“Borxhi po rezulton më i lartë se sa pritej dhe do të rritet akoma më shumë se shifrat zyrtare. Ndaj qeveria duhet të ketë prioritet vënien e tij nën kontroll, duke i shtrirë më mirë në kohë dhe ndoshta edhe duke i riparë disa prej premtimeve të saj elektorale”, tha Malaj. I pyetur për hapat që po ndërmerr Rama përpara se të marr zyrtarisht pushtetin siç janë prishja e ndërtimeve pa leje dhe me leje dhe konferenca “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, Malaj i ka vlerësuar si shumë pozitive. Në lidhje me borxhin e marrë nga Shqipëria, Malaj i ka kujtuar Ramës se duhet të tregohet shumë i kujdesshëm. “Ndaj qeveria duhet të ketë prioritet vënien e tij nën kontroll, duke i shtrirë më mirë në kohë dhe ndoshta edhe duke i riparë disa prej premtimeve të saj elektorale”, ka thënë Malaj gjatë intervistës.
Si e vlerësoni konferencën "Shqipëria e gjeneratës tjetër" të zhvilluar nga qeveria Rama?
Konferencat rezultojnë të dobishme kur qoftë edhe pak prej propozimeve të tyre ndiqen me prioritet. Është pozitive të dëgjosh dhe shkëmbesh ide edhe me ekspert të huaj që kanë eksperienca konkrete ose njohin shumë mirë historinë e manaxhimit të krizave apo janë ekspert të sukseshëm të politikave të zhvillimit. Ata ritheksuan disa nga parimet kryesore të qeverisjes së vendit dhe disa nga momentet kritike me të cilat do të përballet ekonomia e vendit tonë. Ish ministrat, ish governatori i Bankës Qendrore të Turqisë dhe ekspertët e tjerë, bazuar në eksperiencat konkrete të menaxhimit të situatave të vështira dhe në sfidat e ekonomisë globale këshilluan se: na duhet një strategji që mban parasysh realitetet shqiptare dhe kjo e përmirëson bashkëpunimin me institucionet dhe ekspertët e huaj, këshilluan se rritja bazuar tek rritja e borxheve private apo publike është e dëmshme, këshilluan se ndryshimi i strukturës së ekonomisë drejt sektorëve më produktive duhet mbështetur me reforma të thella të sistemit arsimor.
Ata sugjeruan më shumë dashamirësi një përputhje më të mirë të pritshmërive të krijuara nga fushata elektorale me përgjegjësinë e qeverisjes së një vendi që është prekur ndjeshëm nga kriza e keqqeverisjes dhe kriza globale. Ndërsa paralajmërimet e Drejtoreshës së Bankës Botërore për krizën e thelluar të sektorit të energjisë dhe për pasojat negative të krizës së likujditeteve deri në efekte negative në sektorin bankar, duhet të jenë prioritare në zgjidhjen e tyre, duke filluar me pagesën e borxheve ndaj biznesit privat.
Ministrat dhe kryeministri i ardhshëm e paraqiti Shqipërinë në prag krize. A është realisht një shenjë krize?
Vendi është prekur nga kriza e keqqeverisjes dhe nga kriza globale. Dëmet më të mëdha dhe me pasoja më afatgjata janë ato nga keqqeverisja, nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. Me fillimin nga puna qeveria e re do të fokusohet tek angazhimi që ta mundim krizën dhe vendi duhet të largohet sa më parë nga psikologjia mbytëse se ‘kriza po na mbyt’. Pasiguria dhe pesimizmi e ushqejnë krizën. Ndaj vendim-marrja duhet të jetë e qartë dhe e vendosur në çdo reformë, vendim dhe projekte të qeverise se re.
Vihet re një lloj shmnagie nga përfshirja në Ekzekutiv të njerëzve me kontribute në PS. Si e shihni?
Në çdo nivel manaxhimi, aq më tepër në qeverisjen e vendit dhe aq më tepër në qeverisjen e tij në kohë krize harmonizimi i eksperiencës me të rrinj jep rezultate më të mira. Parimet e ndërtimit të ekipeve, maksimizmit të energjive pozitive dhe të rezultateve, janë pjesë e teorive të lidershipit mbi të cilat duhet të bazohet qeverisja e sukseshme.
A duhet të ishin mbledh forumet përpara se të lancoheshin emrat e Ekzekutivit?
Në vendet me demokraci funksionale, procesi i përzgjedhjes dhe i ndërtimit të ekipeve përfaqësuese, parlamentare dhe qeveritare vleresohet shumë i rëndësishëm. Në këto vende ekipet përfaqësuese nuk janë supriza e rradhës, por një proces dinamik brenda partive politike që synon të maksimizojë energjitë pozitive duke i përfshirë të zgjedhurit në këto procese. Përfshirja e forumeve dhe rritja e transparencës e ndihmon rritjen e cilësisë së qeverisës së vendit e cila duhet të mbetet sfida kryesore e PS-së, aq më tepër pas një keq qeverisje të personalizuar që PD-ja i bëri vendit. Përderisa kolegët në forumet përfaqësuese të PS nuk janë shprehur, ndoshta ata janë ndjerë pjesë e procesit.
Borxhi i lartë sa do të ndikojë në arritjet e qeverisë së re? A mund të arrij objektivat e premtimeve që ka dhënë?
Borxhi po rezulton më i lartë se sa pritej dhe do të rritet akoma më shumë se shifrat zyrtare. Ndaj qeveria duhet të ketë prioritet vënien e tij nën kontroll, duke i shtrirë më mirë në kohë dhe ndoshta edhe duke i riparë disa prej premtimeve të saj elektorale. Kredibiliteti i saj do të jetë një test publik së pari dhe mbi të gjitha se qeveria do të mbështesë një rritje me punësim, dhe si do të ndal përkeqësimin e krizës buxhetore. Ndërsa rendja pas premtimeve rrezikon thellimin e krizës dhe mund të dëmtoj qeverisjen e vendit. Ndaj këshillohet që populizmi politike duhet të mbajtur nën kontroll nga ethet elektorale, sepse rrezikon të dëmtoj fituesin pas zgjedhjeve.
Si e shikoni nismën e Ramës për të shkatërruar ndërtimet me leje dhe paleje në Vlorë, Sarandë, Ksamil, etje?
Patjetër është urgjente të ndalen ndërtimet pa leje. Duhet një harmonizim më i mirë midis strategjive të zhvillimit të këtyre territoreve dhe prishjeve të ndërtimeve pa leje. Duhen dhënë hapësirat e zhvillimit, duhet luftuar klientelizmi mbi projektet në territore potenciale të zhvillimit, dhe gradualisht situata do të përmirësohet. Prioritet duhet të jenë zonat informale në Vlorë, Durrës, Tiranë dhe në qytetet e mëdha të vendit. Ato duhen përfshirë në projekte urbanizmi, për rrugët, ujin, dritat, ambjentet sociale. Ato kërkojnë projekte të integruara që kanë kosto të mëdha ndaj duhet të jenë pjesë e planeve afatmesme dhe të mbështetura me financime nga donatorët. Nuk duhen keqpërdorur fonde buxhetore për projekte të copëzuara elektorale, vendore apo parlamentare. Banka Botërore dhe donatorë të tjerë kanë përvoja pozitive si në rastin e Bathores.
Me Kooperacionin Italian u investuan në lagjen më problematike në Vlorë dhe situata u ndryshua tërësisht. Zona informale e Vlorës, duke filluar nga Pusi Mezinit deri tek Kampi i Pionerëve, kërkon një projekt të plotë dhe nuk mund të zvarritet më. Ajo është bërë gati e pabanueshme dhe mbijetesa është bërë e vështirë. Duhet të krijojmë optimizmin real të mundësive të reja të zhvillimit në zonat informale si pjesë e strategjisë të reduktimit të informalitetit. Ky është edhe leksioni që vjen nga historia qindra vjeçare e shumë vendeve, në luftë kundër informalitetit. Fushatat e prishjeve dhe penalizimeve pa plane zhvillimi nuk garantojnë rezultate të përhershme dhe rrisin presionet korruptive.
A do të jeni më në politikë? Kush janë lëvizjet që ju do bëni në këtë drejtim?
Po, do të jem në politike.Pas Shtatorit do të jem i angazhuar si lektor në universitet dhe do ndërtojmë një institut për mirëqeverisjen.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.09.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)