Ashtu siç e kishte paralajmëruar një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga sot është gati aplikacioni në e-albania për të aplikuar për leje daljet me automjet nga java e ardhshme. Rama tha se ky aplikacion po testohet dhe se deri të dielën do të jetë plotësisht funksional për lejet e marra gjatë javës që vjen. Ai ka sqaruar se personat që kanë aktualisht një leje qarkullimi nga policia do të mund ta përdorin gjatë javës që vjen, por më pas duhet të riaplikojnë në e-albania.

Gjithashtu, Rama thekson se qytetarët do të mbajnë pasoja ligjore e panele nëse abuzojnë dhe shkelin kufizimet dhe lejen si për këmbësoret dhe ato me automjet.

"Leje-dalja me automjet përmes e-albania i jep fund e-maileve dhe pritjeve të deritashme për përgjigje. Ju lutem atyre që duan autorizim për të shkuar në punë javën tjetër të ndjekin me vëmendje video-udhëzimin dhe të testojnë sistemin e ri që përmes e-albania i jep fund pritjeve për aprovimin e autorizimit. Lexoni me vëmendje në hyrje të portalit e-albania lajmërimin që ju shfaqet, ku do të gjeni qoftë kategoritë e lejuara këtë javë për punë, qoftë protokollin sanitar të sigurisë. E përsëris, sistemi po testohet që deri nesër të jetë plotësisht funksional, prandaj mos u mërzisni nëse do të hasni ndonjë vonesë në aprovim, sepse pjesëmarrja juaj në testim ndihmon në kolaudimin e sistemit. Lexoni po ashtu me vëmendje pasojat ligjore e penale për shkelësit e kufizimeve të posaçme anti-covid të qarkullimit në këmbë apo me automjet. Sqarim: Të gjitha autorizimet e marra deri tani përmes e-mailit nga policia e shtetit janë të vlefshme për javën në vijim dhe gjatë javës së ardhshme, duhet të riaplikohet me terezi përmes e-albania, për të vazhduar normalisht javën e mëpastajme", shkruan Rama.

Një ditë më parë Rama tha se nga java e ardhshme çdo qytetar do të mund të dalë me makinë personale për të shkuar dhe për të ardhur nga puna, duke hequr kështu autorizimet që deri më tani merreshin edhe në polici duke u dhënë fund pritjeve.