Analiza e DW: Ndihma për Ukrainën, rol i vështirë drejtues për Gjermaninë

Analiza e DW: Ndihma për Ukrainën, rol i vështirë drejtues për Gjermaninë

Volodymyr Zelenski dhe Olaf Scholz

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkakton ndryshime rrënjësore te partnerët e Kievit. Ukraina kërcënohet me humbjen e furnizuesit më të rëndësishëm të armëve, SHBA-së, nga mosmarrëveshja në Kongres që shpërtheu në fund të vitit 2023 dhe që bllokon paketën e ndihmës të planifikuar nga Presidenti Joe Biden, në një shumë prej 61 miliardë dollarësh,

Shumë prisnin një kompromos në janar, por muaji kaloi në sfondin e zgjedhjeve paraprake republikane, në të cilat fitoi ish-presidenti Donald Trump. 77-vjeçari dëshiron të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Trumpi kundërshton një kompromis me demokratët për politikën e imigracionit, të lidhur me ndihmën për Ukrainën. Te kush mund të mbështetet tani Kievi?

Berlini pason Londrën dhe Parisin

Londra është një nga adresat e para. Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi Kievin në mes të janarit dhe njoftoi një paketë të paprecedentë ndihme ushtarake për forcat e armatosura ukrainase, me vlerë më shumë se 3 miliardë dollarë. Britania e Madhe është partneri i parë perëndimor që ka lidhur një marrëveshje sigurie me Ukrainën, thelbi i së cilës janë furnizimet afatgjata të armëve. Në shkurt, presidenti francez Emmanuel Macron do të udhëtojë në Kiev dhe Parisi po përgatit një marrëveshje të ngjashme. Por çfarë ndodh me Berlinin?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskii ka folur vazhdimisht për një rol të mundshëm drejtues të Gjermanisë në Evropë kur bëhet fjalë për dërgimin e armëve në Kiev, e përsëriti këtë edhe në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ARD më 28 janar.

Sipas llogaritjeve të Institutit të Ekonomisë Botërore të Kielit (IfW), Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Amerikës janë lideri i padiskutueshëm në ndihmën ushtarake për Ukrainën, me rreth 44 miliardë euro. Gjermania ka kaluar nga vendi i tretë në vendin e dytë. Nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 deri në fund të tetorit 2023, ndihma ushtarake nga Berlini për Kievin arriti në më shumë se 17 miliardë euro. Në vendin e tretë është Britania e Madhe, mbështetja e së cilës, sipas IfW arrin në 6.6 miliardë euro.

Si ekonomia më e madhe në Bashkimin Evropian, a mund të marrë Gjermania një rol drejtues? "Do të duhej, por kjo nuk do të thotë se ajo është gati”, thotë gazetarja gjermane Gesine Dornblüth, autore e librave për Rusinë, në podkastin e DW "Geofaktor”. Gazetarja tregon se vendi i dytë në mbështetje, me të cilin krenohet Berlini, është relativ. "Nëse shikoni ecurinë ekonomike të vendit, rezulton se ndihma gjermane llogaritur për frymë në Gjermani është më e vogël se në disa shtete baltike”, thotë Dornblüth.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në fund të janarit se ai shpresonte se një marrëveshje sigurie me Kievin do të përfundojë së shpejti, por nuk specifikoi një kornizë kohore. Në fund të vitit të kaluar, Berlini njoftoi synimin e tij për të dyfishuar ndihmën e tij për Ukrainën këtë vit në tetë miliardë euro. Përparim është bërë edhe me llojet e reja të armëve: në fund të janarit, Ministria Gjermane e Mbrojtjes njoftoi se do t'i dorëzonte Ukrainës gjashtë helikopterë ushtarakë që nuk i përdor më, "Sea King Mk41", për herë të parë. Më parë, ishte Britania e Madhe që kishte ofruar helikopterë të këtij lloji.

Gjermania në rolin e liderit do apo nuk do?

"Helikopterët janë mirë, por nuk mjaftojnë”, thotë Dornblüth. Sipas saj, Gjermania ende nuk mund të rrisë ndjeshëm ndihmën e saj për Ukrainën, sepse vetë Bundeswehri nuk ka rezerva të mjaftueshme dhe porositë e reja për prodhimin e armëve nuk bëhen në kohë.

Megjithatë, ekziston edhe një shembull ku Gjermania nuk është e gatshme të furnizojë Ukrainën me armë të grumbulluara, siç janë raketat e lundrimit Taurus. Një nga arsyet e dhëna nga qeveria e kancelarit Scholz për këtë është frika se sulmet e mundshme të Ukrainës në territorin rus mund të çojnë në një përshkallëzim. Megjithatë, Dornblüth i konsideron argumente të tilla "jobindëse". Deri tani, Kievi e ka mbajtur premtimin ndaj vendeve perëndimore për të mos përdorur armë në territorin e njohur ndërkombëtarisht të Federatës Ruse. Në të njëjtën kohë gazetarja thekson se Gjermania po bën "tepër shumë” për Ukrainën në përgjithësi, veçanërisht me dërgimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore.

Andreas Umland, analist në Qendrën për Studime të Evropës Lindore në Stokholm, beson se "Gjermania nuk do të jetë në gjendje të marrë një rol udhëheqës në vend të Shteteve të Bashkuara". Do të ishte një "rol i pazakontë" për Berlinin, thotë ai. Si një peshë e rëndë ekonomike, Gjermania ka mbajtur një profil të ulët në skenën botërore për dekada dhe nuk ka kërkuar lidership diplomatik, duke preferuar të veprojë në gjurmët e aleatëve të saj, fuqive bërthamore, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Kështu ndodhi edhe me dërgimin e mjeteve të blinduara perëndimore në Ukrainë, gjë që Berlini ishte i gatshëm ta bënte vetëm pas Uashingtonit dhe Londrës.

Gjermanët duan qëndrim të përmbajtur

Kjo pasqyron edhe gjendjen shpirtërore të shoqërisë gjermane, thotë Umland. Një sondazh i porositur nga Fondacioni Körber dhe i publikuar në nëntor 2023 zbuloi se shumica e gjermanëve nuk duan që Gjermania të luajë një rol udhëheqës në botë. 71% janë kundër që Gjermania të marrë një rol udhëheqës ushtarak në Evropë, përveç atij ekonomik. Më shumë se gjysma, 54%, mendojnë se Gjermania duhet të tregojë më shumë përmbajtje në krizat ndërkombëtare.

Umland-i thekson se Berlini nuk ka "burime të mjaftueshme për ndihmë ushtarake" për Ukrainën. "Gjermania nuk është një superfuqi ushtarake”, thotë eksperti. Kjo përmban një paradoks të caktuar. Nga njëra anë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), Gjermania ka një industri të fortë të mbrojtjes dhe renditet e pesta në botë në eksportet e armëve. Nga ana tjetër, Gjermania varet nga NATO, pasi ka vetëm një ushtri të vogël të sajën, e cila nuk ka rezerva të konsiderueshme pajisjesh dhe municionesh. Deri pas pushtimit rus të Ukrainës, Gjermania nuk kishte nisur një program të gjerë riarmatimi dhe porositë e reja do të duhet vite të zbatohet.

Mbështetja e Evropës për Ukrainën

"Një vend si Britania e Madhe do të ishte më i gatshëm të merrte iniciativën për të ndihmuar Ukrainën," thotë Umland. Por vendet evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të jenë në gjendje të zëvendësojnë plotësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa i përket nivelit të mbështetjes ushtarake për Kievin, thotë ai. Sipas tij, evropianët tashmë kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme humanitare për Kievin dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, por burimet e tyre ushtarake nuk janë të krahasueshme me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. BE pranoi kohët e fundit se nuk do të ishte në gjendje të përmbushte premtimin e tij për të furnizuar Ukrainën me një milion predha artilerie dhe raketa deri në mars 2024. Miratimi i një pakete ndihme për Ukrainën prej 50 miliardë eurosh për katër vjet u vonua për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë. Alokimi i këtyre fondeve për Ukrainën u miratua përfundimisht nga krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të BE-së në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian të mbajtur në Bruksel më 1 shkurt.

Megjithatë, Ivan Kharitonov i Institutit të Ekonomisë Botërore në Kiel mendon se mbështetja evropiane do të rritet. Sipas mendimit të tij, është e rëndësishme që disa vende të kalojnë në "formatet e planifikimit afatgjatë" të ndihmës për Ukrainën. Parashikimi i tij është se Evropa do të rrisë ndjeshëm dërgesat e saj në Kiev, por kjo mund të kërkojë ende vite.

Nëse Donald Trumpi do të kthehej në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ukraina do të përballej me "probleme serioze”, thotë Andreas Umland. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Evropa do të refuzojë të ndihmojë. Në fund të fundit, nëse Rusia thyente frontin, kjo do të thoshte "miliona refugjatë nga Ukraina në BE". Prandaj, eksperti mendon se evropianët do të vazhdojnë të mbështesin Kievin për interesat e tyre./ DW

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes

VIDEO/ Çudira nga Kameruni, lojtarët marrin paratë në dorë para ndeshjes