Arben Puto: Luftë civile? Biseda e
panjohur mes Berishës dhe von Kohl

Arben Puto: Luftë civile? Biseda e<br />panjohur mes Berishës dhe von Kohl
TIRANE- Për historianin Arben Puto, angazhimi i tij në fushën e të drjetave të njeriut në Shqipëri ka qenë më shumë se i rëndësishëm. Kësaj fushe të veprimtarisë së tij, ai i fali shumë energji e angazhim krahas angazhimit të tij professional në fushën e historisë. Këtij aktiviteti ai i ka kushtuar njw libër, i sapobotuar nga “Toena”, ku përshkruhen me imtësi sfidat me të cilat u përball Shqipëria në fushën e të drejtave të njeriut menjëherë pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Me titullin “Sfidat e të drejtave të njeriut për një shoqëri të lirë”, libri i ri i Arben Putos me kujtime, analiza dhe një varg dokumentesh tepër të rëndëshme, zbërthen një fushë krejtësisht të pastudiuar në vendin tonë. 

Në kopertinën e pasme të librit historiani Puto shkruan: “E ndjeva se për mua ishte koha të ngrija zërin live. Dhe, këtë e bëra në një intervistë me “Zërin e Amerikës” më 16 dhjetor 1990. Ajo është një nga nxitjet, së cilës i shtohet edhe roli aktiv, që mora në kohën e mbledhjeve, ku ne, një grup intelektualësh, filluam të bëjmë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Jemi mbledhur në disa vende asokohe dhe vendosëm të krijojmë organizatën e parë joqeveritare të pavarur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U vendos që unë të jem drejtuesi i parë i saj, një nder që e vlerësoja, por edhe që më obligonte shumë në kohë dhe në rrethana krejt të reja….”, shkruan Puto, ndërsa vijon pak të tej se ky libër është një dëshmi dhe një nderim për  njerëzit që u morën  me këtë kauzë”.

Pjesa e fundit e këtij libri i është rezervuar një grupi dokumentesh shumë të rëndësishme të fillimit të viteve ’90, mes të cilave ne kemi shkëputur një bisedë mes ish-presidentit Sali Berisha dhe vëzhgueses sw Helsinkit Christinë Von Kohl dhe shoqëruesit të saj polak Novicki. Biseda e regjistruar në magnetofon zbulon revoltën e Berishës ndaj zonjës Von Kohl, e cila sipas tij me një artikull të sajin kishte shkruar se Shqipëria ishte në prag të luftës civile…”  
 

CHRISTINE VON KOHL NË BISEDË ME BERISHËN PRESIDENT
(tetor 1992)
 
Christine Von Kohl te Berisha (tetor 1992)
 
Në bisedë ka qenë edhe polaku Novicki, që shoqëronte Christine von Kohl gjatë vizitës në Tiranë.
Novicki: Unë kam eksperiencën time me vende që kanë shumë probleme. Kjo është arsyeja përse jam këtu. Thelbi i punës sonë janë të drejtat e njeriut në Shqipëri. Nga një bashkëpunim shumë i mirë me Komitetin Shqiptar dhe nga shumë takime që kemi pasur  gjatë vizitës sonë, mendoj se kemi një tablo të saktë të shumë problemeve dhe të mënyrës sesi të zgjidhen ato këtu, nga pikëpamja e të drejtave të njeriut. Unë propozoj që Christine t’ju tregojë juve se cilat janë problemet kryesore.

Berisha: Desha t’i bëj Christine-s dy pyetje. Sepse më vjen shumë keq për atë që kjo zonjë ka shkruar për Shqipërinë, sikur vendi është në prag të luftës civile. Unë çmoj shumë atë që ajo ka bërë për shqiptarët dhe të drejtat e njeriut, por të lexoj e të shikoj  këtë deklaratë të një personaliteti të të drejtave të njeriut, kjo më vjen shumë keq. Sepse mund t’ju siguroj se Shqipëria nuk është aspak në prag të luftës civile dhe shqiptarët po shkojnë në paqe drejt një shoqërie demokratike.

Dhe kur pashë këtë deklaratë nga një aktiviste e Helsinkit, siç është zonja von Kohl, më erdhi shumë keq. Sepse nuk ka absolutisht shenja të luftës civile dhe luftë civile nuk ka pasur në Shqipëri as kur ishin në pushtet komunistët dhe ky zotëri (Fatos Lubonja) ka qenë në burg. E dyta, kam edhe një vërejtje për të bërë. Në po atë artikull, zonja Von Kohl del si avokate e familjes Hoxha dhe e familjes Kapo.  Dua t’ju them se këto familje të Bllokut janë familjet më kriminele, ato mund të mbrohen në gjyq, por jo në publik. Jam krejt i hapur dhe i drejtpërdrejtë.

Christine: Zoti President, ju lutem, a mund të flisni me mua dhe jo për mua?
Berisha: Zonja Von Kohl, unë jam shumë i hapur dhe kam shumë respekt për ju, por kur ju shkruani për mundësinë e luftës civile në Shqipëri dhe kur ju dilni si avokate e familjes Hoxha  dhe e familjes Kapo, që janë sigurisht, familjet më kriminele në Shqipëri, më vjen shumë keq.

Christine: Z. President, a i keni parë pikëpyetjet që unë bëj nën titull?
Berisha: Po ku i gjeni ju faktet për luftën civile? Sepse, znj. Von Kohl, të shprehësh këtë ide ju keni fyer një popull të tërë, i cili, sigurisht, ka shumë vështirësi, vështirësi të mëdha, por nuk është aspak në prag të luftës civile. Znj. Von Kohl, kjo është një deklaratë shumë speciale që keni bërë, ajo mund t’i krijojë Shqipërisë shumë probleme jashtë, mendoj unë. Meqenëse jeni aktiviste e komisioneve të Helsinkit nuk keni për detyrë të komplikoni gjërat në një vend si Shqipëria, të bëni deklarata të tilla, por të ndihmoni.

Sepse deklarata të tilla, ka shumë mundësi të frikësojnë investitorët e huaj që mund të vinin të investonin. Kjo deklaratë, që është botuar edhe këtu, që u botua në “Zërin e Popullit”, ka krijuar një përshtypje shumë të keqe këtu mbi problemet e Helsinkit. Sepse në po atë artikull, ju dilni si një avokate e familjes Hoxha. Njerëzit janë të lirë të kenë opinionin e tyre, por nganjëherë, znj. Von Kohl, kam parë aktivistë të dalluar që u janë nënshtruar disa lloj presioneve.

Unë pashë arsyet e vërteta të një qëndrimi të tillë (?). Mos i flisni njeriu tjetër për luftën civile, sepse njerëzit nuk kanë aspak ndërmend të shkojnë në luftë civile. Ju jeni personaliteti i parë në botë, që ua thoni këtë shqiptarëve, sepse unë ju konsideroj një personalitet ju që e keni thënë këtë.

Christine: A e keni vënë re pyetjen pas titullit: “A shkon Shqipëria në luftë civile?”. Unë nuk e mohoj esencën. Së dyti, unë ju siguroj se të drejtat e njeriut nuk ndahen, ato duhet të respektohen për çdo njeri, edhe për “familjet kriminele Hoxha e Kapo”, ato duhet të trajtohen sipas parimeve të njëjta. Para së gjithash, ne kërkuam që Komiteti këtu të hetojë.
Berisha: Kujt ia kërkuat?

Christine: Zotit Puto.
Berisha: Zoti Puto u përket atyre.
Lubonja: Ishte z. Gerald Nagler që erdhi këtu.

Berisha: Unë e prita z. Nagler dhe nuk më tha asgjë. Ai ishte shumë i kënaqur për çdo gjë. Unë kam gjithë bisedën me z. Nagler.  E kam bisedën. Dhe z. Puto nuk është aspak njeriu  që ju t’ia besoni këtë për këtë subjekt, jo për të tjerat. Sepse për të tjerat, unë e vlerësoj shumë. Ai është shkencëtar, sepse, siç e dini, në drejtësi kur ju keni lidhje familjare, nuk mund të pranoheni... (?).

Lubonja: Por nuk ishte z. Puto, isha unë me z. Nagler.
Berisha: Jo, ishte Puto. Lidhur me z. Puto në këtë çështje, jo në të tjera, sepse unë nuk ia lejoj vetes të flas për të tjerat (?). Por në këtë çështje, ai është kunati i z. Myftiu, i cili ishte nr. 1 në internimet gjatë një gjysmëshekulli, njeriu që vuri firmën në të gjitha internimet dhe z. Puto ka lidhje të tjera familjare edhe me familjen Kapo.

Christine: Por z. President, më lejoni ta them hapur. Ju e dini se një nga krimet më të mëdha të kohës së  Enver Hoxhës ishte fakti se çonte në internim anëtarët e familjes të çdonjërit që akuzohej. Anëtarët e familjes nuk kishin bërë gjë, por meqenëse kishin lidhje me ta, quheshin armiq. Dhe besoj se nuk ju keqkuptova z. President, unë shpresoj se ju nuk do të ndiqni të njëjtin parim...

Berisha: Ju zonjë e keni krejt gabim sepse nuk thashë ashtu, por ai (Puto) nuk mund të besohet për këtë temë, ndërsa mund të besohet për të gjitha të tjerat. Askush nuk do t’ju besojë ju nëse dilni si avokate e këtyre familjeve të Bllokut. Ju duhet të jeni e paanshme.
Christine: Jo, të drejtat e njeriut kërkojnë të mos jesh i paanshëm.

Berisha: I paanshëm për të dyja palët. I paanshëm që ju duhet të flisni për të gjithë, jo vetëm për familjet e Bllokut.
Christine: Në qoftë se ju keni ndonjë arsye për të thënë se z. Puto ka qenë fajtor, ky është një rast, por që ai ka pasur lidhje, ky është një rast tjetër.
Berisha: Unë nuk e akuzoj kurrë z. Puto... Unë di se z. Puto nuk është i besuar nga publiku shqiptar dhe ka shumë artikuj për këtë argument. Unë e vlerësoj shumë atë për punën që ata bënë qysh në fillim.

Christine: Për ish-të burgosurit dhe viktimat.
Berisha: Unë nuk e di aktivitetin për ish-të burgosurit, sepse ai ka qenë një problem për partitë politike, kryesisht. Por problemi është për këtë, sepse mendoj se ju do ta përkeqësoni situatën dhe do të ndikojë për keq  nëse e merrni këtë zotëri këtu. Nuk është në interes të tij të marrë pjesë. Të tjerët po, ju mund të kërkoni gjithë të tjerët, por jo atë.
Christine: Z. Puto është caktuar nga Komiteti i tij.

Berisha: Nuk kam asgjë kundër tij, por për këtë pikë nuk mund ta pranoj.
Novicki: Ju keni këtu Komitetin Shqiptar të Helsinkit, një grup i pavarur i të drejtave të njeriut. Ky grup e ka zgjedhur zotin Puto si kryetar, sepse kjo organizatë ekziston si Komitetet e tjera të Helsinkit.

Berisha: Jam plotësisht dakord. Le të flasë në emër të Komitetit, por jo në emër të tij.
Christine: Nuk e ka bërë kurrë këtë.
Berisha: Jo, kurrë në emër të Komitetit për këtë çështje.
Christine: Jo, nga Komiteti që ka 12 anëtarë.

Berisha: Jo, znj. Von Kohl, për këtë çështje (?).
Christine: Mos është një person tjetër, mos ka dy personalitete të ndryshme?
Berisha: Më falni, zonja Von Kohl, do t’ju këshilloja, në qoftë se ju pëlqen të bëni një mbledhje me gjithë Komitetin dhe të diskutoni për këtë çështje... për të gjitha të tjerat unë nuk kam asnjë problem, por për këtë çështje ... që është familje ... ju duhet të bëni një mbledhje me këta anëtarë të Komitetit! Ju duhet të bëni një mbledhje vetëm për këtë çështje, jo për të tjerat.
(Ndërhyn Christine dhe thotë se ka pasur një takim me Komitetin).

Berisha: Shumë mirë... në qoftë se ka një vendim të Komitetit se të drejtat e njeriut të bllokmenëve nuk janë respektuar, ma dërgoni dhe unë do ta shoh.
Christine: Dhe ne patëm një mbledhje me Shoqatën e ish-të Burgosurve dhe ne u thamë qartë se, në qoftë se Komiteti e sheh të nevojshme të ndryshojë kryetarin, ata duhet ta bëjnë sipas statutit.

Berisha: Unë nuk do të ndërhyj, sepse Komiteti është krejt i pavarur nga Presidenti... dhe ju duhet të jeni të sigurt se unë nuk kam ndërhyrë asnjëherë.
Christine: Edhe ne nuk mund të ndërhyjmë.
Berisha: Sa për ju, unë nuk e di...

Novicki: Jo, jo, unë dua t’ju shpjegoj se çdo Komitet i Helsinkit është shumë autonom, dhe është vetëm punë e tyre, është punë e brendshme e Komitetit se kush është Kryetari... Këto janë rregullat e Komitetit. Ka vetëm një çështje: Komiteti i Helsinkit duhet të punojë si një organizatë e pavarur e të drejtave të njeriut, për të drejtat e njeriut në vend.

Berisha: Unë nuk do të ndërhyj asnjëherë në punët e tyre. Çfarë kam bërë unë... ata më kanë sjellë disa sugjerime për dënimin me vdekje. Ata më kanë shkruar, sugjerimet e tyre kanë qenë shumë të drejta për heqjen e dënimit me vdekje dhe sugjerime. Dhe çdo dokument që më kanë sjellë në Presidencë, unë e kam parë me kujdes. Unë nuk ngre një çështje të përgjithshme për Puton..., por për këtë, unë nuk mund ta pranoj.

Christine: Lidhur me të drejtat e njeriut ne kemi gjetur disa probleme: për fatin e dy gazetarëve... njëri ka botuar një letër dje në “Zërin e Popullit”.
Berisha: Nuk e kam parë letrën.
Christine: Është një djalë i ri.

Berisha: Është Lamçellari.
Christine: Ai thotë se prej 10 ditësh ai nuk pi ujë, dhe ai mund të jetojë kështu vetëm 28 ditë. Ai po e shtron çështjen për ju... Gazetari është akuzuar si armik dhe ne kemi vënë re se këto akuza janë përdorur mjaft shpesh...

Berisha: Në ç’gazetë?
Christine: Veçanërisht në “Rilindjen Demokratike” dhe gazeta të tjera.
Berisha: Ku e keni gjetur dokumentin që ai është quajtur “armik”?
Christine: Ma kanë thënë mua.

Berisha: Ju duhet të më sillni një dokument.
Lubonja: Ai është quajtur “armik i demokracisë”.
Berisha: Ku?

Lubonja: Në gazeta, ju mund ta lexoni.
Berisha: Ju e shkruani.. Ju jeni një komision vëzhgues (fact finding). Çdo gjë duhet të jetë e dokumentuar. Unë do të them diçka për këtë... mos u shqetësoni. Më falni, a është e domosdoshme që z. Lubonja të jetë këtu? Sepse unë kam disa probleme...
Novicki: Ai është sekretar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Berisha: Kam një informacion që mund t’jua them juve si President, por jo kujtdo.
Christine: Ne e njohim shumë mirë z. Lubonja.
Berisha: Unë nuk bëj akuza, por unë nuk jam i autorizuar t’ia shpjegoj atij.
Novicki: Por Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka të njëjtën pozitë që kemi ne këtu...

