Anulimi i importit të mbetjeve, Ricikluesit:
Na rrënon, mbyllen 38 mijë vende pune

Anulimi i importit të mbetjeve, Ricikluesit:<br />Na rrënon, mbyllen 38 mijë vende pune
Anullimi i ligjit që lejon importin e mbetjeve për qëllime riciklimi në vendin tonë, nga qeveria Rama, ka hapur debate mes ambientalistëve dhe ricikluesve. Për ambientalistët ky është një vendim mëse i drejtë dhe që do të thotë më pak plehra në vendin tonë. “Ishte një vendim mëse i drejtë. Ne duhet të pastrojmë njeherë vendin tonë, që është i pushtuar nga plehrat, dhe më pas të shikojmë mundësinë e importit”, - ka deklaruar Lavdosh Ferruni, njëri ndër nismëtarët e Aleancës kundër importit të mbetjeve. Por ricikluesit thonë se ndryshimet në këtë ligj, do të thotë faliment për biznesin e tyre. Në një konferencë që kanë zhvilluar dje, kryetari i shoqatës së ricikluesve, Bardhyl Baltëza, ka deklaruar se me miratimin e këtij ligji do të mbyllen 38 mijë vende pune dhe ekonomia do të pësojë një dëm prej 200 milionë euro në vit.

“Vendimi i qeverisë për anulimin e importit të mbetjeve shkakton një dëm financiar prej rreth 200 milionë euro në vit në këtë sektor. Janë rreth 60 biznese që preken nga ky vendim. Ne jemi dakord me amendimin e nenit 22, që ndalon importin e mbetjeve urbane të përziera me qëllim energjinë. Por jo për anullimin e importit për qëllime riciklimi. Importi i Mbetjeve bëhet nga vendet e BE-së dhe është lehtësisht e monitorueshme në doganë përbërja e mallit që hyn në vendin tonë.

Ne kërkojmë që të lejohet importi i reduktuar i mbetjeve, të paktën deri në gjetjen e zgjidhjes për të menaxhuar plehrat që prodhohen në vend”, - ka deklaruar Baltëza, duke kujtuar se në vendin tonë nuk bëhet ndarje e mbeturinave, gjë e cila do t’u mundësonte atyre që të përdornin si lëndë të parë mbeturinat që prodhojnë vetë shqiptarët. Baltëza thotë se, mosfunksionimi i ligjit për manaxhimin e integruar të mbetjeve sjell nevojën që bizneset e këtij sektori të importojnë mbetje urbane të specifikuara. Shoqata kërkon që, qeveria të rishikojë vendimin duke lënë një hapësirë për importin e mbetjeve të letrës dhe plastikës. Në të kundërt, sektori do të shkonte drejt falimentimit.

Qeveria Berisha
Vetëm për vitin e fundit të qeverisjes së tij, ish-kryeministri Berisha, miratoi importin e 700 mijë ton mbetjesh. Në total ai dha 14 leje importi, për qëllime riciklimi, duke filluar që nga metalet e deri tek plastika, letra, xhami dhe veshjet e përdorura. Ndërkohë që importi i mbetjeve ka qenë një temë mjaft e nxehtë, madje u krijua edhe Alenca Kundër Importit të Mbetjeve, që kërkoi mbajtjen e referendumit, por që me anullimin e ligjit nga Rama, nuk është më i nevojshëm. Shqipëria prodhon mesatarisht 700 mijë ton mbetje, por që nuk përdoren për riciklim, pasi në vendin tonë nuk aplikohet metoda e ndarjes së mbeturinave sipas përbërjes së tyre. Ata përfundojnë të bashkuara të gjitha në një vend, dhe ricikluesit thonë se kjo i bën të papërdorshme si lëndë të parë në biznesin e tyre.

Qeveria Rama
Ata që e kanë marrë lejen,  6 muaj afat për ta përfunduar
Por qeveria “Rama” u ka vënë kushte edhe atyre firmave që e kanë marrë tashmë lejen për importin e mbeturinave. Me anë të një dispozite kalimtare, ka saktësuar se ata kanë afat vetëm 6 muaj për të përfunduar këtë proces, ndërsa lejet e importit të miratuara nga qeveria Berisha kanë qenë kryesisht 1-2 vjeçare. “Subjektet, të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Çdo dispozitë ligjore dhe akt nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen”, - përcakton dispozita kalimtare e ligjit që shfuqizon importin e Plehrave.
 
703.400 ton mbetje
Vetëm për vitin e fundit të qeverisjes së tij, kryeministri Berisha ka miratuar 14 leje për importin e mbetjeve nga vendet e tjera. Në total ai ka miratuar që në vendin tonë të futen 703.400 ton mbetje të ndryshme duke filluar që nga metalet e deri tek plastika, xhami dhe veshjet e përdorura
 
Ndryshimet në ligjin për importin e mbetjeve
 
Neni 22/3
Ishte
“Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim”
 
Bëhet
Pika 3 e nenit 22, fjala “... kufizon ...” shfuqizohet.
 
Neni 48
Ishte
Pika 1: Ndalohet në të gjitha rastet Importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.
 
Bëhet
“Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”
 
 
Pika 3
Ishte
“Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim
ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë”
 
Bëhet
Pika 3 shfuqizohet
 
Neni 49
Ishte
“Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji”
Bëhet
Neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, shfuqizohet

Shkrimi u publikua sot (20.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit