Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentin Ilir Meta për ndryshim të masës së sigurisë duke e lënë në qeli.

Meta kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë “arrest me burg” me një tjetër masë më të butë sigurie, por kjo kërkesë u rrëzua. Meta është në qelinë e paraburgimit 313 në Tiranë që prej tetorit 2024.

Në një reagim në rrjete sociale, Meta shkroi se kjo është një drejtësi me regji dhe se çështja e tij është e manipuluar nga prokurorët me qëllim zgjatjen e paraburgimit.

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji. Sot gjykata ju shmang gjykimit të ankesës të avokatëve të mi kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit për të mos marrë përgjegjësi.

U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën për të zgjatur në mënyrë tërësisht të paligjshme paraburgimin tim. Për më shumë komunikojmë nesër”, shkroi Meta nga qelia.

Ish-presidenti i Shqipërisë po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.