TIRANE - Zyrtarizohet projektligji i Ministrisë së Drejtësisë për amnistinë e të burgosurve dhe pritet që Qeveria dhe Parlamenti të miratojnë ndryshimet ligjore për ti hapur rrugë amnistisë.

Shqiptarja.com ka siguruar projektligjin dhe kategoritë e të burgosurve të cilët përfitojnë nga kjo amnisti e cila pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit në parlament dhe të aplikohet në fillim të vitit 2016.

Por cilët të burgosur përfitojnë nga amnistia?
Burime për Shqiptarja.com nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thanë se janë mbi 800 të burgosur që do të përfitojnë nga kjo amnisti e gjerë dhe mbi 1500 të burgosur të cilët do të mund të fitojnë ulje dënimin nga 1 deri në 1.5 vite nga dënimi i pashlyer.

Nga amnistia përjashtohen persona të dënuar për krimet të rënda, përfshi krimet ndaj jetës, pronës, krimet seksuale si dhe të dënuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në nenin Neni 3 të projektligjit personat që përfitojnë nga amnistia janë ata të dënuar me burg deri në 2 vite, të dënuar me gjobë apo dënim alternative.
Përfitojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji).

Personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

Personat e dënuara gra që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 50 vjeç. 

Personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Po ashtu nga kjo amnisti përfitojnë dhe ata të mitur ose persona që mbushin 18 vjeç ditën e hyrjes në fuqi të ligjit.

Shtysë për këtë amnisti të gjerë rezulton të jetë dhe mbipopullimi në burgje ku sipas statistikave rezulton se aktualisht në burgjet shqiptare janë 17 % më shumë të burgosur se kapacitetet e institucioneve të vuajtjes së dënimeve.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)