Amnistia fiskale, një këndvështrim krahasues në kohë dhe hapësirë! Rasti i Shqipërisë

Amnistia fiskale, një këndvështrim krahasues në kohë dhe hapësirë! Rasti i Shqipërisë

Taksat jane çka paguajmë për një shoqëri të qytetëruar.” (Holms 1932)
Së fundmi jemi bërë dëgjues se një Amnisti tjetër Fiskale do të kryhet në Shqipëri, pas asaj të vitit 2011. Por, çfarë është Amnistia Fiskale duke e analizuar në raport me përfitimet dhe kostot që mund të sjellë? Si e kanë kaluar këtë proces vende të tjera dhe si rezultoi për Shqipërinë Amnistia e vitit 2011? 
Ky punim tenton të sjellë në vëmendje përvoja të kaluara të Shqipërisë dhe vendeve të tjera po ashtu, duke e vendosur fokusin në faktorët që duhen mbajtur parasysh për një proces me rezultate pozitive në afatshkurtër dhe në afatgjatë. Amnistia Fiskale përkufizohet nga Mikesell (1986) si ”Nje program fiskal që tipikisht u lejon personave fizikë dhe juridikë të paguajnë detyrimet e papaguara me penalitete të reduktuara civile dhe penale”.

Cilat janë përfitimet e Amnistisë fiskale?
Leonard dhe Zekhauser (1987) përmendin mbledhjen e të ardhurave nga detyrimet e papaguara si përfitimin më të rëndësishëm. Kështu, paratë nga ekonomia e “nëndheshme” mund të hyjnë legalisht në sistem. Kjo ndihmon qeverinë të reduktojë deficitin.
Përfitimi i dytë konsiston në zmadhimin e bazës së taksës. Le të imagjinojme lirinë që ndjen dikush i cili nuk detyrohet të paguajë për cfarë nuk mundte, dhe sa i gatshëm do ishte të paguante pasi “mëkati” është falur. 
Arsye të tjera si inkurajimi i bashkëpunimit të “ri”, falja e shkeljeve që nuk konsiderohen të mëdha, tendenca për të reduktuar fajin nga shoqëria, renditen si përfitime të tjera që merren nga ky proces. 
Cfarë konsiderohet ndër çështjet më të rëndësishme është fakti se reforma përfshin kalimin nga një fazë tranzicioni në një kulturë të re taksimi, kryesisht e parë në shtete që kanë kaluar nga regjime socialiste në ato demokratike. Alms,Wallace dhe J.M Vasquez(2007) shprehen “Niveli i ulët i pagimit të taksave shpjegohet si rrjedhim llogjik i regjimeve socialiste ku taksat nuk ekzistonin në mënyrë eksplicite, të paktën në nivelin individual dhe familjar, ku detyrimet negocioheshin vazhdimisht, ku nuk kishte tradite të bashkëpunimit vullnetar, ku administrata e taksave ishte ekstremisht e dobet,dhe ku ekzistonte nje mosbesim publik perkundrejt institucioneve qeverisese”.

Cilat janë kostot e Amnistisë Fiskale?
Uchitelle(1989) liston katër kosto kryesore me të cilat shtetet duhet të përballen. 
Së pari duhet një studim i kujdesshëm para se Amnistia të implementohet. Nëse kerkohet një përsëritje e procesit atëherë ka pak gjasa të sillen rezultatet e dëshiruara. Përsëritshmëria e situatës mund të rrisë numrin e debitorëve në vend që ta ulë atë.
Së dyti, taksapaguesit e rregullt mund të ndiejnë se po keqpërdoren nga qeveria. Të tjerë, të cilët nuk u binden rregullave janë përfituesit kryesorë! Sektori financiar pëson dëmtime serioze nëse ky proces ndodh shpesh. Mund të prodhojë zemërim dhe pabindje për ata të cilët në mënyrë të rregullt kanë paguar detyrimet dhe taksat e tyre.
Mosarritja e qëllimit të qeverive për të prodhuar rezultat mund të ulë besimin e popujve të tyre. Siguria bie kur shihet se nuk ka rregulla strikte, të zbatuara ashtu sic duhet. Kjo mund te prodhojë edhe efekte anësore ekonomike sikurse janë ndryshimet politike.


