Arben Duka qan të vëllanë me vargje
prekëse: Pse s'më more mua o Zot

Arben Duka qan të vëllanë me vargje<br />prekëse: Pse s'më more mua o Zot
Dy ditë më parë poeti Arben Duka njoftoi nëpërmjet një statusi të publikuar në Facebook lajmin e hidhur të vdekjes së vëllait të tij. “Dua të ndaj me ju lajmin më të hidhur të gjithë jetës sime. Dje u nda nga jeta, në moshën 60- vjeçare, vëllai im i shtrenjtë Sofokli Duka. Dhe sot nuk kam më fjalë për të thënë.”

Sofokli Duka, me arsim të lartë ushtarak, ka qenë kriminolog dhe studiues. Ai u largua nga jeta në moshën 60-vjeçare. Sot, poeti i njohur solli vargjet prekëse kushtuar dhimbjes së vdekjes së parakohshme të të vëllait.

Baladë hidhërimi për tim vëlla, Sofokliun

Përse më le të gjallë-o Zot,
përse s’më le me kohë të shkoja,
një ditë të zezë-si kjo sot,
as hasmit kurrë s’do t’ia uroja!

Unë asaj rruge i jam nisur,
dhe do të ikja qetësisht,
gjithë Botën sot ma ke përmbysur,
tim vëlla kur more pabesisht!

O kujë-o shpatë e helmatisur,
o muzë e zezë që sot s’më bindet,
ah-në ç’greminë më ke gremisur,
me ulërimë tromaks dhe xhindet!

Si u këput gjithë ai lis,
nga gjithë njerëzit më i miri,
çudi si mëndja s’më lëviz,
aq sa të bëj dhe harakiri!

Për dhimbjen shpesh e shpesh kam shkruar,
kur na ka lënë babai dhe mëma,
po kjo nuk ka të krahasuar,
se është më gjëmë dhe nga gjëma!

Më s’e kuptoj të jetës vlerë,
që na zhyt thellë në këtë zi,
unë do ta falja menjëherë,
që përsëri të ngjallesh ti!

Se unë nuk jam aspak i gurtë,
dhe pse e shtyva këto mote,
porse tani jam i sigurtë,
që do të vdes nga vdekja jote!

Ndaj po të pyes përsëri:
“Pse dje s’më more mua-ZOT,
se shumë i lodhur jam tani,
dhe këtë dhembje s’e mbaj dot?!”

Pse ma rrëzove me sëpatë,
sot shtyllën time të besimit,
më zhyte në të zezën natë,
në det të thellë të hidhërimit?!

Se mund të vijnë me të vërtetë,
ditët e bardha të bekimit,
por jeta ime do të jetë,
një simfoni e pikëllimit!

Sot jam një shkëmb krejt i thërrmuar,
njëlloj si jashtë edhe brënda,
dhe asnjëherë s’e kam menduar,
se ka dhe dhembje kaq të rënda!

Ndaj kësaj here u dorëzua,
një i paepur-fjalë zjarrtë,
se pabesisht sot përmbi mua,
ka rënë mali më i lartë!

Po Sofo Dukën nga Labova,
në jetë e kisha një pishtarë,
sot që u shua e kuptova,
që e kam dashur si i marrë!

Qe një gjeni me të vërtetë,
tamam pas emrit Sofokli,
dhe s’njoha kurrë në këtë jetë,
Një më të ndershëm se Ai!

Si nuk më iku dritë e syrit,
të shkretat duar pse s’m’u thanë,
që tash nën dritën e qiririt,
të shkruaj elegji për vëllanë?!

Mos kapte syri rreze drite,
fare pa sy do qe më mirë,
mos ja arrinim kësaj dite,
që Atë lis ta shihnim shtrirë!

S’e fsheh që jam kaq i tronditur,
se gojë më gojë hanim me vëllanë,
se ishte ylli më i ndritur,
që kishin lindur ato anë!

Tani u bë zi dhe më zi,
dhe ngjyrat gjithë të zeza janë,
më fal-i shtrenjti Sofokli,
që atë çast s’t’u ndodha pranë!

Më fal-o vëlla-o mik-o shok,
pa tyja ndihem krejt i humbur,
por nëse do të ishim tok,
ne vdekjen do ta kishim mundur!

Po thonë që fati na është shkruar,
nga lindja gjer në vdekje krejt,
me Zotin jam i zëmëruar,
se është treguar i padrejtë!

Ndaj do t’i thosha nja dy fjalë:
“Ne të besonim – more burrë,
po ti na bëre këtë radhë,
padrejtësinë që s’ndreqet kurrë!”
arben duka
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën

Debati në ‘Frontline’/ Baçi: Rama përdor drejtësinë për të goditur PD! I kthehet Lita: Gjyqtarët që dënuan Salianjin iu dhanë vulën