Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar sot betejën në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të Veliajt, pas propozimit të Këshillit Bashkiak.
Lidhur me këtë avokati Arbër Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se ky vendim i Kushtetueses ishte i pritshëm dhe se u vendos drejtësi. Ai theksoi se shkarkimi i Veliajt përbënte një precedentë të rrezikshëm.
‘Ishte i parashikuar ky vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe ishte i pritshëm. Për fatin e mirë të zotit Veliajt, Gjykata Kushtuese realizoi pritshmëritë e juristëve duke u ngritur në lartësinë e juristëve, duke treguar integritet dhe duke vendosur legjitimitetin e ligjshmërinë në rastin e zotit Veliaj. E kam theksuar edhe më herët se do të ishte një precedentë i rrezikshëm, një pushtet autokratikë i Këshillit të Ministrave mbi të zgjedhurin vendor. Kështu mjaftonte që të caktohej një masë sigurie arrest me burg ose shtëpie dhe përtej 3 muajve çdo i zgjedhor vendor do të shkarkohej nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave’, tha ai.
Avokati theksoi se Veliaj do të vazhdojë që të jetë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës, deri në përfundim të mandatit dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i paankimueshëm.
‘Vendimi i GJK është një vendim i cili konstaton antikushtetueshmërinë të ligjit mbi qeverisjen vendore. Ajo që ngelet për t’u theksuar është kur të zbardhet vendimmarrja e gjykatës dhe arsyetimi. GJK pengoi rrugën e një precedenti të rrezikshëm. Veliaj do të vazhdojë që të jetë në detyrë deri në përfundim të atij mandati. Kjo vendimmarrje është e paankimueshme në asnjë instancë tjetër. Ajo që është e rëndësishme është kthimi i legjitimitetit. Shkarkimi i të zgjedhoreve vendore që janë me masë sigurimi, pa një vendim të formës së prerë shkelë kartën e autonomisë vendore’, tha ai.
Vendimi i Kushtetueses në favor të Veliajt vjen pas përballjes mbi 7 orë seancën publike të 31 tetorit, ku ishte i pranishëm edhe vetë kryebashkiaku i cili u përball me kryeministrinë dhe presidencën, njëra që firmosi shkarkimin e tij, e tjetra që dekretoi zgjedhje në kryeqytet. Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, vendim që u mor më datë 25 shtator nga qeveria me firmë të vetë kryeministrit Edi Rama.
Lajmi kryesor:
Erion Veliaj mbetet kryebashkiak, s’ka zgjedhje në Tiranë! Kushtetuesja rrëzon Ramën dhe Begajn, kryetarja Zaçaj votoi kundër! Zbardhet vendimi
Komente












