Arbër Minxhozi është emëruar drejtor i Muzeut Kombëtar të Përgjimeve ‘Shtëpia me Gjethe’.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se Minxhozi sjell një profil drejtuesi që ndërthur mendimin strategjik me një qasje bashkëkohore dhe të ndjeshme ndaj rolit të institucioneve kulturore.

Gonxhja shkruan gjithashtu se qasja e Minxhozit synon forcimin e rolit të muzeut në jetën kulturore dhe turistike të qytetit, duke e pozicionuar “Shtëpinë me Gjethe” si një hapësirë ku edukimi, reflektimi historik dhe turizmi kulturor bashkohen në mënyrë natyrale dhe bashkëkohore.

Minxhozi do të pasojë në këtë detyrë ish-drejtoreshën Etleva Demollari, e cila e mbajti atë post për disa vite.

Postimi i Blendi Gonxhja:

Arbër Minxhozi emërohet Drejtor i Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Me formim në administrim dhe menaxhim, përvojë të kombinuar në sektorin privat dhe publik, si dhe trajnim ndërkombëtar në lidership dhe qeverisje publike, përfshirë programe ekzekutive pranë Harvard Kennedy School, Arbër Minxhozi sjell një profil drejtuesi që ndërthur mendimin strategjik me një qasje bashkëkohore dhe të ndjeshme ndaj rolit të institucioneve kulturore.

Përvoja e tij profesionale është ndërtuar mbi zhvillimin e projekteve që afrojnë institucionet me publikun, përmes komunikimit, edukimit dhe aktivizimit të hapësirave kulturore, me një vëmendje të veçantë ndaj të rinjve, pjesëmarrjes qytetare dhe krijimit të modeleve funksionale që ndërtojnë vlera afatgjata.

Vizioni i platformës së përzgjedhur mes një procesi transparent për drejtimin e ri të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” synon ta zhvillojë muzeun si një platformë aktive dijesh dhe përvoje, ku historia kuptohet dhe përjetohet përmes formateve edukative, ëorkshopeve rinore, përdorimit të menduar të teknologjisë inovative dhe përvojave më interaktive për vizitorët, krahas rrjetëzimit e burimeve alternative të mbështetjes.

Qasja e tij synon forcimin e rolit të muzeut në jetën kulturore dhe turistike të qytetit, duke e pozicionuar “Shtëpinë me Gjethe” si një hapësirë ku edukimi, reflektimi historik dhe turizmi kulturor bashkohen në mënyrë natyrale dhe bashkëkohore.

I urojmë suksese Arbërit, duke falenderuar drejtoreshën Etleva Demollari që i le stafetën pas shumë viteve kontributi e drejtimi pozitiv!