Dy sulmuesit antisemitë në Bondi Beach, babai 50-vjeçar Sajid Akram dhe djali i tij 24-vjeçar Naveed, thuhet se i premtuan besnikëri ISIS-it përpara se të kryenin sulmin në Sydney të dielën, më 14 dhjetor, ditën e parë të festës hebraike të Hanukkah.

Të paktën 15 persona u vranë mes tyre edhe një vajzë 10-vjeçare me emrin Matilda, ndërkohë 42-të tjerë ndodhen në spital.

Sipas raportimeve të mediave lokale, autoritetet po hetojnë Naveed për lidhjet e tij me grupin terrorist Shteti Islamik. Zyrtarë të lartë të përfshirë në hetim i thanë Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC) se dy flamuj të ISIS u gjetën në makinën e dy autorëve, ndërsa po kontrollonin për eksplozivë.  Një lajm i tillë ende nuk është konfirmuar nga Policia.

Naveed Akram, një murator i papunë së fundmi, ishte vendosur në një listë mbikëqyrjeje në korrik 2019 me dyshimin për planifikimin e një sulmi. Agjencia australiane e inteligjencës ASIO dhe policia lokale konfirmuan se burri ishte "i njohur" për autoritetet, por nuk konsiderohej një kërcënim "i menjëhershëm", siç konfirmoi edhe kryeministri Anthony Albanese: "Ai u vlerësua bazuar në lidhjet e tij me individë të tjerë dhe u përcaktua se nuk kishte asnjë tregues të një kërcënimi të vazhdueshëm ose përfshirjeje në ndonjë akt dhune."

Babai i tij, Sajid, pronar i një biznesi të vogël vendas, nuk ishte i listuar si terrorist i dyshuar dhe kishte leje për të poseduar gjashtë armë zjarri. 50-vjeçari vdiq në një shkëmbim zjarri me policinë pasi qëlloi një turmë plazhistësh për më shumë se 10 minuta.

Djali i tij mbetet i shtruar në spital nën mbikëqyrjen e policisë. Policia kontrolloi shtëpinë e familjes në Bonnyrigg, në periferi perëndimore të qytetit, dhe një Airbnb në Campsie, një periferi tjetër në perëndim, ku thuhet se babai dhe djali kishin qëndruar ditët e fundit.

Sipas familjes së tyre, të dy kishin pretenduar se do të shkonin për një fundjavë zhytjeje dhe noti. Në vend të kësaj, ata shkuan në plazhin më të famshëm të Australisë, të armatosur me pushkë dhe eksplozivë të bërë në shtëpi, përpara se të hapnin zjarr ndaj qindra hebrenjve të mbledhur për eventin "Hanukkah pranë Detit"./La Repubblica