane, Mark Crawford dhe drejtorë të tjerë të dhomës.
"Lufta kundër informalitetit është një proces i mbështetur nga AmCham, por ajo duhet të trajtohet si një reformë dhe jo të mbetet vetëm një fushatë. Bizneset duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe sasia e dënimit duhet të jetë proporcionalisht me nivelin e bizneseve. Përfaqësuesit e AmCham-it kanë shprehur mendimet e tyre se reformat duhet të ndiqen paralelisht me një plan të detajuar dhe të njerëzve kompetentë, sepse trajnimi profesional i inspektorëve tatimorë nuk është në nivelet e pritura. Administrata tatimore duhet të investojë më shumë në rritjen dhe zhvillimin e aftësive dhe nuk duhet të jetë një viktimë e ndryshimeve të shpeshta dhe lëvizjeve të stafit", thuhet në një deklaratë të AmCham-it.
Bordi i Dhomës Amerikane diskutoi edhe për procesin e hartimit të ligjeve dhe udhëzimeve, duke kërkuar që qeveria të jetë më informuese në drejtim të biznesit. Ligjet dhe udhëzimet e reja, thuhet në deklaratën e dhomës, kanë nevojë për kohën e nevojshme dhe për diskutime në mënyrë që bizneset të njihen me to, pasi shpesh krijohet konfuzion.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin