Në Partinë Demokratike kishte kohë që mbretëronte qetësia, e pasuar nga refreni: analiza pas raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, e më pas do të bëhet nami! Por kjo hilë e drejtuesve demokratë ishte një skenar i vjetër, i parë disa herë në të kaluarën: "Lëre të kalojë se harrohet." Si mund të harrohet rezultati katastrofal i 14 Majit?! Por rutina është rutinë, apo jo!?

​Në orën 12:00, me raste 13:00, kreu i Partisë, Berisha, mbante konferencën e përditshme. Pyetje të shumta nga kolegët, përgjigje kontradiktore që rrëzonin çfarë ishte bërë e thënë më parë, lapsuse, konfuzion. Për të ardhmen, refreni i vjetër: "Në vjeshtë nami, ikin ditët, në dimër nami!" Asgjë. Kjo ishte situata para lëvizjes Salianji, një det pa asnjë valë, se dallgë është e paimagjinueshme. E kjo e gjitha në opozitë, aty asgjë nuk duhet të ndalojë 24/7! Befas, ndryshoi diçka. Kryetari Berisha takoi edhe aleatët dytësorë, diçka e rrallë pas zgjedhjeve!

Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja etj., janë gjenerata e re në Partinë Demokratike. Ata nuk kanë marrë asgjë prej saj. Salianji ka marrë atë që është e paimagjinueshme: heqjen e lirisë. Për të kuptuar sa serioze dhe e domosdoshme është kjo lëvizje, mjafton të shohësh reagimin e kreut të PD-së: fillimisht e neglizhoi, më pas e sulmoi, dhe më tej do ta luftojë! Është një skemë tipike e ADN-së së zotit Berisha dhe shumë e lexueshme nga kundërshtari. Por ADN-ja e Ervin Salianjit duhet të jetë Aksion Demokratik për Ndërtim.

​Nga Dhjetori 2025 duhet ta fillojë hedhja e themelit për 2027 e më pas. Ajo që nuk shkon deri tani me këtë lëvizje është kamuflimi i qëllimit final: largimit të Berishës nga PD-ja. Ky i fundit e ka kuptuar dhe, për figura dytësore të lëvizjes, mund të ofrojë poste për ta zbehur, por te kryesoret e ka të vështirë. 

E megjithëatë Berisha nuk është më i njëjti që ia ka dalë gjithmonë t'i zbusë kundërshtarët në parti, e në opozitë joshja politike është shumë e ulët. Prandaj, është i destinuar të bëjë luftë, diçka e parë shumë herë në të kaluarën. Me ide e platformë, ndryshe këtë duan ta shohin publiku e votuesi, edhe te grupi Salianji, e mbi të gjitha pa pazare politike!