Anija Tara, ndalesë në Vlorë

Anija Tara, ndalesë në Vlorë
Anija Tara do të bëjë një ndalesë në qytetin e Vlorës, qytet portual i detit Adriatik, një nga më të lashtët, i cili gjendet 100 kilometra në jug të qytetit të Tiranës. Edhe pse Tara e ka përshkruar gjithë Mesdheun, është e para herë që anija vjen në Shqipëri.

Kjo ndalesë, e përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Francës në Tiranë, do të jetë rasti për të vazhduar sensibilizimi dhe informimi i publikut të gjerë rreth temave mjedisore, të cilat udhëheqin anijen Tara që prej 10 vjetësh dhe në veçanti, gjatë kësaj ekspedite që quhet Tara Méditerranée.

Në programin e këtyre katër ditëve janë parashikuar konferenca, ekspozita, vizita në anije, ose më tej shfaqje filmash.

Ekspozita “Oqeani – planeti ynë” mund të vizitohet në datat 16 deri më 18 korrik në Qendrën e Informimit Evropian të qytetit të Vlorës. Kjo ekspozitë është rasti për të kuptuar se oqeani është burimi i jetës dhe mbulon tre të katrat e planetit tonë blu.

Më 16 korrik, pas një vizite në ishullin e Sazanit, nën administrimin e ushtrisë shqiptare, do të nënshkruhet, në bordin e anijes Tara Méditerranée, një marrëveshje bashkëpunimi midis Kryetares së “Conservatoire du Littoral”, Viviane Le Dissez dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së re Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.

Kjo marrëveshje nënshkruhet nën kujdesin e ambasadores së Francës në Shqipëri, Christine Moro, Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

Më 17 korrik paradite, në Universitetin e Vlorës do të organizohet një seminar me punonjës shkencorë francezë dhe shqiptarë. Zotërinjtë Sajmir Beqiraj dhe François Galgani, do të referojnë mbi bashkëpunimin franko-shqiptar në fushën e mbrojtjes së bregdetit në Shqipëri si dhe mbi perspektivat e mbrojtjes së kësaj hapësire të përbashkët që është Deti Mesdhe. Studentë dhe studiues do të drekojnë së bashku në vazhdim në bordin e Tara Méditerranée dhe do të vizitojnë anijen.

Dhe së fundi, 18 korriku do t’i kushtohet anës pedagogjike të ekspeditës. Në bordin e anijes do të ngjiten fëmijë të tre shtëpive të fëmijës të këtij rrethi për ta vizituar atë, dhe më pas ata do të zbulojnë aty ekspozitën “Oqeani – planeti ynë”
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës