Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie, përkatësisht Inspektorin Llesh Tusha që ushtronte detyrën në Komisariatin e Mirditës dhe Inspektorin Jaçe Reçka me shërbim në Policinë e Gjirokastrës.
Polici Tusha u arrestua për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, pasi gjatë drejtimit të një mjeti në "Rugën e Kombit", ai është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar dëme materiale. Ndërkohë, pas testit së alkoolit, ai ka rezultuar pozitiv.
Nga ana tjetër, polici Reçka u arrestua për veprat penale “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Denoncimi ka ardhur nga ish-bashkëshortja e tij, e cila ka raportuar se ai ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe i ka marrë një valixhe me një shumë prej 5 milionë lekësh. Pas hetimeve, është kryer një kontroll në banesën e kunatit të punonjësit të policisë, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 8,000 Euro, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 287 fishekë pistolete.