Anri Sala vjen në Tiranë, i bashkohet festivalit 10-ditor tek “Reja”

Anri Sala vjen në Tiranë, i bashkohet festivalit 10-ditor tek “Reja”

Anri Sala në Tiranë

Piktori shqiptar Anri Sala ka ardhur në Tiranë për t’iu bashkuar më 23 maj edicionit të dytë të Festivalit “Cloud Fest”, që do të mbahet për dhjetë ditë rresht tek “Reja” pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

Anri Sala njihet për numrin më të madh të ekspozitave të realizuara në mbarë botën dhe numrin e madh të objekteve të ekspozuara në to. Artisti më i spikatur në bienalet e mëdha ndërkombëtare, “rrëmbyes” i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare do të bëhet këtë herë pjesë e një festivali në vendin e tij që do të ketë performanca të ndryshme artistike të luajtura nga 120 artistë nga 15 shtete të ndryshme të botës. Ky festival do të mbahet me rastin e 2-vjetorit të mbërritjes së “Resë” së Fujimotos në Tiranë. 

Drejtoresha artistike e festivalit Edit Pula dhe organizatorët e këtij festivali kanë përgatitur një kalendar të ngjeshur aktivitetesh dhe performancash që do të shfaqen në këto 10 ditë feste. “Muzikë, valle, kërcim, letërsi, arte moderne, performanca të ndryshme artistike. Kjo është ajo që do të ofrojë Reja, duke nisur nga sot në mbrëmje me një performancë të krijuar posaçërisht për Festivalin e Resë nga artisti Klod Dedja me pjesëmarrjen speciale të Korit të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe Bojken Lakos dhe për të përfunduar në një festë të madhe në 27 Maj.”, shprehet për “Shqiptarja.com” drejtoresha  e e këtij festivali Edit Pulaj.

Sipas saj nuk do të mungojnë në këto ditë as performancat muzikore dhe të kërcimit nga Egjypti Sllovenia, Gjermania, Gungaria, Greqia, Italia e më gjerë. Ndërkohë që orët e vona të mbrëmjes, kryesisht u janë rezervuar të rinjve me muzikë të luajtur nga Dj me emër, vendas dhe të huaj.

Dy veprat e Anri Salës
Më 23 maj do të prezantohen dy vepra nga Anri Sala: Take Over (2017) dhe Mixed Behaviour Reloaded (2018), të sjella tek REJA nga HARABEL. Harabel është një Platformë e Artit Bashkëkohor me qendër në Tiranë.

“Platforma e kuruar nga Sala synon promovimin e artit publik në Shqipëri dhe krijimin e një arkivi të hapur që do të përmbajë portfolet e artistëve bashkëkohorë në Shqipëri të pas viteve ‘91”, thotë drejtoresha artistike e festivalit Edit Pulaj. 

Të ftuar nga “Reja” dhe duke filluar nga ora 20:30, Harabel do të prezantojë dy vepra të artistit Anri Sala, krijimtaria e të cilit eksploron në mënyrë sa komplekse dhe intuitive marrëdhënien midis muzikës dhe tregimit, arkitekturës dhe filmit, sikurse edhe të cilësive të ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

“Pika e nisjes konceptuale të Take Over janë dy krijimet e njohura muzikore, të ndërlidhura në mënyrë të pandashme me historinë kulturore dhe politike: La MarseillaiseI dhe Interantionale. Take Over e bën të ndjeshme ketë lidhje të afërt të këtyre dy himneve politike dhe përmes ndjekjes se afinitetit muzikor të tyre kërkon të zbulojë gjurmë të kuptimit historik. Mixed Behaviour Reloaded, në bashkëpunim me DJ Minimim, është i bazuar në reminishencën e veprës së mëparshme të artistit Mixed Behavior, vepër e cila përmes lojës së imazhit dhe tingullit të krijuar nga një DJ, ndërlidhur me zhurmat përrethëse të qytetit, sjell disa nga temat më të rëndësishme të hulumtimit artistik të Salës, përfshirë këtu një lojë të ndërsjellë mes dritës dhe errësirës, të dëgjuarit dhe të parit, reales dhe të projektuarës.”, i përgjigjet Pula kuriozitetit të “Shqiptarja.com” për performamcen e Anri Salës.

Artisti Anri Sala jeton dhe punon në Berlin. Ai ka fituar Çmimin Vincent (2014), edicionin e 10-të të Çmimit Benesse. (2013), Çmimin Absolut Art (2011), dhe Çmimin e Artistit të Ri në Bienalen e Venecias (2001). Ai ka marrë pjesë në shumë ekspozita në grup dhe biennale duke përfshirë Bienalen e Havanës (2015), Bienalen e Sharjah (2013), edicionin e 9-të të Bienales së Gëangju (2012), dOCUMENTA (13) (2012), edicionin e 29-të të Bienalen së São Paulo (2010), edicionin e 2-të të Bienales së Artit Bashkëkohor në Moskë (2007) dhe edicionin e 4-t të Bienales së Berlinit (2006). Në 2013, Anri Sala përfaqësoi Francën në Bienalen e 55-të të Venecias me ekspozitën personale Ravel Ravel Unravel. 

Anri Sala përfaqëson një vizion të vërtetë bashkëkohor ndërkombëtar: punon në një mori mediumesh që përfshijnë videon, fotografinë dhe instalacionin, është arsimuar në Shqipëri dhe Francë, dhe tani jeton dhe punon në Berlin. Në filmat dhe instalacionet e tij Sala i fton shikuesit të marrin pjesë në botën e tij të vëzhgimit kulturor dhe shpesh përdor si sfond ngjarje socio-politike dhe përvoja personale.  Duke kundërvënë përballë njëri – tjetrit elemente të së shkuarës dhe të tashmes, mospërputhjes dhe harmonisë, duke e tejkaluar narrativen, tingullin dhe lëvizjen. Anri Sala shfaqet  përherë në botën e artit me eskluzivitete provokuese, duke bërë një eksplorim rrënjësor vetjak historish të ndërthurura dhe intime; tema në rezonancë për individë dhe shoqëri në ndryshim.

Edit Pula zbulon disa nga performancat
Drejtoresha artistike e festivalit “Cloud Fest”, Edit Pula është edhe vet një artiste e njohur si edhe këshilltarja e kulturës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe drejtuesja e projektit të Resë që prej fillimit. Ajo shpjegon disa nga temat e perfomancave si punën e artistes kosovare Edona Vatoci për emancipimin e gruas që realizohet  pas perfomancës së Klod Dedjas. Perfomancat do të nisin që në orën 18.00 të mbrëmjes e deri në orët e vona.

Pula vë theksin edhe tek shfaqjet e dansit, siç është Performanca e Dans Teatrit nga Austria që do të mbahen me 22 maj. “Danci modern është një nga zhanret më pak të zhvilluar në Shqipëri. Ne kemi të zhvilluara dy esktremet, baletin klasik dhe foklorin, por më pak dancin modern, ndaj artistët e ardhur nga Austria apo dhe nga Hungaria do të trajnojnë edhe balerinë të Shkollës së Baletit. Trajnime dhe ëorshope do të ketë edhe në institucione të tjear, ashtu sikurse edhe Anri Sala do të zhvillojë takime e ëorkshope në Universitein e Arteve në Tiranë”, rrëfen Edit Pula për “Shqiptarja.com”.

Ndërsa  pritet që më 23 maj të performojë edhe artistja japoneze Sayoko Onishi me “Pranverën Siciliane”. Pula rrëfen historinë interesante të kësaj performance kërcimi japonez Butoh. “Kërcimi Butoh është një art që përfshin performancën, kërcimin e lëvizjen dhe ka origjinë japoneze. Zakonisht artistët lyhen me të bardhë dhe kryejnë lëvizje jashtëzakonisht të kontrolluara, sepse janë kryesisht lëvizje të ngadalta. Sayoko Onishi është një mjeshtre e kërcimit Butoh”, thotë Edit Pula për “Shqiptarja.com”.  

Ndërsa kujton se do të ketë edhe një performancë me një instrument 2000-vjeçar kinez, Pula rrëfen edhe për pjesëmarrës të tjerë, siç janë Arianna Puello (Ari) një superstar e Hip Hopit në botën Latino Amerikane. Ajo është artistja e pare femër spanjolle që bën muzikë Hip Hop.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë