Avokatët e ish krerëve të UÇK kanë 30 ditë kohë për të njoftuar Gjykatën Speciale në Hagë se do të apelojnë dënimin e tyre. Në Kosovë mes hidhërimit të lajmit të djeshëm në kosovë ka nisur të artikulohet mundësia e një skenari për shpërbërjen e gjykatës. PDK thotë se do të ndërmarrë çdo hap të lejuar nga ligji e kushtetuta dhe do të nisë një diskutim me partitë parlamentare.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, palët që apelojnë vendimin e gjykatës ose dënimit, apo të dyja së bashku, duhet të njoftojnë gjykatën brenda 30 ditësh se do të apelojnë dënimin ose vendimin dhe brenda 60 ditësh të dorëzojnë dosjen me parashtrime.
Gjykata zgjedh një gjykatës për ta përgatitur çështjen dhe më pas mbahet zhvillohet një konferencë për të diskutuar apelin. Avokatët e Hashim Thaçit pas dhënies së vendimit të mërkurën thanë se procesi tashmë pritet të marrë kohë, madje disa vite.
Mospranimi dhe zemërimi pas vendimit nga Haga, në Kosovë ka nxitur idenë e shkrirjes së kësaj gjykate.
Partitë janë vënë në lëvizje por mes paqartësiuve të mëdha. PDK këtë të enjte zhvilloi një mbledhje të kryesisë ku kryetari i saj Bedri Hamza, nuk përjashtoi diskutimin edhe të këtij skenari.
"Kosova sot është ndryshe. Ne nuk e pranojmë. Në bazë të kërkesave të popullit do të ndërmarrim edhe ne hapat tona. Populli nuk e pranon këtë vendim" tha Abelard Tahiri, anëtar i Kryesisë së PDK-së…
"Sot, PDK, ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votu në Kuvend. PDK do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës. Unë, besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik.
Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm. Nëse ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojë edhe qëndrimi jonë, ndryshojnë edhe prioritetet. Mendoj se prioriteti më i madh për këtë situatë është që ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit, jo vetëm për ish-eprorët e UÇK-së, por edhe për interesat e shtetit, historisë, për kaluarën dhe të ardhmen e shtetit. Në bazë të rëndësisë së rrethanave, ne do të sillemi në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend”, tha Hamza.
Pas mbledhjes Hamza tha se Shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, do ta përdorë dënimin për të dëmtuar Kosovën dhe për këtë do kërkojë takime me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik.
Veteranët e UÇK u mblodhën një ditë pas vendimit në Hagë dhe vendosën të protestojnë sërish këtë të premte. Pasditja pas publikimit të vendimit për të dënuar 4 ish krerët e UÇK ishte e trazuar edhe në Hagë dhe në Prishtinë.
Policia e Kosovës njoftoi këtë të enjte se protesta e qytetarëve të acaruar me vendimin shkaktoi vetëm disa dëme materiale në selinë e Eulexit dhe në godinën e qeverisë në qendër të prishtinës. Në një komunikatë, policia tha se protesta përfundoi rreth njëzet minuta pas mesnatës pa incidente të mëdha dhe as persona të lënduar nga radhët e protestuesve apo zyrtarëve policorë.
Protesta nisi si shfaqje e pakënaqësisë së qytetarëve me vendimin e Gjykatës Speciale që shpalli fajtor katërshen ë UCK-së, të mërkurën, për krime lufte duke dënuar Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13. EULEX është misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë ndërsa BE është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale, me seli në Hagë të Holandës.
Një ditë pas vendimit të Hagës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, organizatat e dala nga lufta kanë thirrur një protestë gjithëpopullore, që do të mbahet të premten në orën 12:00 në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë.
Në një konferencë për mediat, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e cilësoi aktgjykimin të padrejtë dhe akuzoi Gjykatën Speciale se po përpiqet, sipas saj, të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e luftës.
"Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të padrejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje", deklaroi Gazmend Syla.
Përveç protestës, veteranët paralajmëruan edhe një platformë të përbashkët veprimi deri në përfundimin e procesit të apelit. Sipas Sylës, synimi është krijimi i një këshilli koordinues kombëtar, ku të përfshihen institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, Shqipëria, shqiptarët në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe diaspora.
"Do t'i përgjigjemi kësaj padrejtësie me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, shqiptarët në viset e tjera dhe mërgata jonë. Protesta që organizohet nesër është protestë paqësore, jo e dhunshme, pa maska. Fytyrat i kemi të ndershme, s'kemi nevojë të vendosim maska", u shpreh Syla.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, e cilësoi vendimin një goditje jo vetëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por edhe ndaj luftës dhe shtetësisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje familjeve të dëshmorëve t'i bashkohen reagimit.

Vendimi i Hagës për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së ka shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës të kërkojë një qëndrim të përbashkët politik. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se do të takohet me liderët e të gjitha partive parlamentare, ndërsa paralajmëroi se partia është e gatshme të rikthehet në Kuvend nëse situata e kërkon.
Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, Hamza e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale si të padrejtë dhe tha se ai, sipas tij, dëmton historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
"Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në fakte. Është një vendim që e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik. Besoj në bashkëpunimin mes partive politike dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm", u shpreh kreu i PDK-së.
Ai shtoi se, megjithëse PDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe kishte vendosur të mos merrte pjesë në seanca, zhvillimet e fundit mund të ndryshojnë këtë qëndrim.
"Nëse ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojë edhe qëndrimi ynë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi Hamza.









Komente
Komento