Duhet t’i kushtohet rëndësi momentit të marrjes së parave në sistem. Ky moment shoqërohet me probleme strukturore pasi nuk analizohen arsyet e vërteta të mospagimit te taksave, sikurse janë politikat ekonomike të gabuara. Problemet duhen adresuar në vend që të shmangen.
Një problem tjetër për realitetin shqiptar mund të evidentohet kollaj. Tendenca për “pastrim parash” apo hyrja në sistem të parave nga bota e krimit, apo të grupeve të interesit të cilat në të shkuarën janë akuzuar apo kanë bërë korrupsion

Cilët janë shembujt ndërkombëtarë të Amnistisë Fiskale dhe si priren të sillen efektet e saj në të ardhura për periudhat afatshkurtëra dhe në afatgjata?

Të ardhurat në afatshkurtër
Uchitelle (1989) shkruan mbi rëndësinë e bërjes së një Amnistie vetëm një herë për një periudhë të gjate kohe. Nese pritet që do të përsëritet procesi, njerëzit mund të mos marrin pjesë më në vazhdim. Uchitelle(1989) pretendon se përveç faktit se ishte një Amnisti e parë për Irlandën më 1988, ajo pati sukses për shkak të shoqërimit të reformës me përforcim të zgjeruar. Pjesë e masave të marra ishin përforcimi i mbledhjes së taksave nga “polici i taksave”, publikimi në gazeta të emrave të personave të cilët kishin detyrime dhe taksa të papaguara dhe njohja me sistemin e ri taksor. Të gjitha hapat ishin të rëndësishme për Irlandën  duke çuar në rritjen e të ardhurave afatshkurtra.

Sipas Uchitelle(1989) India nuk ndryshoi mekanizmat përforcues, duke  bërë që taksapaguesit jo te rregullt të mos besonin në penalitete të ardhshme dhe si rrjedhojë rezultatet e amnisitse u vleresuën në 1000 milion dollarë ose 0.54% te GDP, shume larg sesa pritej. Në anën tjetër Alm,McKee dhe Beck(1990 cituar nga Luitel 2005) konkludojnë se të ardhurat rriten nëse përforcimet e post-amnistisë aplikohen. Këto studime i kushtojnë rëndësi zgjerimit të përforcimeve por gjithashtu japin rezultate kontradiktore për periudhën kur duhet të kryhen.

Të ardhurat në afatgjatë
Qëllimi kryesor i një Amnstie Fiskale është të rrisë të ardhurat. Përveç faktit se të ardhurat në afatshkurtër edhe mund të japin rezultate pavarësisht llojit të politikës, ato në afatgjatë duhet të përfaqësojnë qëllimet e ardhme të administratës. Megjithatë shumë studime shprehin rezultate kontradiktore.

Alm,McKee dhe Beck(1990,sic citohet nga Luitel 2005) realizuan ekperimente dhe deduktuan se pas realizimit të një Amnistie bie niveli i pjesëmarrjes në pagesa. Ata që paguanin rregullisht para Amnistisë do vazhdonin të paguanin pavarësisht se ndjeheshin të zhgënjyer nga padrejtësia. Ndërkaq, ata që paguanin pak në të shkuarën nuk do të paguanin më. Ky fakt ulte pjesëmarrjen dhe krijonte rënie të të ardhurave në afatgjatë. Ata sugjeruan që një rritje në penalitete dhe në masat e përforcuara mund të përmirësonte situatën.

Në një tjetër studim Alm dhe Beck (1993) bënë një panoramë empirike në rastin e Amnstisë Fiskale të mbajtur në Kolorado (ShBA) nga Janari 1980 në Dhjetor 1989. Rezultatet treguan se nuk kishte ndonjë efekt në të ardhurat në afatgjatë edhe pse Departamenti i të Ardhurave në Kolorado kishte rritur masat përforcuese. 