Berisha: Komiteti Shqiptar i Helsinkit është, por ka disa probleme që ... nuk mund të thuhen në publik.
Novicki: Ju e krijoni situatën... Më vjen shumë keq.

Christine: Ju mund t’i kërkoni zotit Lubonja të mos flasë për këtë.
Novicki: Sepse kjo është çështje besimi, ja pse jemi këtu.
Berisha: Jo, është diçka më e ndryshme.

Lubonja: Ju mund të thoni gjithçka ... në qoftë se ju keni diçka kundër meje... në qoftë se keni prova kundër meje... e nëse doni të më dëgjoni, unë mund t’ju them çdo gjë.
Berisha: Jo... Jo...
Christine: Nëse doni një bisedë intime, le ta mbyllim këtë (magnetofonin).
 
Post-scriptum
 
Këtu mbaron regjistrimi i bisedës. Duke i hedhur një sy përmbajtjes, tërheqin vëmendjen disa pika kryesore që nxjerrin në shesh fare qartë figurën e Berishës që nuk shkëputet dot nga metodat e së kaluarës. Bashkë me Christine patëm renditur këto momente të debatit.

Së pari, bie në sy shprehja që përdor Berisha për “familjet kriminale” të Bllokut. Të lëmë mënjanë faktin se ai vetë ka qenë një vizitor i rregullt i oborrit të Bllokut. Ai shkonte aty jo vetëm si mjek, por edhe si mik i këtyre familjeve. Tani ai i quan këto familje “kriminale” (familja e E. Hoxhës dhe familja Kapo) dhe i përflet Christine-s që ajo del si avokate e tyre.

Është një koncept krejt i huaj për të drejtat e njeriut, nuk ka “familje kriminale”, mund të ketë një anëtar të familjes fajtor për krim; përgjegjësia është individuale. Edhe familjet e Bllokut duhet të trajtohen sipas parimeve të të drejtave të njeriut, të vihen para përgjegjësisë kur është rasti, por jo të keqtrajtohen thjesht sepse janë ato familje.

E njëjta gjë edhe për lidhjet familjare që Berisha nxjerr si argument për të ndërhyrë në punët e brendshme të një organizate të pavarur, duke imponuar preferencat e tij në përbërjen dhe në drejtimin e saj. Berisha e dinte mirë se ishte A. Puto që bëri intervistën në “Zërin e Amerikës”, duke kërkuar lirimin e të burgosurve dhe të internuarve. Kërkesa për lirimin e të burgosurve dhe të internuarve i përket asaj deklarate dhe nuk ka qenë aspak problem i partisë së tij.

Kunati i tij, M. Myftiu, si zëvendëskryeministër që mbulonte “drejtësinë” pati fatin e keq dhe detyrën e mallkuar të vinte firmën në listat që i sillte Ministria e Brendshme, por Arbeni doli dhe kërkoi lirimin. “Nuk kam asgjë kundër, ai është shkencëtar, por ka kunatin”, vazhdon Presidenti.

Një shkelje e tillë flagrante i jep rastin Christine-s të denoncojë këto metoda dhe të thotë hapur se kjo është një prirje për të ndjekur parimin e vjetër të kohës së E. Hoxhës, kur bashkë me fajtorin e pësonin gjithë anëtarët e familjes.

Është edhe një fakt tjetër që e plotëson tablonë. Në tetor, me Berishën pati një takim edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare, Gerald Nagler. Berisha tha se biseda kishte shkuar shumë mirë. Nagler nuk tha asgjë, madje “ai ishte i kënaqur për çdo gjë”.

E përgënjeshtroi vetë Nagler me intervistën që dha në fund të tetorit e që po botohet e plotë. A e ka lexuar ndonjëherë këtë intervistë Berisha? Që në titull Nagler thotë: “Në Shqipëri po ndiqen të njëjtat metoda si në të kaluarën”. Mund të lexohet. Shprehet jo vetëm për Komitetin e Helsinkit. Por edhe për gjendjen e përgjithshme në Shqipëri. Mund të mjaftohemi me një frazë të shkëputur: “Aktualisht në Shqipëri më lehtë i besohet një intrige sesa dhjetë të vërtetave” (nënvizuar në tekst).

Lidhur me Komitetin, vlen të përmendet një “sugjerim” i Berishës. I thotë Christine-s se, në qoftë se nuk i beson atij për çështjen Puto, “le të bëjë një mbledhje me anëtarët e Komitetit”. Në të vërtetë, Berisha i ka marrë masat, është marrë vesh me disa anëtarë dhe mbledhja nuk vonon të bëhet.

Ky është një regjistrim i dytë, i plotë. Mbledhja përfundon, siç mund të pritej, me vendimin e ardhur nga lart. Shkarkohemi nga detyra, unë si kryetar, Lubonja si sekretar. Lubonja në shenjë proteste u tërhoq dhe e la Komitetin. Unë qëndrova si anëtar, nuk mund të lija një punë që e kisha filluar vetë.

Në të vërtetë koha do të më japë të drejtë. Siç u pa, Komiteti do të bjerë në pasivitet. Federata nuk hoqi dorë. Nën presionin e saj, në nëntor të 1994-ës do të bëhen zgjedhje të reja dhe unë do të thirrem përsëri në krye të Komitetit. Aktiviteti do të marrë një zhvillim të ri, duke ndjekur e denoncuar shkeljet e rënda në fushën e të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor. Pushteti do të armiqësohet dhe do të godasë. Komiteti nuk përkulet.

Duke përfunduar, duhet pranuar se një pikë e fortë e Berishës ka qenë sulmi që i bëri Christine-s për një artikull të saj mbi rrezikun e një lufte civile Shqipëri. Janë faqet më të nxehta të tekstit. Siç u pa, Christine tha se e kishte vënë në pikëpyetje, por megjithatë shtoi se besonte në thelb në këtë rrezik.

I njëjti mendim del dhe nga intervista e Nagler-it. Kështu, dy vëzhgues të Helsinkit e bënë me kohë prognozën. Tranzicioni u kthye në proces degradimi, që arriti kulmin me ngjarjet e 1996-1997-ës dhe të 1998-ës. Kriza mori menjëherë tiparet e luftës civile, me ndeshje të armatosura dhe me qindra viktima. Vetëm ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar e shmangu katastrofën.

Berisha zbuloi qenien dhe konceptet e tij në politikë pikërisht në kulmin e krizës, më 1997. Më 23 mars, Televizioni Publik Iranian i bëri këtë pyetje: “Sipas mendimit tuaj, kush është pas këtyre ndodhive në Shqipëri?”. Berisha u përgjigj me gjuhën e Ajatollahut: “Fatkeqësisht, sot, si nocion ekstremizmi islamik është bërë alibi përfituese me të cilën operojnë Fuqitë e Mëdha. Këtë alibi ato e shfrytëzojnë për qëllimet dhe idetë e tyre kolonialiste. Shembulli më i mirë për këtë është situata në Shqipëri.

Është fjala për aktorë të njëjtë, domethënë për ata, të cilët shkaktuan luftën në Bosnjë . Askush nuk e di se çfarë janë duke përgatitur Fuqitë e Mëdha për këtë vend. Në ribotimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, i cili u bë para katër vitesh në Egjipt, në parathënien e shkruar nga një mendimtar egjiptian, tërhiqet vërejtja për rrezikun që u kanoset shqiptarëve myslimanë”1.
Christine von Kohl






































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf