BRUKSEL- Diskutimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është mbyllur ende.  Ditën e enjte më 24 tetor, Parlamenti Evropian do të votojë një zgjidhje për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut. Ky ka qenë vendimi që kanë marrë ditën e sotme deputetet në seancën e Parlamentit Europian, raporton ANSA.

"Debati për deklaratat e Këshillit Evropian për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë do të përfundojë me një rezolutë që do të votohet të enjten" nga Plenari i Parlamentit Evropian, saktësoi Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli.

Sassoli është shprehur kundër vendosjes së vetos për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi integrimi i Ballkanit, sipas tij do ta bënte Europën më të sigurt.

Pas një samiti dy ditor, liderët e Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Francën që vuri veton, teksa kundër Shqipërisë u pozicionuan edhe Holanda me Danimarkën.

Macron argumentoi qëndrimin e tij se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së.