Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, Selimi vazhdon lobimin në SHBA


PRISHTINE, 7 Qershor/ATSH/- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi po qëndron në New York në kuadër të aktivitetit të tij lobues për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Sipas një komunikate për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet se zëvendësministri Selimi ka takuar një numër të caktuar të përfaqësuesve të përhershëm në OKB, shtetet e të cilëve nuk kanë përfaqësim momental në Paris.
Në takime të ndara, ambasadorët në fjalë janë informuar nga zëvendësministri Selimi lidhur me vendimin e MPJ-së për të aplikuar në UNECSO gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa atyre u është kërkuar mbështetja politike në gjithë procesin e kësaj ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë në tërësinë e marrëdhënieve multilaterale të Kosovës.
Zëvendësministri Selimi ka folur gjerësisht mbi rëndësinë që ky proces të përfundojë suksesshëm në nëntor të këtij viti, pasi ky hap është në interes të dyanshëm dhe i cili akt do të kontribuojë më tutje në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale, do t'i hapte rrugë promovimit të bashkëpunimit reciprok përmes edukimit, shkencës dhe kulturës, avancimit të respektit universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut të garantuara me Kartën e OKB-së.
Zëvendësministri Selimi është ndalur në veçanti në çështjet e trashëgimisë kulturore, historike, turistike, arkitektonike mijëravjeçare që të Kosovës dhe domosdoshmërinë që kjo trashëgimi të ketë "pasaportën" e UNESCO-s.
Selimi ka folur gjithashtu për resurset natyrore dhe popullsinë dinamike ku gjysma e popullsisë se Kosovës është nën moshën 25 vjeçare. Rinia, sipas Selimit, përbën grupin më të madh demografik me një potencial të jashtëzakonshëm për t'u bërë faktor i ndryshimit. Prandaj, anëtarësimi në UNESCO paraqet fokusin kryesor në synimet tona afatshkurtra. Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet Kosovës dhe UNESCO-s, përfshirë partnerët e saj kryesor në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që Kosov a të promovojë punën e saj dhe të arrijë një zhvillim cilësor dhe të gjithëmbarshëm.
Si përfundim, theksoi Selimi, Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar për promovimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, për arsimimin cilësor të tyre, për promovimin e punës dhe parandalimin e diskriminimit.
Zëvendësministri Selimi ka folur edhe për zhvillimet politike në Kosovë, në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës nga perspektiva e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Selimi mori përkrahje të gjerë në këtë drejtim, ndërsa në Washington, D.C. pritet të zhvillojë konsultime politike me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, me theks të veçantë në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL. /a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!