Anija luksoze e kroçerës MV Hondius, e goditur nga hantavirusi, u nis të hënën nga ishulli spanjoll Tenerife drejt Holandës, pasi gjashtë pasagjerët e fundit dhe disa anëtarë të ekuipazhit u evakuuan nga bordi.
Anija e ekspeditave polare, që transportonte pasagjerët e mbetur — katër australianë, një britanik që jeton në Australi dhe një shtetas i Zelandës së Re — ndaloi për pak kohë në portin e Granadilla de Abona, duke lejuar zbritjen e tyre, së bashku me 19 anëtarë ekuipazhi dhe dy mjekë. Më pas ajo vazhdoi lundrimin drejt Holandës me 25 anëtarë ekuipazhi, si edhe një mjek dhe një infermier.
Pasagjerët dhe stafi i evakuuar në Tenerife hipën në autobusë që i çuan në aeroportin lokal, ku u transferuan në dy avionë me destinacion Holandën, njoftoi Ministria e Jashtme holandeze.
“Misioni u përmbush; sapo kemi përfunduar operacionin dhe anija sapo është nisur,” tha ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia.
Ekuipazhi do të përfundojë karantinën në Holandë, tha Ministria e Jashtme holandeze. Avioni që transportonte pasagjerët do të vazhdojë drejt Australisë dhe do t’i takojë qeverisë australiane të përcaktojë se ku do të kryhet karantina e tyre, shtoi Garcia.
Zbritja e pasagjerëve i jep fund një operacioni kompleks, i cili deri tani ka rezultuar në evakuimin dhe riatdhesimin e 94 personave në vendet ku jetojnë, 41 ditë pasi MV Hondius u nis nga jugu i Argjentinës dhe nëntë ditë pas rezultatit të parë pozitiv për infeksionin viral respirator.
Tre persona — një çift holandez dhe një shtetas gjerman — kanë vdekur që nga fillimi i shpërthimit në anije të virusit, i cili zakonisht përhapet nga brejtësit e egër, por në raste të rralla mund të transmetohet edhe nga personi te personi përmes kontaktit të afërt.
KRIZË MENTALE PËR DISA PASAGJERË
Duke evakuuar anijen në Tenerife në vend që t’i detyronin pasagjerët të qëndronin në karantinë në bord, autoritetet synuan të gjenin një ekuilibër mes mbrojtjes së sigurisë publike dhe ruajtjes së shëndetit mendor të pasagjerëve, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp në Tenerife.
“Madje pati edhe krizë mendore për disa prej pasagjerëve. Është shumë e vështirë të qëndrosh për javë të tëra në një hapësirë të vogël. Ky ishte opsioni më i mirë dhe i vetmi që kishim,” tha Tedros.
Më herët, kapiteni i anijes, Jan Dobrogowski, vlerësoi durimin dhe disiplinën e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
“Nuk mund ta imagjinoja të lundroja në këto rrethana me një grup më të mirë njerëzish, si pasagjerë ashtu edhe ekuipazh,” tha Dobrogowski në një video të publikuar në faqen e Oceanwide Expeditions, operatori i kroçerës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se tani ka shtatë raste të konfirmuara të variantit Andes të hantavirusit dhe dy raste të tjera të dyshuara — një person që vdiq para se të testohej dhe një tjetër në Tristan da Cunha, një ishull i largët në Atlantikun Jugor ku nuk kishte teste në dispozicion.
Rastet e konfirmuara përfshijnë një pasagjere franceze, e cila rezultoi pozitive pasi anija u ankorua në Ishujt Kanarie të dielën. Gjendja e saj po përkeqësohej, tha ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist.
Një nga 14 spanjollët që ndodhen në karantinë në një spital ushtarak në Madrid ka rezultuar pozitiv për virusin, njoftoi Ministria spanjolle e Shëndetësisë në një deklaratë të hënën në mbrëmje, duke shtuar se pacienti nuk kishte simptoma dhe se po kryheshin analiza të tjera përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar.
Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha se një nga 17 amerikanët që po riatdhesoheshin kishte rezultuar gjithashtu lehtësisht pozitiv për variantin Andes të virusit. Ministria spanjolle e Shëndetësisë tha se analiza e një kampioni tjetër të të njëjtit amerikan në një laborator tjetër kishte dhënë rezultat të paqartë.
Një amerikan i dytë kishte gjithashtu simptoma të lehta. Kur MV Hondius iu afrua Ishujve Kanarie javën e kaluar, ministrja spanjolle e Shëndetësisë dhe OBSH-ja kishin deklaruar se të gjithë pasagjerët ishin pa simptoma.
RREZIK I ULËT PËR PUBLIKUN
Zyrtarët shëndetësorë thonë se, për shkak se virusi nuk përhapet lehtësisht mes njerëzve, ekziston pak rrezik për publikun e gjerë dhe kanë bërë thirrje për qetësi tek një opinion publik ende i traumatizuar nga pandemia e COVID-19. MV Hondius kishte në bord 147 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 23 vende, kur një grup rastesh me sëmundje të rënda respiratore mes pasagjerëve iu raportua për herë të parë OBSH-së më 2 maj.
Deri atëherë, 34 pasagjerë të tjerë kishin zbritur në ishuj të Atlantikut përpara se anija të drejtohej drejt Kepit të Gjelbër, ku doli lajmi për shpërthimin. Rasti u zbulua fillimisht nga zyrtarët shëndetësorë në Johannesburg më 2 maj, teksa trajtonin një britanik që kishte zbritur nga anija. Kjo ndodhi rreth tre javë pas vdekjes së pasagjerit të parë, një holandezi.
Anija luksoze e kroçerës u nis drejt Ishujve Kanarie më 6 maj, pasi Madridi pranoi një kërkesë të OBSH-së për të menaxhuar evakuimin e saj. OBSH-ja ka rekomanduar një karantinë 42-ditore për të gjithë pasagjerët, tha Tedros për gazetarët.
“Njerëzit duhet të qetësohen se situata është nën kontroll,” tha Gianfranco Spiteri, përgjegjës për emergjencat në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, për Reuters.
“Ne e njohim virusin. Mund të parandalojmë përhapjen e mëtejshme. Nuk presim një pandemi të re nga kjo,” tha ai.
Komente










Mesa duket do ta perhapi virusin edhe ne vende te tjera.
Përgjigju