Një prapavijë panoramike e rastit të Shqipërisë
Gjatë krizës financiare 2008-2009 bota vuajti nga mungesa e parave në ekonomi. Shtetet e zhvilluara, ato në zhvillim sikurse edhe të pazhvilluarat patën pasoja të ndryshme. Shqipëria, një vend në zhvillim u ndikua në mënyrë indirekte nga efektet e krizës. Konfederata Shqiptare e Industrisë (2010) solli disa konsiderata për qeverinë e atëhershme. Ajo ishte zëri i parë i biznesit që adresoi problemin e Amnistisë në kohën më të shpejtë përsa i përket legalizimit të kapitalit, aseteve dhe të ardhurave në Shqipëri. Dy ishin arsyet kryesore nga pikëvështrimi i kësaj organizate biznesi. Së pari ishte periudha kur Ligji Anti Mafia ishte në fuqi. Në të kundërt, moszbatimi i tij do të rrezikonte seriozisht paratë e shqiptarëve. Së dyti, se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që nuk kishte aplikuar një Amnisti të plotë fiskale në 20 vjet demokraci.
 
Panorama e parë e prezantuar ishte shumë e rëndësishme në marrjen seriozisht të projektit. Arsye të tjera të thëna edhe nga ministri i financës në MF(2011) ishin gjithashtu vendimtare. Ai listonte relaksimin e biznesit dhe qytetarëve drejt një administrate fiskale, nevojën për një periudhë ku të mbaronte evazioni fiskal dhe informaliteti, nevojën për një epokë të re të sundimit te ligjit dhe të konkurrencës reale.
Pasi u diskutua në tryeza të ndryshme, ligji u votua më 21.04.2011. Ligji adresonte tri kategori kryesore të cilat perfitonin nga Amnistia; qytetarët,biznesi i madh dhe ai i vogël. Amnistia përfshinte legalizimin e kapitalit dhe aseteve, rivlerësimin e kapitalit dhe aseteve, vetëdeklarimin e taksave, detyrimeve, faljen e taksave, tatimeve doganore, taksave të makinave, faljen e faturave elektrike dhe të ujit.

Një artikull i Bankës Botërore (2011) mbi Amnistinë Fiskale shqiptare përcaktonte politikat kryesore që duhet të ndiqeshin në mënyrë që të merreshin rezultatet e duhura. Duke marrë parasysh realitetin shqiptar që vinte nga 50 vite regjimi socialist, i paaftë të kuptonte konceptin social të taksave dhe detyrimeve, ishte e nevojshme të tregohej kujdes. Besimi i qytetarëve dhe i biznesit te shteti ishte i ulët. Ekonomia informale ishte në nivele të larta. Transparenca që qytetarët dëshironin ishte e vështirë të arrihej. Korrupsioni ishte në nivele të larta gjithashtu. Tri ishin rrugët e propozura të zgjidhjes të përcaktuara në artikull për efektin afatgjatë.

Rruga e parë do të ishte demonstrimi i transparencës së plotë. Ky faktor përmendet në kostot që një qeveri duhet të mbajë për një reformë të sukseshme. 
Marrja e masave ndëshkuese për ata që nuk do të paguanin do të ishte rruga e dytë që duhet të merrej. Kreu i financave MF (2011) asokohe kishte deklaruar ndëshkimet që ndjekin deklarimet e pavërteta. Qeveria duhet të tregonte përgjegjësi që gjëra të papëlqyeshme nuk të dëmtonin procesin për ata që janë pagues të ligjshëm, të cilët duhet të ndjehen të sigurtë e të mos pendohen për veprimet e tyre. 

Rruga e tretë do të ishte siguria se Amnistia nuk do të ndodhë më. Kjo kërkon bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat për të treguar së bashku përfitimet që secili do mund të ketë. Artikulli përmend që sektori privat mund të luajë një rol të rëndësishëm sidomos ai bankar. Bankat mund t’i japin konsumatorit të tyre titullin “konsumator i preferuar”, duke i dhënë privilegje në marrjen e shpejtë të borxheve dhe ulje të kostos së tyre. Sektori publik në bashkëpunim me shoqërinë civile mund të promovojnë mënyra të reja sjelljesh të përgjegjshme duke treguar historitë e besueshme midis tyre dhe biznesit.

Disa probleme mund të listoheshin nëse do të shihnim më afër këtë çështje 
Ligji u votua vetëm nga maxhoranca, pa marrë 84 votat e nevojshme në mënyre që të ishte i pranueshëm për çështjet penale. Ky fakt uli pjesëmarrjen. Pati interpretime edhe për periudhën kur filloi të aplikohej. Mungesa e vëmendjes për shkak të fushatës elektorale ishte e rëndësishme për këtë ligj. U pa si një mënyrë e shpejte politike, e paanalizuar siç duhet. Ndërkaq pas asaj periudhe nuk u trajtua me vëmendjen e nevojshme. Një tjetër pikë ishte mungesa e llogaritjes apo parashikimit se sa para do silleshin në ekonomi Milo(2012), pasi ekzistonin mendime të ndryshme duke pretenduar një vlerë  prej 4 miliard euro, burime te tjera prej 6 apo 7 miliard euro. Ndërsa vetëm shpenzimet të deklaruara nga ministri i financave ishin në vlerën 40 miliard lekë të reja.

Duhet të kujtojmë që si proces nuk ishtë i vetëm pasi janë kryer disa falje në rangun e 4 viteve, si më 2008 kur u miratua Ligji nr. 9986, date 11.09.2008 i cili falte një pjesë të detyrimeve doganore dhe tatimore si dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara. Ndërsa në vitin 2010 u hartua e u miratua Ligji nr. 10228, date 04.02.2010 që lejonte shtimin e kapitaleve të shoqërive tregtare nëpërmjet të ardhurave të padeklaruara më parë nga individët. Kështu që zhgënjimi që mund të kenë pësuar qytetarët mund të ketë prodhuar edhe situatën e pafavorshme. Pavarësisht ndryshimeve strukturore që u ndërrmorën para Amnistisë, doli në pah mungesa e thelbit të marrëdhënies qytetar-administratë-qeverisje, që është besimi.

Përfundime 
Përfitimet që mund të realizohen  nga aplikimi i Amnistisë Fiskale deduktuar nga studies dhe përvoja të vendeve të tjera janë;rritja e të ardhurave,zgjerimi i bazës së taksës,rritja në besueshmëri kundrejt administratës. Por, nëse procesi nuk realizohet duke mbajtur parasysh kostot e mëposhtme, do të kishim pasoja afatgjata të padëshirueshme, që mund të shpien në një ulje të mëtejshme të besimit në institucione dhe në rritjen e pakënaqësisë ndaj politikave publike të paqarta. Kostot përmenden:zemërimi i taksapaguesve të rregullt, humbje të ardhurash në buxhet nëse procesi nuk shoqërohet me ndryshime strukturore për të mos u përsëritur shpesh.

Eksperienca e vendeve të tjera tregoi se politikat e rritjes së  masave përforcuese, përshtatjet me normën e taksave, implementimi për herë  të parë ishin pikat kyce të suksesit në afatshkurtër. Ndërsa suksesi në afatgjatë ishte i paparashikueshëm në shumicën e rasteve. Masat përforcuese dhe penalitetet shoqëruese janë mjetet e favorshme për të rritur të ardhurat.

 Shqipëria më 2011 kreu një Amnisti problematike. Simptomat e së cilës reflektuan dështim për shkak se shumë faktorë si mosekzistenca e penaliteteve, bërja në mënyrë frekuente e faljeve, mungesa e informacionit dhe gadishmëria e ulët e administratës realizuan të ardhura të ulëta.
Një problem tjetër për realitetin shqiptar mund të evidentohet kollaj. Tendenca për “pastrim parash” apo hyrja në sistem të parave nga bota e krimit, apo të grupeve të interesit të cilat në të shkuarën janë akuzuar apo kanë bërë korrupsion
Ndaj, ligji i ri i Amnistisë që pritet të marrë formë duhet diskutuar dhe sqaruar me shumë grupe interesi si biznesi, akademia,shoqëria civile dhe media, për të sjellë pranë taksapaguesit të gjitha avantazhet dhe disavantazhet e tij. Pranë një procesi fiskalizimi problematik, të zgjatur në kohë dhe të që ende s’ka dhënë fryte të prekshme, një Amnisti e keqadministruar do sillte pakënaqësi në rritje.

Referencat
1.    Alm J. and W. Beck (1993) “Tax amnesties and compliance in long-run: A time series analysis”.
National Tax Journal, 46 (1), fq. 53-60
2.    Alms J., S.Wallace. And J.M Vasquez (2007) “Do tax Amnesties Work? The revenues effects of tax amnesties during the transition in Russian Federation”. International study program (Working paper 07-08).
3.    Banka Boterore (2011) “Will fiscal amnesty cure or spread the disease?”
4.    Isachsen A.J, C.B Hamilton and Th. Gylfason (1991) Understanding the Trade Economy. European Free Trade Association. Geneva.
5.    Leonard H. and R. Zekhausser  (1987) “Amnesty Enforcement and Tax Policy”. Tax Policy and Economy, 1, pp 55-86.
6.    Luitel H.Sh. (2005) “Essays on Value Added Tax Evasion and Tax Amnesty Programs”.
 fq.43-105
7.    Konfederata Shqiptare e Industrise(2010) “ Inkurajimi per te bere nje amnisiti te thelle fiskale qe duhet te preke kapitalin, asetet dhe te ardhurat e biznseit dhe te gjithe qytettareve shqiptare”
8.    Pajula H.and V. Prhonitchi (2007) “Tax amnesty and zero-rate corporate income in Moldova: assessing the potential impact and risk”.
9.    Ministria e  Finances (2010) Economic and Fiscal Program 2010-2012 pp. 19-33, Tirana
10.    Ministria e Finances (2011) “Questions and answers of the head of ministry of finances regarding the law of legalization and forgiveness.” 
11.    Ministria e Finances (2012) Raporti Fiskal Mujor Janar-Dhjetor 2011
12.    Milo A (2012) “Amnistia Fiskale: rruga drejt dështimit”

__________

* Denisa Millo (1990) ka përfunduar studimet e larta për Informatikë-Ekonomike. Pas përfundimit të studimeve iu bashkua botës akademike si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë, pranë Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar. Ajo është alumni e Konrad-Adenauer-Stiftung Albania, dhe anëtare aktive e AseV me qendër në Berlin. Puna e saj aktuale profesionale është e fokusuar në disa fusha specifike të ekonomisë dhe teknologjisë. Ajo mban titullin Kontabilist i Miratuar dhe ka përvojë pune në role drejtuese në disa kompani private. 
Kontakt: [email protected]
 

xy//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rusti: 07/07/2022 12:37

    Nese do te amnistohej pamundesia e pagimit te detyrimeve psh te ujit e dritave nga ata qe nuk kane ose nuk munden, vertet do mendoja qe qeveria po mundohet per popullin. Por nese qeveria e implikuar ne afera qindra milion eurshe qe i merr nga taksat tona dhe jep Zotove &co me keto firmat fantazme dhe tani do qe ti pastroje, me fal po kjo nuk eshte amnisti. Por krim, i madh madje, i organizuàr dhe qe pa pike turpi, haptazi, qe synon te legalizoje ato para permes nje operacioni te pastrimit me ligj????!!!! More qe qeverise sone kriminale ibka marre koka ere, por te pakten Kuvendi le te kete pak dinjitet dhe refuzoje kete krim kaq te madh. Ndryshe, do jemi republika e pare ne bote jo parlamentare por e krimit te organizuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren