Analiza e 'The Indipendent': Rusia u fryn 'flakëve' të konfliktit në Ballkan, për të kërcënuar BE-në dhe NATO-n

Analiza e 'The Indipendent': Rusia u fryn 'flakëve' të konfliktit në Ballkan, për të kërcënuar BE-në dhe NATO-n

Ndërsa Rusia po kërcënon të pushtojë Ukrainën, vazhdojnë lojërat e saj edhe në Evropën Juglindore, ku Moska po luan një rol të madh në tronditjen e një paqeje tashmë të brishtë në vendet që përbëjnë ish-Jugosllavinë. Rusia po furnizon vazhdimisht me armë Serbinë, dhe po nxit urrejtjen ndër-etnike në Bosnje Hercegovinë.

Po kërcënon Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Po ndërhyn në Mal të Zi. Mbështetja e Kremlinit për serbët etnikë, ka ndihmuar në nxitjen e valës së fundit të nacionalizmit, i cili kërcënon ta zhbëjë paqen në Bosnje, të rindezë potencialisht konfliktin e armatosur mbi Kosovën, dhe të nxisë trazira politike në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi.

Në mbarë Ballkanin, duke përfshirë NATO-n dhe shtetet e BE-së si Bullgaria dhe Hungaria, Moska po blen ose po fiton kontrollin e aseteve strategjike në sektorët kyç si media, siguria, komunikimi dhe financat. “Ata zbatojnë doktrinën famëkeqe të kontrollit refleksiv për kontrollin e proceseve vendimmarrëse të armikut. Ne mund të presim që Rusia të shkaktojë një luftë në Ukrainë, por lufta mund të shpërthejë edhe diku tjetër”-tha Ivana Stradner nga think-tanku amerikan “American Enterprise Institute”.

“Unë nuk do ta përjashtoja Ballkanin si një fushëbetejë tjetër, ku Rusia mund ta sfidojëBashkimin Evropian dhe NATO-n, për t’i treguar se të dyja janë “Tigra prej letre”- shtonStradner. Rusia e sheh Ballkanin si një rajon të rëndësishëm me lidhje të forta kulturore dhe historike.

Moska e ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin për destabilizimin dhe ndërhyrjen në politikën e saj, duke filluar me njohjen e shpejtë nga Gjermania të pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia, e cila shkaktoi shpërbërjen përfundimtare të federatës.

“Politika e SHBA-së dhe disa vendeve të tjera Perëndimore, që synojnë të konfirmojnë dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizues për Ballkanin”-u shpreh presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë të vitit 2019 të cituar nga mediat serbe.

Por edhe Moska është akuzuar për nxitjen e tensioneve etnike nëpërmjet mbulimit tendencioz të ngjarjeve nga mediat e mbështetura nga Rusia apo përhapjes se lajmeve të rreme nga mediat pro-ruse në rajon. Në Serbi, Bosnje dhe Malin e Zi, ajo ka shfrytëzuar lidhjet midis Kishave Ortodokse Ruse dhe Serbe për të ndikuar mbi opinionin publik.

Moska dhe Beogradi, nënshkruan kohët e fundit një pakt për të kundërshtuar atë që ata e përshkruan si “revolucion shumëngjyrësh”, një kryengritje popullore kundër sundimit autoritar që konsiderohet sie nxitur nga Perëndimi. Sputnik, media kryesore që përhap propagandën ruse nëpër botë, ka një degë të saj edhe në Beograd.

“Sputnik Serbia” përhap narrativa në të gjitha mediat kryesore në rajon, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me realitetin, por që forcojnë pikëpamjen ruse mbi krizat e ndryshme ndërkombëtare”- thotë Thomas Brey, gazetar dhe studiues që ka mbuluar prej kohësh Ballkanin.

Rusia i ka shitur Serbisë sisteme të mbrojtjes ajrore Pantsir-S1M, tanke, transportues të blinduar, helikopterë dhe raketat anti–tank Kornet. Po ashtu ajo ka ngritur një bazë të shërbimit sekret ushtarak për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës pranë Kampit Bondstillbazës së NATO-s në Kosovë.

Një skandal shpërtheu muajin e kaluar, kur u zbuluar se Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin kishte spiunuar disidentët rusë që u mblodhën në një takim në Beograd vitin e kaluar, duke ia dorëzuar transkriptet e diskutimeve një bashkëpunëtori të Putinit. Një nga ata disidentë u arrestua më pas nga autoritetet ruse.

Pavarësisht skandalit, Vulin vazhdon të qëndrojë në detyrë. Bosnje-Hercegovina, pika e nxehtë potencialisht më e rrezikshme në Evropën Juglindore, ka qenë ndër fokusin kryesor të interesit për Rusinë dhe aleatin e saj lokal Serbinë, e cila është përfaqësuesja kryesore e Kremlinit në Ballkan.

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, që kandidon për një mandat të ri në zgjedhjet e tetorit 2022, shkon shpesh në Moskë për t`u takuar me Putinin, të cilat ndihmojnë në rritjen e popullaritetit të tij. Në fillim të dhjetorit 2021, pak ditë pas takimit me Putin, ai deklaroi mbështetjen e Rusisë në mosmarrëveshjet e serbëve me fraksionet e tjera etnike në Bosnje–Hercegovinë.

Dodik tha se presidenti rus i kishte premtuar entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, një linjë re të gazi, karburant dhe një termocentral me panele diellore. Pavarësisht akuzave për korrupsion, Dodik pritet të fitojë lehtësisht zgjedhjet, duke vazhduar kontrollin politik të Republika Srpska.

“Përpara çdo palë zgjedhjeve, Dodik takon Putinin për disa minuta. Kaq mjafton që serbët e zakonshëm ta shohin se kush është miku i tyre”– thotë Srdjan Puhalo, analist politik në Banja Luka, kryeqyteti de facto i Republikës Srpska.

“Ndërkohë kur rusët vijnë në Sarajevë, mesazhi i vetëm është:Mos u anëtarësoni në NATO, dhe as në Bashkimin Evropian”– shprehet Sead Tucalo, profesor dhe dekan i fakultetit të shkencave politike në Universitetin e Sarajevës.

Rusia i ka bllokuar të gjitha rezolutat e Kombeve të Bashkuara, të cilat konsiderohen të pafavorshme për serbët e Bosnjës, dhe bashkë me Kinën, kundërshtoi emërimin e kreut të një organi që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës civile të viteve 1990 në Bosnje.

Ndërkohë Serbia e ka kërcënuar me luftë Kosovën, që e shpalli pavarësinë 14 vite më parë, pavarësisht kundërshtimit të Beogradit dhe Moskës. Në një takim të zhvilluar në Soçi vitin e kaluar, Putin e siguroi presidentinVucic për mbështetjen e Kremlinit. Mediat ruse vazhdojnë ta përshkruajnë Kosovën si një “krahinë autonome” të Serbisë.

Në Maline Zi, pasi supozohet se mbështetën një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016, elementët pro-rusë të mbështetur nga Kisha Ortodokse Serbe luajtën një rol të madh në rrëzimin e qeverisë së Djukanovic,dhe vendosjen e një qeverie më pro-Kremlinit, e cila u fut në krizë disa javë më parë, duke nxitur shqetësimet për ndërhyrje të reja ruse.

Në Maqedoninë e Veriut, anëtarja më e re e NATO-s, Rusia thuhet se po vazhdon të ndikojë në politikën e brendshme. Me shumë gjasa, Rusia nuk dëshiron të shohë një ri–ndezje të luftërave traumatike ballkanike, të cilat përfunduan vetëm falë ndërhyrjes së fuqishme ndërkombëtare, përfshirë bombardimet e NATO-s.

Por tronditja e rajonit e shteron energjinë diplomatike të Perëndimit, duke shtuar problemet e emigrimit nga ky rajon dhe destabilitet.“Rusët po i rrisin tensionet në rajon”- thotë Tucalo. Ngacmimi dhe frikësimi e kanë ndihmuar Moskën të arrijë qëllimet e saj strategjike. “Rusia do të donte të krijonte një kaos dhe më pas të pozicionohej si ndërmjetëse në Ballkan.

Më vonë do ta përdorte këtë fuqi për të ri–negociuar me Perëndimin mbi kaosin që ka shkaktuar po vetë në Ukrainë. Një nga qëllimet e Putinit është ta rikthejë Rusinë si një fuqi të madhe. Dhe një Rusi revanshiste është gati ta përdorë forcën në mënyrë të njëanshme në shekullin XXI, sepse në mendjen e Putinit kjo është pikërisht ajo që bëri Perëndimi gjatë shekullit XX-të”./bota.al

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan