Analiza/ Rrugët, ja çfarë sjell
buxheti 2014 për rrjetin nacional

Analiza/ Rrugët, ja çfarë sjell<br />buxheti 2014 për rrjetin nacional
TIRANE- Shqiptarja.com publikon pjesën e dytë të analizës së Sokol Kikinos për buxhetin 2014.

Vijon nga numri i kaluar  Qeveria e “duarve të pastra” që na la si mos më pis

Për të bërë një analizë të buxhetit dhe sistemit të ri të taksave që propozohet duhet analizuar sjellja e protagonistëve kryesorë që janë ish-qeverisja e djeshme (opozita e sotshme), që prezantohet me menaxhimin në të shkuarën e saj dhe me oponencën sot, qeverisja e sotme, e cila prezantohet me këtë buxhet e sistem taksash dhe biznesi. Populli dëgjon, komenton, vlerëson dhe kritikon. Pas 1 janarit 2014 (së bashku me biznesin) ai bëhet protagonist.

Për qeverisjen e djeshme mjafton analiza e detajuar që unë parashtrova me deduksionin logjik, ku borxhi publik u la në afro 64.75% të Prodhimit të Brendshëm ose rreth 8.5 miliardë USD, ku u trashëgua një borxh për firmat private  prej rreth 600 milionë USD (ende jo 100% i përllogaritur), duke e vënë qeverinë aktuale para faktit të kryer, duke marrë borxh për të larë borxh, ku shuma e kontratave të lidhura dhe në vazhdim (përfshi dhe punimet e kryera por të papaguara) vetëm për rrugët nacionale arrin në rreth 800 milionë USD, ku janë bërë e lënë pa bërë rrugë, por pronarët nuk janë shpronësuar (për shembull në 2012 u mundësuan vetëm 3.3 milionë USD nga 20 milionë USD që prisnin të prekurit nga shpronësimet), ku remitancat (ndihmat nga emigrantët për familjet e tyre) arritën minimumin e minimumeve ndër vite, me një ulje prej 136 milionë Euro ose 28% më pak në 2013 në krahasim me vitin 2012, dhe ku u privatizuan pothuajse të gjitha asetet publike shqiptare dhe s’ka mbetur gjë më për të privatizuar, ku shumë pak blihet e shitet në krahasim me periudhat e mëparshme.

Shpjegova se shpenzimet e bëra për rrugët, për periudhën 2006-2013 shkojnë në afro 4.2 miliardë USD. Nëse i shtojmë kësaj shifre koston e shkaktuar nga aksidentet të lartpërmendura, atëherë shuma shkon në rreth 6 miliardë USD. Po të zbresim dëmin nga aksidentet, shuma e hedhur për rrugët zë rreth 42% e shumës së borxhit total prej rreth 8.5 miliardë USD, që ka sot Shqipëria. Kjo është fatura që ne kemi paguar këto 8 vite për të pasur këto rrugë. Këto rrugë, ku nuk je aspak i sigurt, pasi del në mëngjes me makinë nga shtepia dhe nuk e di nëse do të kthehesh gjallë, këto rrugë që u projektuan dhe ndërtuan pa standarde, këto rrugë që janë lënë bërë e pabërë, këto rrugë që na lanë në këtë borxh të madh.

Dhe në menyrë normale pyetja e radhës që bëhet është: në kushtet e lartpërmendura dhe me sistemin e ngritur në vite, ç’lloj risie dhe sa me këmbë në tokë është ky buxhet që propozohet për vitin 2014? Dhe për të arritur në konkluzion, gjeja e parë që të shkon në mendje përtej kësaj analize është fakti se sa konsistent, ky buxhet është me programin e qeverisjes socialiste (sigurisht për harkun kohor të këtij buxheti)?
Ajo që vihet re tek ky buxhet është se në tërësinë e vet përpiqet të realizojë një pjesë të premtimeve elektorale të mishëruara në programin e Qeverisë të miratuar në Parlament, por pa dyshim lajmi me i mirë është se ky buxhet, i hartuar me ndihmën e FMN synon të ndalojë rënien e rritjes ekonomike nga 3.1% në 2011, në 1.6% në 2012 dhe më e ulëta në këtë vit që po lëmë me 1.2% për të ndryshuar kursin drejt një trendi pozitiv rritje në 2%.

Të ardhurat totale janë parashikuar në shumën prej rreth 3.5 miliardë USD ose 26.1% e PBB ose rreth 420 milionë USD më shumë se vitin e kaluar. Siç parashikohet, pjesa më e madhe e të ardhurave në shumën prej rreth 2.6 miliardë USD vijnë nga tatimet dhe doganat. Kjo është një rritje prej 18.5% më shumë në krahasim me vitin 2013. Kjo tregon se shtohen gjasat për një angazhim total të Qeverisë për të luftuar evazionin fiskal dhe për të vendosur rregullin tatimor. Po kështu nuk vihet re ndonjë e ardhur nga privatizimet masive që bëri qeverisja e kaluar të aseteve kryesore të vendit tonë. Buxheti është projektuar më i orientuar drejt problemeve sociale si për shtresat në nevojë, bujqësinë, shëndetësinë etj.

Por ajo që ka të bëjë me shpenzimet kapitale (investimet) për vitin 2014 nga financimi i brendshëm dhe ai i huaj, në tërësi parashikohet të jetë rreth 750 milionë USD ose rreth 6% e PBB. Këto shpërndahen në shpenzime kapitale të ministrive dhe institucioneve të ndryshme në masën 65 miliardë lekë ose rreth 650 milionë USD ose 4.8% e PBB +100 milionë USD për qeverisjen vendore. Fondi i investimeve është rritur këtë vit në krahasim me vitin e kaluar me 27 milionë USD për Ministrinë e Arsimit, po kështu dhe për atë të Shëndetësisë, Punëve Sociale, Bujqësisë e me radhë për të gjitha Ministritë. Ndërkohë, të gjitha këto ministri janë të detyruara të paguajnë borxhe të trashëguara specifike për çdo sektor.

Nga buxheti për ministrinë që mbulon sektorin e rrugëve vihet re se investimet janë përqëndruar kryesisht në mbylljen e disa prej kantierëve të hapura prej vitesh si Milot-F. Krujë, Plepa-Kavajë, nyja e Milotit, ndërhyrje të pjesshme në pjesën Kukës-Morinë, rruga e re Qukës-Qafë Plloçë etj, ku synohet të punohet në segmentet kantjere të hapura, me problematikë, me trafik më të rëndë, aty ku ka një fluks më të madh turizmi në verë. Bien gjithashtu në sy 2 fakte të reja: për unazën e Tiranës jepen jo 1% e vlerës totale të projektit por 13%; po kështu ka një rritje të mbështetjes me kosto lokale dhe TVSH me gati 30% mesatarisht në krahasim me vitin e kaluar. Ka një tendencë për të mbështetur fuqishëm sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve.

Për portet vihet re që është alokuar fond për thellimin, pra për ta bërë atë të operueshëm si dhe pas një bllokimi disavjeçar prej disa vitesh, fillon e bëhet realitet ndërtimi i fazës së parë të Portit të Vlorës. Përmes buxhetit përmbushen projekte në favor të zhvillimit rajonal ato me fondin shqiptar të zhvillimit etj. Nuk po bllokon kjo Qeveri projektet e qeverisë së shkuar, siç u bë me rrugën Fier-Tepelenë, e cila u mbajt peng për më shume se 3 vite. Ajo çka vihet re është se fondi për sigurinë rrugore është minimal. Kjo do të bëjë që aksidentet, fatkeqësisht, të mbetin të paktën në nivelet e viteve të shkuara, megjithëse vihet re një financim prej rreth 800,000 USD nga BE për mbështetje teknike në këtë sektor tejet të rëndësishëm.

Detyrimet e prapambetura për rimbursim TVSH-je dhe tatim-fitimi, që do të paguhen nga ky buxhet janë në shumën rreth 270 milionë USD. Pra, në total do të shlyhen rreth 390 milionë USD detyrime të prapambetura. Interesat, që do të paguhen nga borxhet e shumta, që janë marrë e që në një masë të konsiderueshme janë përdorur për rrugët, të trashëguara veçanërisht nga 8 vitet e qeverisjes së kaluar dhe që do të paguhen nga ky buxhet, do të jenë  rreth 460 milionë USD ose rreth 55% e gjithë investimit. Defiçiti për 2013 do të jetë rreth 830 milionnë USD dhe për 2014 do të jetë rreth 950 milionë USD ose 6.9% e PBB (defçiti i brendshëm 460 milinë USD dhe ai i jashtëm është 495 milionë USD). Nëse nuk do të kishim trashëguar këto detyrime të prapambetura dhe nuk do të kishim këto shpenzime marramendëse dhe të paplanifikuara për rrugët në vite që na kushtuan rreth 4.2 miliardë USD në 8 vitet e shkuara dhe interesat që paguajmë për to çdo vit janë marramendëse (nga shuma totale mesatare vjetore e pagesës së interesit prej rreth 400-450 milionë USD).

Sigurisht që sot do të kishim patur një pasqyrë krejt tjetër të buxhetit dhe defiçiti nuk do të kishte arritur në 950 milionë USD, por do të kishte qenë e pakta sa 1/3 e tij gjë, që do t’i krijonte mundësinë Qeverisë se re të planifikonte në mënyrë tepër më komode, nuk do të kishim pasur nevojë të thërrisnim FMN dhe për më tepër nuk do të kishim patur fare nevoje për të rritur taksat, për të cilat do të shpjegohem me vonë. Pra, për transportin (rrugët në tërësi) në vitin që vjen janë planifikuar të investohen në total 245 milionë USD, +120 miliënë USD detyrime të papaguara, bëjnë 365 Millionë USD. Po të supozojmë se 50% e detyrimit të prapambetur prej 228 milionë USD për TVSH dhe tatim fitimin paraprak do të shkojë për kompanitë e ndërtimit i bie, që në total nga buxheti i shtetit, vetëm për rrugët jepen rreth 450 milionë USD.

Për krahasim: në vitin 2010 fondi ishte rreth 330 milionë USD ose rreth 73% i këtij të 2014; në vitin 2011 ishte rreth 295 milionnë USD ose rreth 65% i këtij të 2014; dhe në 2012 ishte vetëm 250 milionë USD ose rreth 55% e këtij të 2014. Mos të harrojmë 3 fakte të tjera kryesore: 1. në shumën, që përmenda më sipër prej 450 milionë USD, nuk përfshihet shuma e interesave dhe principaleve për kreditë e marra vetëm për rrugët në 8 vitet e shkuara (nga totali prej 460 milionë USD, ku pa frikë mund të themi se për rrugët shkojnë 70-100 milionë USD); 2. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto, kur janë alokuar ato buxhete goxha të ulëta, në krahasim me vitin e ardhshëm, të viteve 2010, 2011, dhe 2012, ka qenë në rënie të madhe respektivisht 3.8%, 3.1%, 1.6%, duke arritur minimumin e pritshëm prej 1.4% në këtë vit; 3. si dhe faktin që nga kjo që na ndodhi, Shqipërisë i janë lidhur duart, që të paktën në 3-4 vitet e ardhshme, të marrë kredi të tjera (përveçse kësaj të FMN, për shlyerje borxhesh) për projekte dhe investime madhore. Konkluzioni mund të nxirret thjeshtë.

Nëse do te kishim paëur një rritje krejt tjetër ekonomike, nëse nuk do të trashëgoheshin borxhet marramendëse dhe nëse fondet do të ishin alokuar në mënyrë më të planifikuar dhe të përgjegjshme për rrugët, në vitet e shkuara, gjendja do të kishte qenë krejtesisht tjeter.
Në këto kushte çdokush mund të pyeste se ç’mund të bentë më shumë kjo Qeveri se kaq? Sigurisht, ajo ka vazhduar investimet në infrastrukturë dhe rrugë për projektet e lëna nga qeveria e shkuar, pasi e premtoi këtë në fushatë. Sigurisht ajo po paguan detyrimet e prapambetura ashtu siç i premtoi, po rrit të ardhurat nga tatimet dhe doganat ashtu siç i premtoi, edhe pse në kushte tejet të disfavorshme të treguesve fiskalë, po mban nivelin e kushtezuar të investimeve. Nuk po bën marrëzira 1 miliardë dollarëshe, nuk po privatizon asete me vlerë kombëtare për një copë bukë.

Po aplikon atë që premtoi, pra taksën progresive, për të përfituar edhe pse në mënyrë të rezervuar (kjo do të testohet gjatë vitit që vjen) shumica e popullit shqiptar dhe çka është më e rëndësishme, po hedh me kujdes por dhe me kurajo hapat për një planifikim të kujdesshëm 3-vjeçar, ku padyshim po koordinonon në mënyrë të kujdesshme dhe të integruar investimet buxhetore me ato të huaja dhe në kuadër të financimeve nga fondet IPA për 7 vitet e ardhshme, por pse jo, të planifikoje dhe projekte madhore konçensionare ose të partneritet publik-privat si mirëmbajtja e Rrugës së Kombit, Rruga e Arbrit, Porti i Shëngjinit etj.

Besoj se është tashmë mëse e qartë se për çdo shqiptar, në kuptimin më të rëndomtë, reformë gjatë gjithë ketyre viteve është konceptuar shkurtimi dhe heqja e njerëzve nga puna. Me këtë, absolutisht nuk mund dhe nuk dua të hedh poshtë reformat e ndermarra në këto 23 vite, që e kanë sjellë Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, që synon aspiratën e saj për aderimin ne 8-10 vitet e ardhshme në Europe. Por ajo që të bie në sy me këtë qeverisje (dhe që padyshim mishërohet dhe në këtë buxhet) është se kanë kaluar vetëm 3 muaj qeverisje dhe po fillon të bëhet realitet një formëzim i reformave më të thella, që janë ndërmarrë ndonjëherë në këtë vend. Me fjalë të tjera, po fillon të zbatohet në terren shprehja e njohur e popullit tonë se “po nuk rrodhi uji, ai turbullohet”.

Dhe me të vërtetë, që ujërat prej kohësh kishin filluar të turbulloheshin. Mjafton të përmendim faktin që rreth 40-50% e ekonomisë shqiptare është informale. A nuk është kjo një padrejtësi sociale? Dhe kur Qeveria po merr masa konkrete në luftën kundra evazionit fiskal, kontrabandës, monopoleve, kontrolleve më të shpeshta por cilësore, të drejta dhe jo keqadashëse, etj, duke synuar të rrisë të ardhurat në mënyrë drastike (që do të përkthehen më tej në investime), a nuk është kjo një reformë e thellë për formalizim dhe drejtësi sociale? Po kështu ka filluar reforma e pronësisë me verifikimet e titujve të pronave të ligjit 7501, që do të mbulojë me çertifikata pronësie deri në fund të 2015 mbi 70% të territorit, që do të minimizojë gjithë problematikën e akumuluar në këto 23 vite, duke i hapur rrugë investimeve serioze, por duke i dhënë më shumë edhe zhvillimit të bujqësisë nëpërmjet krijimit të fermave të mëdha, të cilat nëpërmjet akseseve më të medha në tregje, do të ulnin ndjeshëm çmimin e prodhimeve bujqësore.

A do të ndikonte kjo në atë që rreth 780 familje shqiptare, që janë sot dhe që konsumojnë mestarisht 800 milionë USD në vit produkte bujqësore, që më së shumti importohen, me këtë reformë dhe të ngjashme të benin që, keto produkte të fillonin të konsumoheshin si “Made in Albania”, duke realizuar kështu një vlerë të shtuar? A është e drejtë që trashëguam një sistem energjitik ku 60% e popullsisë mbulon 40% të humbjeve dhe ku ka filluar reforma në sistemin energjitik? Po kështu mund të vazhdojmë dhe me reformën e pensioneve, reforma territorial ku padyshim hartimi i Planit Kombëtar të Zhvillimit, të planifikuar tashmë, do të përbënte “Kushtetutën e Zhvillimit Ekonomik” për 20-30 vitet e ardhshme, ajo e shëndetësisë, e drejtësisë etj, të cilat padyshim kërkojnë kohën e vet të maturimit. Duket se kjo Qeveri, jo vetëm që nuk bllokon projekte, që la qeveria në ikje, por siguron vazhdimësinë dhe mbështetjen financiare të tyre. Mjafton se si dhe për sa vjet e bllokoi qeveria e shkuar ndërtimin e rrugës Fier-Tepelenë, projektin e detajuar të së cilës e gjeti gati.

Vijon...
*) Master në planifikim infrastrukture
 
Shkrimi u publikua sot (26.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit