Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë bleu 5.8 milionë Euro

Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë bleu 5.8 milionë Euro

Banka e Shqipërisë zhvilloi javën e kaluar ankandin e radhës në programin vjetor të blerjeve të Euros në tregun valutor.

Sipas informacioneve nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 5.8 milionë Euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 11.7 milionë Eurove.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë Eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë 5.8 milionë Euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 121.67 dhe 121.75 Lekëve. Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 121.71 lekë. Në këtë ankand, Banka e Shqipërisë nuk ushtroi opsionin e blerjes në raundin e dytë, duke u kufizuar në shumën e blerë gjatë raundit të parë të ankandit.

Shuma prej 5.8 milionë eurosh, e blerë javën e fundit ishte e njëjtë me atë të ankandit të mëparshëm, që ishte zhvilluar më datë 18 tetor. Këto shuma janë relativisht të ulëta krahasuar me ankandet e mëparshme dhe me mesataren e gjysmës së parë të vitit.

Për 6-mujorin 2021, Banka e Shqipërisë pati zhvilluar gjashtë ankande, në të cilat u blenë gjithsej 56.8 milionë Euro, me një mesatare të blerjeve prej rreth 9.5 milionë eurosh për ankand.

Në muajin dhjetor, janë planifikuar edhe dy ankande të tjera për blerje valute. Mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë gjatë këtij viti parashikohen blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove. Blerjet e deritanishme gjatë këtij viti kanë arritur pranë vlerës së 90 milionë eurove.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore.

Në fund të muajit shtator, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.2 miliardë Eurove, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qëllimi kryesor i mbajtjes së rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por edhe shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Të dhënat nuk dëshmojnë ndonjë lidhje domethënëse mes kërkesës që vjen nga ankandet e Bankës së Shqipërisë dhe ecurisë së kursit të këmbimit. Zakonisht, as në datën e ankandit të blerjes së Euros dhe as në ato pararendëse nuk është shënuar ndonjë mbiçmim i monedhës europiane kundrejt Lekut. Përkundrazi, javën e fundit Euro ka vijuar të nënçmohet ndaj lekut dhe është kthyer në nivelet ku ndodhej në mesin e muajit tetor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të premten Euro këmbehej me 121.53 lekë./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!